Anulohet stinori në EuroLeague dhe EuroCup

Periskopi.com Sporti

Stinori 2019/20 i Euroligës dhe Eurocupit në basketboll nuk do të përfundohet. Krerët e ligës i kanë dhënë fund stinorit pas një takimi me aksionarët e 11 klubeve të licencuara: Real Madrid, Barcelona, Baskonia, Panathinaikos, Olympiacos, Fenerbahçe, Efes, CSKA Moska, Maccabi, Armani Milano dhe Zalgiris Kaunas.

Presidenti i Euroligës, Jordi Bertomeu, ka propozuar anulimin dhe klubet janë pajtuar pa pasur nevojë të votohet.

“Pasi kemi eksploruar çdo opsion, Bordi Ekzekutiv ka marrë vendim të anulojë stinorin 2019-20 të EuroLeague dhe EuroCup”, është njoftuar nga organizatori.

Edicioni 2020/21 do të fillojë më 1 tetor përkatësisht 30 shtator.

“Padyshim ishte një nga vendimet më të vështira që kemi marrë në historinë tonë 20-vjeçare”, ka thënë Bertomeu. “Por, për shkak të arsyeve që ishin jashtë kontrollit tonë, ne jemi detyruar të anulojmë stinorin më interesant dhe të suksesshëm në histori të basketbollit evropian”.

Dy nivelet më të larta të basketbollit në Evropë janë pezulluar në mesin e marsit shkaku i koronavirusit.