Të ndërhysh në Këshillin e Cilësisë është si të ndërhysh në punën e gjykatave

Periskopi.com Lajme

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci ka deklaruar se mosakreditimi i tri universiteteve publike dhe disa kolegjeve për një vit, është mesazh për të gjitha institucionet e arsimit të lartë se vërtetë duhet të fillojë t’i përmbushin standardet e cilësisë, derisa ka shtuar se disa nga politikanët kanë interesa biznesore në këto institucione arsimore, e të cilët kanë ushtruar presion tërë këto vite që akreditimet të bëhen ashtu siç janë bërë.

Popovci duke komentuar vendimin e Këshillit të Cilësisë, ka thënë se nuk është befasuar pasi ka qenë një numër i konsiderueshëm i institucioneve te arsimit të lartë kanë probleme me përmbushjen e standardeve të caktuar.

Ai tha se në Këshillin e Cilësisë ka nis një vendimmarrje e pavarur dhe morri vendimin për mosakreditimin e tri universitete publike dhe disa kolegje.

“Konsideroj se ky vendim bazohet në mendimet e dhëna nga ekspertët, tani po e kuptojmë se nuk paskan qenë ekspertët e njëjtë në të gjitha institucionet përkundër asaj që u mendua në fillim, pra kjo ia shton krebilitetin të vendimeve sepse nuk mund të flitet për anshmëri të dy apo tre personave, por flitet për kritere më stërkit të cilat ka kohë që janë përcaktuar dhe tani këto institucione e kanë një vit që t’i adresojnë vërejtjet, pastaj vjen akreditimi i dytë dhe nëse ndodhë që edhe një herë ato të mos akreditohen, atëherë sipas ligjit ato duhet të mbyllen “, ka thënë ai.

Ai në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se institucioneve të paakredituara iu është refuzuar akreditimi për një vit, që do të thotë se studentët ekzistues mund të vazhdojnë studimet por ato institucione nuk mund të regjistrojnë student brenda këtij viti

“Ky është një mesazh për të gjitha institucionet e arsimit të lartë se vërtetë duhet të fillojë t’i përmbushin standardet e cilësisë edhe në ato fusha ku konsiderojnë që e kanë të vështirë ta bëjnë një gjë të tillë sepse jemi pjesë e një hapësire evropiane të arsimit të lartë dhe Kosova nuk mund përjetësisht të veçohet nga të tjerët“, tha ai, derisa flet edhe për anëtarët e Këshillit të cilësisë.

“Po për asnjërin nuk mendoj ë është mafioz, domethënë asnjëri nuk ka një biografi të tillë të mund të etiketohet si mafiozë. Tani nga janë të orientuar politikisht unë nuk e di, por nuk shoh që ndonjëri prej tyre ka interesa biznesore në ndonjërin prej institucioneve private ose publike siç sugjerohet. Nga ana tjerët ne në politikë kemi njerëz që kanë interesa biznesore e të cilët kanë ushtruar presion tërë këto vite që akreditimet të bëhen ashtu siç janë bërë“, tha ai.

Popovci duke komentuar deklaratat e ministrit të Arsimit, Shyqeri Bytyqi për anëtarët e Këshillit, ka thënë se nuk sheh që ka konflikt interesi, por nëse ka ekziston rruga juridike.

“Këshillit Shtetëror i Cilësisë është organ i pavarur, domethënë aty nuk duhet të ndërhyjë as ministria, as Qeveria, as Kuvendi sepse ai organ është zgjedhur për të marrë vendime në mënyrë të pavarur nga ndikimet politike dhe normalisht çdo shtet ka politika arsimore dhe në kuadër të këtyre politikave do të pritej që ministria t’i ndihmojë universiteteve që të arrijnë standardet, respektivisht para se të vije procesi i akreditimit institucional, të kontrollojë a i plotësojnë të gjitha kushtet, a kanë nevojë për ndonjë ndihmë shtesë, kur të merret vendimi atëherë është e kotë, të ndërhysh në punët e një organi të pavarur është si të ndërhysh në punën e gjykatave tash”, tha ai.

Sipas tij, një ndërhyrje në vitin 2017, ka kushtuar me përjashtim nga EQAR-i dhe me degradim të statusit të Agjencisë në ENKA, nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën vëzhgim dhe është në proces të vlerësimit.

Ai ka shtuar se ENKA e ka sjellë një raport preliminar, pa rekomandim, ku ka edhe pika kritike ka edhe lëvdata për këto veprime dhe në shtator ENCA do ta merr vendim nëse Agjencia e Akreditimit do të jetë edhe më tutje anëtare e ENCA-s, derisa beson që çdo ndërhyrje politike që e cenon pavarësinë e Agjencisë do të rezultojë me marrjen e vendimit për përjashtim nga ENKA, dhe kjo faktikisht sjell izolimin e arsimit të lartë të Kosovës nga arsimi i lartë në Evropë.

