Mbahet kuvendi zgjedhor i Këshillit të Nxënësve

Periskopi.com Lajme

Këshilli Rinor Kosovar (KYC), sot në Amfiteatrin e objektit të ish-Rilindjes në Prishtinë duke filluar nga ora 09:30 do të mbajë kuvendin zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës me temën “Gjithëpërfshirja në Arsim”.

Kuvendi zgjedhor i Këshillit të Nxënësve është organizimi më i madh i Këshillit Rinor Kosovar, mbi bazën e të cilit definohet struktura më e madhe e nxënësve të Kosovës, Këshilli Drejtues i Nxënësve për vitin akademik 2019/2020.

Këshilli Rinor Kosovar është organizatë joqeveritare që vepron në tërë territorin e Kosovës, nën ombrellën e së cilës që nga viti 2005 është Këshilli i Nxënësve të Kosovës e cila është një strukturë nacionale që përfaqëson zërin e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme, në mënyrë që të mbrojë interesat e tyre dhe të bashkëpunojë me zyrtarët e shkollave, mësimdhënësit dhe prindërit për të ngritur cilësinë e arsimit në vend.

 

Këshilli i nxënësve të Kosovës thotë se nxënësit shpesh janë viktima të abuzimeve në shkollat ku mësojnë

Periskopi.com Lajme

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) përmes një deklarate për media dënon ashpër rastin e shfrytëzimit dhe keqtrajtimit të bashkëmoshatares së tyre 16-vjeçare në Drenas dhe kërkon ndërmarrjen e masave dënuese për autorët e këtij rasti.

“Ne si Këshill i Nxënësve të Kosovës – strukturë përfaqësuese e nxënësve të gjitha shkollave të mesme në Kosovë në bashkëpunim me Këshillin Rinor Kosovar (KYC), organizatën nën ombrellën e së cilës funksionojmë konsiderojmë që ngacmimi dhe shfrytëzimi seksual nga ana e mësimdhënësit dhe policit hetues duhet të dënohet, dhe drejtësia të vihet në vend. Jo rrallë herë nxënësit/et, janë viktima të dhunës qoftë fizike, psikike/emocionale dhe seksuale ushtruar kundrejt nesh nga hisedarë të ndryshëm në institucione ku presim të edukohemi dhe mbrohemi. Reagoni sot, sepse nesër mund të jetë shumë vonë!”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Ndryshe, Këshilli i Nxënëseve të Kosovës është strukturë përfaqësuesve e nxënësve brenda territorit të Republikës së Kosovës e themeluar në vitin 2005 nga Këshilli Rinor Kosovar- KYC organizatë jo qeveritare nën ombrellën e së cilës funksionon kjo strukturë./Periskopi

Këshilli i nxënësve: Mësimdhënësit ta dëshmojnë kërkesën për rritje pagash

Periskopi.com Lajme

Ka më shumë se një javë që nxënësit në shkollat e Kosovës nuk po mbajnë mësim për shkak të grevës së SBAShK-ut që erdhi si rezultat i pakënaqësisë së mësimdhënësve lidhur me koeficientin e pagave.

Derisa SBAShK-u po kërkon rritje të koeficientit të pagave për 30 përqind, nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës thonë se mësimdhënësit duhet të protestojnë edhe për kushtet jo të mira në shkolla.

Anëtari i KNK-së, Agon Rexhepi në një intervistë për KosovaPress, thotë se KNK nuk e përkrahë grevën. Sipas tyre, arsimi ka probleme më të mëdha se sa pagat e arsimtarëve, për të cilat duhet të protestohet.

“Një prej arsyeve pse nuk e kemi përkrahë grevën është se ne po mendojmë se ka tema që duhet të shtjellohen më fuqishëm, që ndoshta do të duhej të kishte grevë për kushtet që na mësojmë, ndoshta do të duhej të kishte grevë për sistemin në përgjithësi të arsimit, për të metat që i ka, se sa për paga, ama jo, nuk ka ndodhë që në shkollën tonë mësimdhënësit të protestojnë ose të mbajnë grevë në shenjë të kërkimit të përmirësimit të kushteve”, thotë Rexhepi.

Rexhepi po ashtu është shprehur skeptik nëse mësimdhënësit meritojnë rritje pagash. Sipas tij, fillimisht duhet të dëshmohet përmirësimi i cilësisë në arsim nga ana e tyre.

