Historiani deshifron thënien e famshme të Pjetër Arbnorit

Periskopi.com Lajme

Historiani Kastriot Dervishi ka komentuar përmes një postimi në “Facebook” shprehjen e njohur të Pjetër Arbnorit se “socialistët janë specialistë dhe jo socialistë”, në një kohë që ish-politikani u nderua me një bust në mjediset e Kuvendit.

E vërteta sipas Dervishit lidhet me një ndodhi në Bon të Gjermanisë në vitin 1992.

“Prej vitesh qarkullon një shprehje e vjetër e Pjetër Arbnorit se të majtët nuk ishin socialistë, por specialistë. E vërteta lidhet me një ndodhi në Bon, ish kryeqytetin e Gjermanisë në vitin 1992.

Një grup deputetësh të Kuvendit Popullor me në krye kryetarin Pjetër Arbnori ishin për vizitë në Bon. Pas disa ditësh qëndrim në hotel, erdhi radha e pagesës së hotelit. Në pagesë përfshihej edhe pagesa e televizorit të dhomës, gjë të cilën deputetët nuk e dinin. Gjatë kohës së qëndrimit në hotel deputetët, të uritur për të parë programe pornografike, kishin rritur orët e pagesës televizive.

Në çastin kur duhej bërë pagesa te sporteli i hotelit, Pjetër Arbnori mëson çfarë kishin bërë deputetët dhe lëshon batutën se këta ishin specialistë, duke i ftuar të kryenin pagesat sipas kërkesave të gjermanëve. Kjo batutë pastaj është zgjatur e interpretuar në vite për gjëra të ndryshme”,- shprehet Dervishi.