Kurse, pati disa kritika edhe për testin e diturisë.

“Aty ka pas jashtëzakonisht shumë gabime dhe kanë qenë pyetje të cilat ndonjëherë i kanë pas nga dy tri përgjigje të sakta, ndonjëherë nuk e kanë pas asnjë përgjigje të saktë, pra nuk ka pas përgatitje të duhura dhe kjo e ka kompromituar këtë proces dhe në fund nuk ka dal një test i njohurisë por ka dal një test sa për të treguar se ekziston një institucion i cili quhet koordinator për arsim, kulturë e ku ta di unë dhe se ai institucion punon diçka nëpër shkolla, pra thjesht nuk e shoh dobinë e atij testi“, tha ai.

Popovci ka thënë se nuk është bërë ndonjë analizë e thellë e tregut të punës, për t’i orientuar pastaj studentët por rreth një e treta e rreth 120 mijë studentëve studiojnë juridikun dhe ekonomikun.

Pagat e arsimit në Kosovë, sipas tij, janë më të larta në rajon dhe vendi jonë nuk e ka mundësin për këso pagash, pasi mbi 85 përqind e buxhetit për arsim parauniversitar shkon për paga të mësimdhënësve dhe çka mbetet për shkolla. Ngritja e pagave, sipas tij, nuk ndikoi në ngritjen e cilësisë pasi nuk është ndërlidh me asnjë lloj kërkese për përgjegjësi shtesë.

Gjinovci ironizon me Haradinajn: Kujdes, këta janë mafia e arsimit të lartë

Periskopi.com Lajme

Drejtori i ORCA’s, Rron Gjinovci, ka ironizuar me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i quajti anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë si ‘mafiozë e mercenarë’.

Gjinovci ka renditur listën prej shtatë anëtarësh të këtij Këshilli ku shkruan:

“Kujdes! – këta janë mafia e arsimit të lartë:

Dr. Gazmend Luboteni – profesor 
Dr. Vjollca Krasniqi – profesor 
Dr. Dukagjin Zeka – profesor 
Dr. Arta Jakupi – profesor 
Dr. Herbert Amato – profesor (ShBA)
Dr. Magdalena Ziolo – profesor (BE)
Msc. Jeffery Butel – profesor (BE)

e Ramush Haradinaj anti-mafioz”

Kryeministri Ramush Haradinaj, në një konferencë për media nga kryeministria, ka goditur edhe një herë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke i quajtur si mercenarë, të cilët në mënyrë kriminale thotë se po tentojnë për të mbyllë universitetet shtetërore në emër të cilësisë, për t’i quar në universitete private.

“Ky është një lloj krimi, kur dikush ka arrogancë me iu thanë krejt këtyre fëmijëve. Ndoshta kanë edhe dallavere me universitetet private, dhe në emër të cilësisë i mbyllin këto universitetet, për me shkue tek privatët.  Nuk mundesh me i lanë fëmijët. Në këtë Kosovë nuk punohet kështu. Nuk jemi krejt mercenar në këtë vend. Na dhemb çka ndodhë në këtë vend”, ka thënë Haradinaj./Periskopi/

 

‘Haradinaj i kishte bërë dëm të pa riparueshëm arsimit, tash po sulmon KShC-në për të fituar vota’

Periskopi.com Lajme

Reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e Universiteteve publike në Pejë, Prizren e Mitrovicë, po shihet i pa tolerueshëm dhe vetëm si ‘kalkulim për vota’ nga deputetë si dhe nga Komisioni për Arsim Shkencë dhe Kulturë në Kuvendin e Kosovës, shkruan Periskopi…

Ismail Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim Shkencë dhe Kulturë, thotë se një ndërhyrje e tillë e Haradinajt, është e papranueshme sepse Këshilli Shtetëror i Cilësisë është organ i pavarur.

“As kryeministri as kryetari i komisionit, as kurrkush nuk do të duhej të ndërhynte në vendimet institucionet e pavarura derisa ato të jenë, janë ndërmarrë bazuar në ligj në rregullore dhe në udhëzime administrative, nëse vendimet nuk janë në përputhje me infrastrukturën ekzistues ligjore atë herë në radhë të parë duhet të ndërhyjë gjyqësia, po ndërhyrje mund të këtë nga të gjitha anët”, ka thënë Kurteshi për Periskopin.

