Avokatët bojkotojnë me vendim punën në institucionet e drejtësisë

Periskopi.com Uncategorized

Oda e Avokatëve të Kosovës dhe avokatët nesër do të hyjnë në bojkot të përgjithshëm, për të gjitha gjykatat, prokuroritë dhe policinë në tërë territorin e Kosovës. Vendim ky që pritet të vlejë deri në tërheqjen e urdhëresës dhe rekomandimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që u ndalon qasjen në objektet e institucioneve të drejtësisë.

Këshilli Drejtues i OAK-së, më datë 05.01.2019, në mënyrë unanime ka vlerësuar që Urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prizren e datës 08.08.2018 dhe rekomandimi i KGJK-së i datës 27.12.2018 paraqesin shkelje themelore të parimit të qasjes në drejtësi dhe si të tilla janë të papranueshme.

Këshilli Drejtues ka kërkuar që Urdhëresa dhe Rekomandimi të tërhiqen më së voni deri sot më datë 08.01.2019, por pasi KGJK-ja deri më tani nuk ka bërë tërheqjen e tyre, atëherë OAK ka vendosur për bojkot të përgjithshëm, duke thënë se mos-prezenca e avokatëve nuk do të ketë pasoja juridike për avokatët dhe palët.

Gjithçka kishte nisur në gusht të vitit të kaluar, kur kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha kishte urdhëruar sigurimin që të mos lejojë futjen e avokatëve e palëve pa ftesa ose leje gojore nga gjyqtari ose kryetari i gjykatës.

Një urdhër të tillë, Hoxha e kishte nxjerrë pas telasheve që i kishte sjellë një avokat. Pasi ishte vlerësuar se urdhri ishte në përputhshmëri me Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Gjykatave, Këshilli ua kishte rekomanduar edhe gjykatave të tjera.

Por, rasti i Prizrenit, sipas kryetarit të Odës së Avokatëve, Osman Havolli, nuk do të duhej të merrej si shkak për të përfshirë gjithë gjykatat e vendit. /Periskopi