Paçarizi: LDK sakrifikoi me kandidaturën e Osmanit

Periskopi.com Lajme

Sipas opinionistit Rrahman Paçarizi, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte sakrifikuar shumë kur doli me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre, për zgjedhjet e 6 tetorit.

Në Rubikon, në debatin për procesin zgjedhor, Paçarizi ka thënë se para analizave të thella për rezultatet e zgjedhjeve, LDK-ja e ka hall të sqarojë se si doli e dyta, edhe pse në sondazhe ishte e para.

Sipas tij, tentimet për arritjen e koalicionit parazgjedhor mes VV-së e LDK-së, që në zgjedhjet e 6 tetorit dolën të parat me VV-në që prin me më pak se një për qind para LDK-së, ishin të pasinqerta.

“Të dy partitë e pretenduan pozitën e kryeministrit. LDK-ja bëri një hap përpara për ta pamundësuar koalicionin parazgjedhor duke nominuar Vjosa Osmanin për kryeministre e Albin Kurti i ishte kundërpërgjigjur me një ftesë jo krejt të sinqertë që Osmani t’i prijë listës. Ishte e pasinqertë sepse erdhi kur LDK-ja s’mund ta shkarkonte Osmanin nga nominimi dhe t’i përgjigjej VV-së. LDK-ja bëri hap për ta pamundësuar koalicionin e VV-ja iu përgjigj me ftesë popullore që duket se bëri punë e tash kemi situatën kur VV-ja është përpara me vota e LDK-ja ka nevojë edhe për pak kohë të sqarojë çështjet me vetveten se përse s’i fitoi zgjedhjet. LDK-së i duhet kohë për të sqaruar me vetveten se ku është fajtori që s’ka fituar, sepse të gjitha sondazhet e kanë nxjerrë me 3-5 për qind para VV-së”, ka thënë ai.

“LDK duhet të sqarojë një gjë që është shumë e thjeshtë në esencë. Janë bërë shumë sakrifica në LDK për ta siguruar këtë unitet i cili u përfaqësua përmes Vjosa Osmanit dhe me krejt ato sakrifica doli parti e dytë jo e parë. Këtë e ka hall ta sqarojë e pastaj duhet të dalë në analiza më të thella, që sigurisht duhet t’i bëjë secila parti”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij, do të ishte e pasinqertë edhe nëse tash partitë ndërrojnë mendje se cili kandidat ka më shumë vota të jetë kryeministër, e jo siç ishin deklaruar më herët se cila parti fiton ajo do ta udhëheqë qeverinë.

 

Kosova mund ta tërheqë kandidaturën për anëtarësim në Interpol

Periskopi.com Lajme

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha ka thënë se pavarësisht se është bërë aplikimi për Interpol, Kosova mund të tërhiqet nga votimi nëse s’ka mbështetje nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

Berisha ka thënë se herën e fundit aplikimi i Kosovës në Interpol u politizua shumë nga Serbia me ç’rast Kosova nuk arriti të anëtarësohet në këtë organizatë të sigurisë.

Zëvendësministri i Punëve të jashtme në Qeverinë e Kosovës ka thënë se do të kërkojë nga BE që Serbia ta respektojë marrëveshjen që kanë bërë në Bruksel për mos pengimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Në BE do të kemi një strukturë të re pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian. Këto institucione do të konsolidohen në tetor dhe ndoshta nuk do të kenë shumë kohë për t’i bërë presion Serbinë për këtë çështje, por ne do ta vlerësojmë situatën”, tha ai në RTV Dukagjini.

“Unë nuk jam për ta sfiduar Kosovën edhe njëherë në këtë proces nëse nuk arrijmë me partnerët tonë ndërkombëtarë të krijojmë një atmosferë pozitive e cila është shpresuese. Do ta shqyrtojmë nëse duhet të shkojmë në votim ose jo”.

Berisha thotë se anëtarësimi në Interpol parasegjithash është një proces teknik dhe sipas tij policia jonë i plotëson këto kritere teknike por ky kriter nuk mjafton, përcjell Telegrafi.

“Nën esencë procesi është politik dhe diplomatik. Vendimet nuk i marrin policitë shtetërore…Nëse ne nuk arrijmë të krijojmë nja ambient që jep gjasat për t’u anëtarësuar duhet ta shqyrtojmë procesin”.

Ai thotë se në situatën e fundit në Interpol votimi ka qenë pothuajse 50-50 dhe sipas tij Kosova duhet të shqyrtojë me kujdes si po shkon bashkëpunimi me aleatët.

“Nëse kalohet përsëri në rrafsh politik do të jetë një betejë e re që në duhet të shkojmë symbyllur dhe ta rishqyrtojmë këtë çështje”, tha Anton Berisha.