Operimi ia shuan karateistit Arifi ëndrrën për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

Periskopi.com Sporti

Karateisti Orges Arifi i është nënshtruar një operimi të rëndë të gjurit gjatë të mërkurës.

Lëndimi i pësuar në një kamp stërvitor në Mal të Zi ia pamundëson pjesëmarrjen në garat e radhës të vlefshme për kualifikim në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Karateisti kosovar nuk do të paraqitet për Shqipërinë në Kampionatin Evropian që mbahet pas dy javësh e po ashtu edhe garën kualifikuese në Paris, e cila mbahet në muajin maj. Rehabilitimi pas këtij operimi, siç tregon Arifi, do të zgjasë prej 6 deri në 8 muaj.

“Lëndimin e mora në një kamp në Mal të Zi gjatë një seance stërvitore. Rehabilitimi zgjat prej 6 deri në 8 muaj. Shumë shpejt do të filloj fazën rehabilituese te fizioterapeuti Ervin Meqikukiqi, dhe shpresoj që do të jem i gatshëm 100% për Kampionatin Botëror që mbahet në muajin nëntor të këtij viti në Dubai”, tha për gazetën karateisti Arifi, që garon në kategorinë deri në 60 kilogramë.

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” janë paraparë të mbahen nga data 24 korrik deri më 9 gusht në Japoni. Arifi thotë se ka qenë në formë të mirë dhe ka besuar se do të mund të arrinte suksese të mëdha me Shqipërinë në garat ndërkombëtare të vlefshme për pikë olimpike.

“Këtë lëndim e kam pësuar në një kohë shumë të keqe për shkak se jemi në prag të Kampionatit Evropian që mbahet pas dy javësh. Gjithashtu do ta humb garën kualifikuese për Lojërat Olimpike që mbahen në Paris në muajin maj. Me bindje të plotë e them që isha pretenduesi kryesor për Shqipërinë për të marrë rezultate pozitive si në Evropian ashtu edhe në turneun e Parisit, duke marrë parasysh formën e mirë që kam pasur këtë vit, ku edhe fitova medalje në Premier Leaguen e Dubait, e cila ishte edhe gara e nivelit më të lartë botëror”, tha Arifi…

Karateisti kosovar i gatshëm për lojërat evropiane Minsk 2019

Periskopi.com Sporti

Kanë mbetur edhe më pak se një muaj deri tek fillimi i garave të dyta evropiane që këtë vit do të mbahen në Minsk.

Tashmë është bërë zyrtare edhe lista e sportistëve pjesëmarrës nga Kosova në këto gara.

Në mesin e sportistëve është edhe karateisti Alvin Karaqi, i cili po e ndjek normën Olimpike Tokio 2020.

Ai tashmë është duke vazhduar përgatitjet për tu paraqitur sa më mirë në këto gara.

Kujtojmë që Karaqi kishte marrë pjesë edhe në lojërat e para evropiane të cilat janë mbajtur në Baku dhe aty kishte përfunduar në vendin e katërt.

Karaqi është shprehur tejet i lumtur me ecurinë e përgatitjeve që është duke i zhvilluar së bashku me trajnerën e tij Shqipe Zogiani.

Ai potencoi se synimi kryesor i tij është që nga këto lojërat evropiane të rikthehet me medalje dhe se nuk i ka frikë asnjë kundërshtari në këto lojëra evropiane.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Tani jam në fazën përfundimtare. Tani më shumë punojmë me tempirat formën, me u marr me finesa. Përgatitjet ato intensive tanimë veç kanë nisur me u zbut dhe me u marr me gjëra të vogla, me u marr me taktikë, strategji pak teknikë dhe me ju përshtat tanimë garës dhe kundërshtarëve të cilët i kam atje. Duke e marrë parasysh se në klubin që do të ushtrojë në Francë janë rrit kampion bote, kampion Evrope unë vetëm besoj që ka me më bë mirë shumë për arsye se edhe kanë përvojë shumë të madhe, më njohin mua dhe i njohin kundërshtarët e mi kështu që ata vetëm e kanë përpiluar planprogramin atë 1 javor se çfarë do të punojnë me mua. Më shumë do të fokusohemi në kundërshtarët që i kam në Minks dhe me pak fat sepse stërvitjet nuk mungojnë unë duhet të kthehem me medalje”, tha Karaqi.

Ndërkaq trajnerja Shqipe Zogiani ndër tjerash tha se Alvini është duke i kryer në përpikëri përgatitjet për këto.

“Përgatitjet e Alvinit deri më tani kanë shkuar shumë mirë, falë zotit që nuk kemi pasu ndonjë lëndim të vogël, duke pas parasysh se para dy vite, Alvini e ka pasur një lëndim të madh dhe kemi pasur një shkëputje prej stërvitjeve deri sa e ka marrë vetën dhe është kthyer. Tani për tani Alvini është shumë mirë, faktikisht për ne stërvitjet nuk i kemi ndaluar asnjëherë duke pas parasysh vazhdimësinë e garave, që çdo dy javë ose çdo muaj kemi gara mirëpo prej momentit kur iu ka dhënë viza që Alvini të jetë pjesëmarrës  në lojërat e dyta evropiane që do të mbahen në Minsk është shtuar intensiteti i stërvitjeve kështu që për momentin është në formë të duhur kanë mbetur edhe disa ditë ku do të vazhdojmë stërvitjet deri në ditët e garave dhe shpresojmë që të dalim sa më mirë”, u shpreh Zogiani.

Kujtojmë që Karaqi dhe trajnerja e tij, Shqipe Zogiani nesër do të udhëtojnë për në Francë për të vazhduar përgatitjet, ku më pas do të kthehen në Maqedoni dhe në Greqi dhe në fund të muajit do të nisen për në Minsk të Bjellorusisë.

Kosova në lojërat evorpiane Minsk 2019 do të përfaqësohet me gjithsej 12 sportistë, dhe ekipi i Kosovës pritet të udhëtoj për në Minsk mes datave 18 – 20 Qershor.