Pasardhësi i Agim Veliut për Periskopin: Bulliqi i VV-së duhet të ofrojë fakte e argumente

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e VV-së, Shpejtim Bulliqi, ka akuzuar mbrëmë se LDK-ja në Podujevë po e dezinformon opinionin kundër LVV-së.

Me theks të veçantë, Bulliqi ka përmendur djemtë e ish kryetarit, tash ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu, duke thënë se të njejtit’ jane duke u shfrenuar me shpifje ndaj LVV-së’.

E për këtë deklaratë të Shpejtim Bulliqit ka reaguar kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, shkruan Periskopi.

Ai në një prononcim për Periskopin ka thënë se kjo është fushatë dhe se sipas tij njerëzit bëjnë propagandë për të krijuar terren të favorshëm politik.

“Tash kjo është fushatë dhe njerëzit bëjnë propagandë, tash ai mundohet me kriju terren të favorshëm politik për vete duke i akuzuar të tjerët me tërhjekë vëmendjen prej vetës, por kjo është çështje që e ka zgjedh ai, çështje e tij si shpreh se çfarë shkruan në Facebook personal është çështje e tij”, ka thënë ai për Periskopin.

Tutje, Rudari ka thënë se para se të lëshohen në akuza, ato duhet të vërtetohen e argumentohen.

“Do të ishte mirë që ai, unë dhe të tjerët atë që e themi me pasë mundësi edhe me dëshmu e argumentu”, u shpreh ai.

Nexhmi Rudari do të ballafaqohesh në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë me Shpejtim Bullqin nga Vetëvendosje dhe me Naim Fetahun nga PDK-ja.

Kujtojmë që zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë do të mbahen pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e kryetarit i cili u angazhua si ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratën Publike.

Zgjedhjet në Podujevë do të mbahen me 15 mars 2020./Periskopi/