Osmani keqinformohet nga Sadiku, Infektiva ka qenë e furnizuar me serum kundër gjarpërinjve

Periskopi.com Lajme

Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani, duket se është keqinformuar nga anëtari i partisë së saj infektologu Izet Sadiku.

Sadiku është specialist në Klinikën Infektive në QKUK ku trajtohen pacientët e kafshuar nga gjarpërinjtë helmues. Duket se ai e ka keqinformuar Osmanin se në këtë klinikë ka pasur mungesë të serumit, medikament ky që përdoret kundër helmit të gjarpërit, shkruan Gazeta Shneta.

Të paktën kështu ka deklaruar Osmani gjatë debatit në T7. “Paramendoni në QKUK s’ka pas serum gjatë gjithë verës dhe qytetarët kanë qenë të rrezikuar nga kafshimi i gjarpërinjve”, ka thënë Osmani.

Në fakt ajo ka mundur të keqinformohet nga grupi i ekspertëve të shëndetësisë në LDK ku bën pjesë edhe ish-zëvendësministri i shëndetësisë Izet Sadiku. Kjo për faktin se në Klinikën Infektive ka pasur serum. Të paktën kështu pati deklaruar ish-drejtori i kësaj klinike Dr. Hamdi Ramadani në një prononcim për Gazetën gjatë muajve të verës.