A është Ballkani i Suharekës i fortë sa Barcelona? 5 ekipe të Superligës së Kosovës me sulm më të mirë

Periskopi.com Sporti

Ballkani i Suharekës ka qenë ekipi surprizë i këtij edicioni në Superligën e Kosovës në futboll. Por, a është aq i mirë sa thuhet ekipi që drejtohet nga Ismet Munishi? 

Ballkani së fundi arriti vetëm një barazim të lodhët pa gola 0-0 ndaj Flamurtarit në kryeqytet. Suharekasit nuk fituan as në ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Drenicës.

Kjo formë e dobët duket se është arsyeja prapa kërkesës së klubit që sezoni të përfundonte për shkak të masave që luftonin Covid-19shin. Ata madje kishin bërë probleme edhe për testimet për këtë virus, duke kërkuar që të mos shkonin në Prizren – qyteti i madh më i afërt prej Suharekës – por t’i bënin në qytetin e tyre.

Megjithatë, tabela e Superligës flet shumë për këtë ekip. Ballkani ka shënuar këtë sezon 35 gola, megjithëse ka në ekip treshen premtuese me Jetmir Topallin, Blendi Baftiun dhe Arbër Hoxhën. Kjo e bën sulmin e shumëpërmendur të këtij ekipi vetëm të gjashtin më të fortë në Kosovë.

Sulmin më të mirë në ligë e kanë Prishtina dhe Gjilani (42 gola), të pasuara nga Feronikeli (41), Drita (40) dhe Llapi 36.

Në pesë ndeshjet e fundit madje (shih tabelën), ekipi suharekas ka arkëtuar vetëm 6 pikë. Ky rekord i zi e bën këtë klub të jetë në nivel me Ferizajin (po ashtu 6 pikë në pesë ndeshjet e fundit) që ka gjasa të vogla për mbijetesë.

Sidoqoftë, ekipi nga Suhareka mund të mburret për mbrojtjen efikase. Ballkani ka pësuar vetëm 15 gola në 24 ndeshje, aq sa ka pësuar edhe Prishtina e Armend Dallkut. /Periskopi