Gjermania 1 fitore në 4 ndeshjet e fundit, Lëv merr kritika të ashpra

Periskopi.com Sporti

Pas barazimit 3:3 ndaj Zvicrës, kritikat ndaj kombëtares gjermane dhe trajnerit të saj, Joakim Lëv, janë rikthyer përsëri. Lotar Mateus, ish-lojtari i “Pancerave”, u shpreh për “Sky” se ajo që nuk i pëlqeu në ndeshjen e fundit ka qenë ndryshimi në rreshtim i mbrojtjes: “Unë thashë para ndeshjes që ekipi ndihet më mirë me tre mbrojtës.

Jogi dëshironte të provonte përsëri diçka të re. Kjo duhet të marrë fund tani. Gësens, i cili luan me tre mbrojtës edhe te skuadra e Atalantës, ishte mbingarkuar plotësisht me skemën e re, përballë Klostermanit i cili veproi si një student manastiresh. Për më tepër, të gjithë mbrojtësit në çdo moment u dukën ‘të mbingarkuar’.

Hapësira midis Ginterit dhe Rydigerit ishte gjithashtu shumë e madhe edhe në qendër”, tha Mateus. Bastian Shvainshtaiger gjithashtu sheh një deficit të madh në mbrojtje. “Ekipi ishte gjithmonë prapa, por ata gjithashtu treguan karakterin e tyre dhe në fund mund të them se barazimi ishte rezultati i drejtë. Skuadra ka një problem të madh, ai është kalimi në mbrojtje, – tha ish-lojtari dhe njëkohësisht eksperti në televizionin gjerman “ARD”. – Shumë gola të pësuar kohët e fundit ishin shumë për një kombëtare si ne dhe patjetër duhet të punosh për këtë në mënyrë që të kesh një shans në Kampionatin Europian. Lëv duhet të gjejë një linjë mbrojtjeje për të cilën dikush është i bindur dhe për të cilën e di kush mund të bëjë liderin. Duhet dikush që e merr skuadrën për dore”.

Gjermania ka fituar vetëm një ndeshje në 4 të luajtura në Ligën e Kombeve duke barazuar tri, ndaj Zvicrës dy herë dhe ndaj Spanjës në shtëpi. Fitorja e vetëm erdhi në ndeshjen e fundjavës së shkuar në Ukrainë me rezultatin 2-1. Gjithsesi, Lëv tha se skuadra do të jetë gati për Kampionatin Europian që do të luhet verën e ardhshme.