Kurteshi ka thënë se kushdo që ndërhyn më institucionet e pavarura, gabon dhe cenon pavarësinë e atij institucioni.

“Nëse ndërhyhet në vendimet e institucioneve ta pavarura atëherë nuk e di pse ekzistojnë ato, kështu që si kryetar i komisionit, nëse janë vendimet të bazuara në ligj rregullore për mu është çdo gjë në rregull dhe kushdo që ndërhyn në vendime të tilla gabon dhe prek në pavarësinë e institucioneve të pavarura”, ka thënë ai.

Ndërkohë deputeti Milaim Zeka, është ndër më të zëshmit që po reagon ndaj ndërhyrjes së kryeministrit në këtë rast.

Zeka tha se ndërhyrja e kryeministrit është e pakuptimtë dhe se po bëhet vetëm për të fituar votat.

“Ndërhyrja e kryeministrit është e pa tolerueshme dhe komplet e pakuptimtë, pse po bëhet kjo ndërhyrje nga ana e kryeministrit, vetëm për shkak të kalkulimit të votave, nuk po bëhet me mbrojt arsimin, po bëhet me kalkuluar  vota, se mësimdhënësit e këtyre tri universiteteve dhe studenteve me u bashkëngjitë në zërin e kryeministrit. Arsimi në Kosovë nuk rregullohet duke kalkuluar në vota por duke vepruar me ligjet evropiane për arsimin”, ka thënë Zeka për Periskopin.

“Kryeministri i ka ba një dam ta pariparueshëm Kosovës me vendimin e tij për t’i shkarkuar anëtarët Agjencisë së Akreditimit. Ai ka qenë një dam i pa riparueshëm sepse në Zyrën e Kryeministrit ka ardhë një matrapaz i cili kurrë nuk është dashtë me i dhanë licencë për kolegj, Avni Mazrekut me Kolegjin ISP, një mashtrues ordinerë, ku më vonë është konstatuar së njerëz, zyrtar të lartë të partisë së Nisma’s kanë qenë aksionar në këtë kolegj dhe për shkak se kanë qenë aksionar të këtij kolegji iu ka dhënë licenca, ani pse ai nuk e ka merituar kurrë”, ka thënë Zeka, duke shtuar se kjo ishte ndërhyrja e parë e kryeministrit Haradinaj në arsim.

Tutje, Zeka ka bërë apel që Agjencia për Akreditim të mos ndalet.

“Unë i bëj ftesë Agjencisë për akreditim që ta vazhdoj rrugën e vetë sepse shumicës dërmuese të kolegjeve dhe universiteteve duhet me ju hjekë akreditimi në qoftë se ndjekin ligjet evropiane”, ka thënë ai.

Ndryshe, sot përsëri kryeministri Haradinaj ka reaguar lidhur me vendimin e KShC’së duke i quajtur anëtarët e këtij bordi mercenar dhe mafioz./Periskopi/

Këto janë programet e studimeve që janë akredituar dhe ato që NUK janë akredituar

Periskopi.com Lajme

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), me datë 18 Qershor dhe 15 Korrik mbajti mbledhjet e saj nr. 73 dhe 74. Në kuadër të pikave të rendit të ditës u shqyrtuan Raportet Finale për nivelin Institucional dhe atë të Programeve të Studimit, të hartuara nga panelet e ekspertëve ndërkombëtar. Mbi këtë bazë KShC i AKA-së mori vendimet mbi akreditimin e IAL-ve dhe programeve të tyre të studimit.

KShC njofton opinionin publik dhe të gjitha palët se vendimet e marra janë rezultat i punës e cila është e bazuar në përgjegjësitë dhe kompetencat e tyre si organ i vetëm rregullatorë për cilësinë në arsimin e lartë, ashtu siç është e përcaktuar me Udhëzimin Administrativ 15/2018, udhëzim ky hartuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, së Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, KShC sqaron se IAL-të të cilat kanë marrë vendim negativ në vlerësim institucional mund të vazhdojnë punën e tyre me studentët aktual, mirëpo nuk mund të regjistrojnë student të rinj për vitin akademik 2019-2020.

Për të parë listën me vendime për akreditim apo mos akreditim të programeve të studimit, ju lutem klikoni këtu. Ju njoftojmë se pjesa e mbetur e programeve të studimit do të trajtohet në mbledhjet e ardhshme të KShC-së.

Këto lista nuk janë përfundimtare dhe mund të pësojnë ndryshime, varësisht nga rezultatet e procedurës së ankimimit që mund të zhvillohet në shkallë të dytë në Komisionin e Ankesave ndaj vendimeve të KSHC-së.