Pasi Haskuka i dha pare klubit ku themelues ishte babai i tij, ja mrekullitë që i ndodhën këtij klubi

Periskopi.com Sporti

Kryetari i Prizrenit, z.Mytaher Haskuka ka reaguar ndaj artikullit të përgatitur nga Periskopi e në të cilin evidentohej se komuna që ai e drejton e kishte ndihmuar financiarisht klubin që ishte themeluar nga babai i tij, z.Daver Haskuka. Sidoqoftë, kryetari i Prizrenit nuk ka ofruar ndonjë fakt për pretendimin e tij se artikulli ynë ishte tendencioz.

Periskopi kishte parë se në Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare z.Daver Haskuka ishte themelues i klubit në fjalë, bashkë me z.Naim Dervishaj dhe z.Admir Rama. Dervishaj figuron në sistemin në fjalë edhe si drejtor i klubit. Por, emri i z.Haskuka në Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare nuk është vendosur nga Periskopi. Ky emër është vendosur nga përfaqësuesi i autorizuar i klubit.

Në pretendimet e z.Admir Rama dhe të KH Prizreni, thuhet se z.Haskuka nuk ka rol aktiv në këtë klub duke e mohuar në mënyrë indirekte se ai është themelues. Atëherë, pse figuron si i tillë? Periskopi nuk mund të përgatit artikuj në bazë të thashethemeve të caktuara por në bazë të të dhënave zyrtare në dispozicion.

Për më tepër, në reagimin e KH Prizrenit thuhet që z.Daver Haskuka ka shërbyer si kryetar i klubit për tri dekada me radhë, duke i përmendur edhe kontributin në donacione që ka dhënë përgjatë kësaj kohe.

“Z. Daver Haskuka ka vepruar si kryetar i klubit për tre dekada, posaqërisht duhet të ceket se në periudhën e okupimit nga pushteti serb në vitet 1991-99 i cili asnjëherë nuk e kurseu veten dhe ka qenë i vetmi donator i klubit, gjithashtu nën drejtimin e tij kemi arritur suksese të shumta gjerë tek majat e hendbollit kosovar.” – thuhet në reagim.

Në fakt, duke qenë se z.Haskuka ka qenë kryetar klubi për një periudhë kaq të gjatë kohore, kjo e bën edhe më shqetësues ndihmën e dhënë nga komuna që drejtohet nga djali i tij.

Çfarë ndodhi me përfitimet nga komuna?

Periskopi nuk ka pretenduar në asnjë rast se e njeh shumën e saktë të ndihmës financiare që Komuna e Prizrenit i ka dhënë klubit në fjalë.

Sidoqoftë, disa gjëra të tjera kishin ndodhur menjëherë pasi ky klub kishte marrë ndihmën financiare bashkë me 40 klube të tjera të qytetit.

Klubi i Hendbollit “Prizreni” i njohur më parë si “Lidhja e Prizrenit” vetëm tre muaj pasi mori ndihmën financiare nga komuna, në korrikun e 2019-s, i kishte transferuar tre futbollistë të rinj në klubin e saj.

Objektivi i këtij klubi që garonte në Ligën e Parë (kategoria e dytë e hendbollit kosovar) deklarohej se ishte që të rikthehej në Superligë.

Por, një gjë të tillë do ta arrinin vetëm pas një muaji dhe madje pa asnjë ndeshje të luajtur. Katër muaj pasi morën ndihmën nga Komuna e Prizrenit, ekipi me themelues z.Daver Haskuka do të merrte një shpërblim të jashtëzakonshëm nga fati.

KH Dukagjini në muajin korrik vendosi në mënyrë të çuditshme që të tërhiqej nga garat në Superligë për të garuar në Ligën e Parë. Merreni me mend, një klub vendos që vullnetarisht të zbres një rang më poshtë.

Se KH Dukagjini nuk është shuar e marrim vesh nga faqja e Federatës së Hendbollit ku tregohet se ky klub e ka vendin e katërt në Ligën e Parë.

Dhe, ishte pikërisht KH Prizreni klubi që mori të drejtën të futej në Superligën e Kosovës në hendboll në muajin gusht me arsyetimin se këtij klubi “i kishte garantuar pjesën financiare komuna”.

Aktualisht, ky klub është në vendin e tetë, nga dhjetë sa i ka Superliga, dhe rrezikon që sërish të bie në kategorinë e dytë të hendbollit kosovar. /Periskopi