“Nuk e di sa e meritojnë, ndoshta po shprehem pak banal, por mund t’i shohim rezultatet e PISA-s, edhe mund ta shohim sa pak nxënës shkojnë me qejf në shkollë nëse flasim sinqerisht, edhe unë mendoj se aty ndikon mënyra se si mësimdhënësit i presin, si ligjërojnë dhe si e mbajnë një orë në përgjithësi. Greva i ka arsyet e veta që mbahet po në anën tjetër ndoshta nuk është momenti i duhur tash, ose thjesht nuk është mënyra e duhur për ta realizuar këtë, kur mund të mbajnë mësim dhe në anën tjetër të përdorin ndonjë ë apo kanal tjetër që në të njëjtën kohë edhe kërkojnë rritje të pagave dhe e dëshmojnë me punë që e meritojnë rritjen e pagave”, deklaron Rexhepi.

Ndërkaq, lidhur me orët e humbura, SBAShK-u ka bërë me dije se nuk do t’i zëvendësojnë, por një gjë të tillë do e bëjnë vetëm nëse duan mësimdhënësit.

E sipas Rexhepit, kjo do t’i dëmtojë më së shumti maturantët, të cilët e përfundojnë mësimin më herët për shkak të testit shtetëror të maturës.

“Ani pse është diskutuar për zëvendësimin e orëve, ne mendojmë që nuk e kanë efektin e njëjtë dhe shumica e atyre orëve plotësuese ose zëvendësuese neglizhohen prej nxënësve, edhe tek e fundit i dëmton vetë nxënësit, veçanërisht maturantët, domethënë është veçse fundi i vitit shkollor edhe ata duhet të fillojnë të përgatiten për testin e maturës ose testet e brendshme edhe mungesa e çdo ore veçse do t’i penalizojë ata”, thotë Rexhepi.

Sipas reagimit të këtij këshilli, kjo grevë po iu mohon të drejtën për arsim,  dhe si e tillë kanë kërkuar që të ndërpritet.

KosovaPress ka kontaktuar Ymer Ymerin nga SBASHK-u për ta pyetur nëse greva do të vazhdojë edhe në javën e dytë.

Ymeri ka konfirmuar që nuk janë tërhequr nga greva dhe njëherësh ka paralajmëruar edhe protesta nga SBAShK-u, nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen brenda javës së dytë.

 

Këshilli i Nxënësve kundër grevës, kërkon të mos ndërpritet mësimi

Periskopi.com Lajme

Këshilli i Nxënësve të Kosovës, përmes një reagimi dërguar mediave, ka bërë me dije se nuk e përkrahin grevën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës – SBASHK.

Ky Këshill, që është strukturë përfaqësuese e nxënësve të të gjitha shkollave të mesme në Kosovë, në bashkëpunim me Këshillin Rinor Kosovar- KYC organizatën nën ombrellën e së cilës funksionon, konsideron se pakënaqësitë e mësimdhënësve të tilla si rritja e pagave, sado mund të jenë kërkesa legjitime, do të duhej të adresoheshin përmes metodave të tjera që nuk do të pengonin mbarëvajtjen mësimore, nga i cili fakt, thotë ky Këshill, nxënësit e pësojnë më së shumti.

“Edhe pse mirë e menduar, praktika tregon që zëvendësimi i orëve mësimore në shumicën e rasteve nuk e ka efektin e njëjtë si procesi i rregullt mësimor, orët shtesë shpesh edhe neglizhohen”, thotë KNK.

Këshilli më tej thotë se konsideruar legjislacionin në fuqi, specifikisht LIGJI Nr. 03/L-200 PËR GREVË, Neni 9, Pika 2 thotë “Grevat nuk mund të deklarohen para së të jenë shterur/përdorur më parë procedurat e pajtimit dhe ndërmjetësimit, sipas ligjit për ndërmjetësimin dhe me kusht që këto procedura të jenë të përshtatshme, të paanshme, të shpejta si dhe që palët të kenë mundësinë e pjesëmarrjes në çdo fazë” plotësuar me LIGJIn NR. 04/L-119 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 03/L-200 PËR GREVAT, Neni 5.

Andaj, KNK duke besuar në të drejtën e mësimdhënësve për grevë, po të njëjtëve u rekomandon të shterin fillimisht çdo kanal tjetër para se të dëmtojnë dhe të drejtën e nxënësve për arsim.

“Greva duhet të ndërpritet”, thotë KNK.

Këshilli fton institucionet kompetente, veçanërisht Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të bashkëpunojnë për një zgjidhje efikase dhe të përshtatshme për të gjithë. /Periskopi