Komuna e Suharekës jep edhe një tender tjetër për vëllain e drejtorit të Bali Muharremajt

Periskopi.com Lajme

Komuna e Suharekës që udhëhiqet nga kryetari Bali Muharremaj po vazhdon të shpërblejë me tender familjarët e zyrtarëve të AAK-së, madje familjarët e drejtuesve të komunës.

Komuna e Suharekës ka lidhur një tjetër kontratë me kompaninë e familjes së drejtorit të Administratës në Komunën e Suharekës, Driton Maliqaj.

Kompania “Am Group”, që është në pronësi të Abedin Maliqaj, vëllait të drejtorit të Administratës, është shpërblyer me kontratë për tenderin “Ndërtimi i rrugës Semetisht -Peqan”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 26.707,60 euro.

Për këtë tender kanë garuar tri kompani, që marrin tender kohë pas kohë në Suharekë.

Kompania “Seferi-Co” ka pasur ofertë më të shtrenjtë ose 28 mijë e 619  euro, ndërsa grup i operatorëve “Burim J. Krasniqi B.I” & “Erst Bau”, ka pasur ofertë më të lirë prej 24 mijë e 155 eurove.

Por, ky grup i kompanive është shpallur i pa përgjegjshëm nga prokurimi komunal, me arsyetimin se nuk kanë përmbushur disa kërkesa të prokurimit që janë kërkuar në dosjen e tenderit, ani pse edhe këto kompani janë kontraktor të komunës, njëra prej tyre më e shpeshtë.

Ndërkohë, para rreth një muaji, Komuna e Suharekës kishte shpërblyer me një tjetër tender kompaninë “AM Group”. Kontrata quhet “Ndërtimi i Lapidarit për viktimat e viteve 1912-1945 – Lapidari Samadraxhe”, që është me vlerë 28.650,00 euro.

Ndërkohë, para pak ditësh, kompania N.P.N. “HIDROTERM” pronar i së cilës është djali i Blerim Kuçit, 24 vjeçari Genc Kuçi, ka fituar tenderin prej 1.7 milion eurove për ndërtimin e sheshit në Suharekë. Blerim Kuçi, nënkryetari i AAK -së, tanimë është në garë përsëri për deputet.

Lidhur më këta tender ka reaguar edhe opozita komunale në Suharekë, duke i konsideruar si politikë.