RTV Dukagjini feston shikueshmërinë e lartë që pati gjatë debateve politike këtë muaj

Periskopi.com Lajme

RTV Dukagjini tashmë është shndërruar në një prej kanaleve televizive më të preferuara në vend.

Më shumë se sa për informim e argëtim, interes jashtëzakonisht i madh duket se tregohet edhe për politikën në vend, aq më tepër tani që na ndajnë vetëm një ditë nga dita e votimit në zgjedhjet e parakoshme të 6 tetorit 2019.

Përgjatë gjithë muajit, ekipi i televizionit RTV Dukagjini kanë ofruar për shikuesit mbulim perfekt ngjarjesh nga zgjedhjet dhe fushata elektorale.

Stafi i këtij televizioni, kanë vendosur që në ditën e heshtjeve zgjedhore, të festojnë për suksesin e shënuar gjatë këtij muaji, falë punës së tyre të palodhur.

Me prezencën e gazetarëve, drejtuesve të emisioneve e kameramanëve, RTV Dukagjini kremtuan së bashku me një tortë, ku shkruhej: “23 mijë, kampionët e Zgjedhjeve”.

Shifra 23 mijë i referohej, rekordit që televizioni shënoi në një nga netët e debateve televizive, ku në emisionin “Debat +”, i ftuar ishte lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me një masë prej 23 mijë njerëzve që e ndoqën atë në transmetim direkt.

Por kjo nuk ishte nata e vetme që RTV Dukagjini u shqua për shikueshmëri të lartë, pasi debatet politike dhe përcjellja në terren e fushatës elektorale, shoqëruan shikuesit përgjatë gjithë këtyre javëve – me çka interesi për t ndjekur këtë kanal televiziv ishte vërtet i madh.

Po i njëjti televizion, ka përgatitur një punë të mrekullueshme me një ekip të përzgjedhur si në terren ashtu edhe studio televizive, për të mbuluar sa më mirë procesin e votimit dhe rezultatet në ditën së zgjedhjeve, në datën e nesërme, e diel 6 tetor 2019.