Presidenti Thaçi nis konsultimet me partitë politike në javën e ardhshme

Periskopi.com Lajme

Pas dorëheqjes së  Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit të  vendit, të  gjithë sytë  i kanë nga Presidenti, raporton Periskopi.

E nga zyra e këtij të fundit është  lëshuar një  komunikatë  për medie përmes së  cilës Presidenti i Kosovës  Hashim Thaçi ka njoftuar se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në  këtë  komunikatë  thuhet se nga java e ardhshme, Presidenti Thaçi do të  nis konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Gjithashtu përmes kësaj komunikate Presidenti Thaçi zotohet se çdo veprim i tij do të  jetë  në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. /Periskopi

Ja kur do të propozohen kandidatët për kryetar të LDK-ës

Periskopi.com Lajme

Isa Mustafa nuk do të jetë kandidat për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e brendshme që kjo parti do t’i mbajë më 3 gusht, raporton Periskopi.

Këtë e konfirmuan burime të sigurta të Periskopit brenda LDK-ës.

Emrat të cilët janë përfolur deri më tani si kandidat për kryetar të kësaj partie janë: Vjosa Osmani, Lutfi Haziri, Agim Veliu e Avdullah Hoti.

Megjithatë asnjëri nga ta e askush nga LDK-ja nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Sipas burimeve të Periskopit, kandidatët për kryetar partie do të propozohen gjatë javës së ardhshme në kryesinë e LDK-ës, ndërsa nuk dihet ende se kur saktësisht do të bëhen publik emrat zyrtarë që do të kandidojnë për zgjedhjet e brendshme të 3 gushtit. /Periskopi