Avokatët bëhen shkak për nxjerrje të rregullores së re për rendin shtëpiak nëpër Gjykata

Periskopi.com Lajme

Bojkotimi i seancave gjyqësore nga avokatët, ka bërë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës të nxjerr një rregullore të re të brendshme, ku do të përcaktohen rregullat sa i përket rendit shtëpiak dhe sjelljes së avokatëve në gjykata.

Kështu bëri të ditur në një intervistë për KosovaPress, kryetari i KGJK-së, Nehat Idrizi.

Ai u shpreh se rekomandimi i tyre, ku i ndalon avokatët të hynë në gjykata pa ftesa, nuk ka për qëllim kufizimin e tyre dhe lirinë e ushtrimit të punës së tyre.

Mirëpo, siç thotë Idrizi, qëllimi ka qenë që të pengohet komunikimi ndërmjet avokatëve dhe gjyqtarëve.

Ndërsa, sa i për ketë vendimit, ai tha se rekomandimi i KGJK-së është në Gjykatën Kushtetuese dhe janë duke e pritur vendimin final të saj.

Sipas tij, sido që të vendos kushtetuesja, ata do të respektojnë.

Kurse, bojkotin e avokatëve e cilëson të paarsyeshëm, pasi siç thotë Idrizi avokatët janë duke e keqinterpretuar qëllimisht rekomandimin e KGJK-së.

Ai po ashtu bëri të ditur se bojkoti i avokatëve ka paraqitur probleme tek rastet emergjente, sidomos tek paraburgimi.

Kurse, tha se disa nga avokatët por dhe shoqëria civile po i dalin në mbështetje atyre.

Idrizi tha se bojkot total nuk ka pasur, sipas tij, disa avokatë kanë shkuar në seanca gjyqësore./KosovaPress/