Nuk ia njeh aftësinë e kufizuar në punësim, Kastriot Makolli padit institucionin e shtetit

Periskopi.com Lajme

Kastriot Makolli është në mesin e 650 kandidatëve që kishin konkurruar për pozitën Zyrtar Ligjor në Gjykatën e Apelit, me ç’rast ishin pranuar vetëm 10 persona.

Makolli pretendon se në këtë konkurs, pos që u bënë shkelje ligjore, nuk u mor parasysh Ligji për Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, i cili përcakton që çdo institucion ta ketë të punësuar të paktën një person me aftësi të kufizuara.

Ai është ankuar në Komisionin e Ankesave brenda Apelit dhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, por ankesa e tij u refuzua me arsyetimin se nuk ka mundur ta dëshmojë aftësinë e kufizuar.


Por, Makolli, në Gjykatën e Apelit, ka qenë praktikant për një vit.

Kundër vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës ka parashtruar padi në Gjykatën Themelore, derisa paralajmëron edhe kallëzim penal në Prokurori.

Megjithatë, në Gjykatën e Apelit i kanë mohuar pretendimet e Makollit.

Zëdhënësi Arbër Jashari thotë se, pas shqyrtimit të ankesave edhe nga këshilli, është vërtetuar se nuk ka pasur shkelje në këtë konkurs.

KTV-ja, lidhur me ankesën e Kastriot Makollit, e ka pyetur Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, por as pas një jave nuk ka marrë përgjigjeje.

Televizioni, në maj të këtij viti, kur edhe është mbajtur ky konkurs, pati raportuar se në mesin e të pranuarve ka edhe familjarë të zyrtarëve nga institucionet e drejtësisë, por të njëjtit kishin mohuar të kishin pasur ndikim.