Pas 20 viteve Çitaku takon gruan që u kujdes për të kur ishte alivanosur në luftë – Ia kishte dhënë unazën nga gishti

Periskopi.com Lajme

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka shpërndarë në rrjete sociale një histori të luftës kur punonte si përkthyese – raporton Periskopi.

Çitaku ka treguar se si në tetor të vitit 1998, bashkë me një grup gazetarësh të huaj ishte nisur për në malet e Kishnarekës, ku po strehoheshin mijëra banorë të fshatrave përreth.

Derisa po dëgjonte rrëfimet prekëse të tyre, ajo ishte alivanosur. E, për të ishte kujduar një grua siç e quan ajo – e re, e bukur dhe e zgjuar. Meqë s’kishte para me vete, Çitaku kujton se ia kishte dhënë asaj unazën që e kishte në gisht.

Çitaku tutje tregon se si më 2018, një vajzë i kishte shkruar në rrjete sociale dhe i kishte treguar se gruaja të cilës ajo ia kishte dhënë unazën po jetonte në Nekoc bashkë me familjen e saj dhe se ishte shëndosh e mirë.

Çitaku ka treguar se këto ditë është takuar sërish me Rifadijën – gruan që ia dha unazën gjatë kohës së luftës, si shenjë falënderimi për kujdesin ndaj saj.

Lexojeni të plotë rrëfimin e Çitakut në Facebook:

Kishnarekë 1998

Ka qenë ditë e ngrohtë tetori. Viti 1998.

Bashkë me Hazir Rekën dhe një grup gazetarësh të huaj ishim nisur për në malet e Kishnarekës. Kishte kohë që në malet e asaj zone po gjenin strehim mijëra banorë të fshatrave përreth.

Rruga deri në pjesën malore ku po strehoheshin fshatarët e zonës ishte më e gjatë dhe më e mundimshme se sa që pritëm. Më në fund, e gjetëm vendin ku po strehoheshin gra, të moshuar e fëmijë. Për sa të jem gjallë nuk do të harroj dhimbjen, varfërinë, vujtjet që më panë sytë atë ditë. Si përkthyese e re kisha shoqëruar gazetarët në zonat e luftimeve anë e kënd Kosovës. Kisha parë masakra e varre. Lufta na kishte rritur para kohe.

Por, të vdekurit nuk flasin.

E gratë e fëmijët që kishin gjetë strehë mes malit na flisnin. Dëgjuam rrëfimet e grave që nën breshëritë e plumbave dhe tanksave ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Kishin parë duke u djegur në flakë kujtimet dhe mundi i tyre jetësor. Shumë prej tyre kishin humbur më të dashurit. Po mbaheshin të fortë. Dhe çdo gjë ndanin me njëri tjetrin. Gjumin e bënin në mal të hapur.

Nuk e mbajë mend saktë se si ndodhi, por teksa po intervistonim një grua në moshë, e tronditur nga rrëfimi i saj dhe nga ajo që po shihja përreth më ra t’fikt.

Kur më erdhi vetëdija pas disa sekondash e pashë veten në prehër të një vajze të bukur e cila më flladiste ballin me një peshqir të bardhë si bora. Në mes të asaj skamje nuk e di se ku e kishin gjetë kafen dhe sheqerin, po kafe më sollën.

Kurrë në jetë nuk jam ndjerë më e turpëruar me veten. Ato vajza, moshatare të mija jetonin çdo ditë me atë realitet të rëndë, e unë nuk pata forcë të duroj një ditë, ndonse isha aty vetëm për disa orë, plus, paguhesha majëm për punën time. Sa turp.

Aq sa turpërohesha nga dobësia ime, po aq ndjehesha e skuqur nga kujdesi që bashkëmoshataret e mija aty në mes të malit po tregonin ndaj meje. Imagjinojeni, në vend se unë të isha e fortë e t’i inkurajoja ato, ato po me jepnin forcë e po kujdeseshin për mua. Posaqërisht njëra prej tyre. E re, e bukur, e zgjuar, asaj jeta nuk i kishte ofruar rrugë tjetër, pos asaj për në mal. Doja ta falenderoja disi për kujdesin ndaj meje. Para me vete nuk kisha, sepse ne që dilnim në teren gjatë luftës, na thonin të mos mbanim para me vete sepse do të na i merrte policia serbe nëpër postblloqe.

E nxorra unazën nga gishti dhe ia dhashë. Pasi mora pak veten, u përshëndetëm dhe u nisëm për në Prishtinë.

Washington 2018

Fundjavë Marsi në DC. Tek po kontrolloja mesazhet në rrjetet sociale, njëri më goditi në zemër. “ Përshëndetje Ambasadore, jam Filloreta dhe jetoj në Gjermani. Jam mbesa e nje shoqeje tane të luftës. A të kujtohet kjo unazë? Të lutem më shkruaj. “ Sytë mu mbushën me lot. Rifadija, shoqja ime e luftës ishte shëndosh e mirë. Ishte martuar dhe kishte tre fëmijë. Jetonte në Nekoc bashkë me familjen. Dukej po aq e mirë dhe e bukur si 20 vite më parë. Filloreta më tregoi se Rifadija gjatë tërë luftës kishte qenë në Kosovë. Unazën nuk e kishte hequr kurrë nga dora “ nëse e takoj Vlorën ndonjëhere, me këtë unazë ka me më njoftë “. Filloreta më tregoi se Rifadijes i ka ardhë keq të më kontaktojë, por ajo, kokë në vete, nga Gjermania kishte vendosur të na bënte bashkë sërish.

Nekoc Qershor 2019

E emocionuar si kurrë më parë, bashkë me Hazirin morrëm sërish rrugën që kishim bërë bashkë para 20 vitesh. Shtëpia e bukur rrëzë bjeshkës kishte hapur dyert për mua. Rifadija kishte mbetur po ajo. U përqafuam me mallëngjim. Prap më sollën kafen. Por kësaj radhe e piva bashkë me Rifadijen dhe familjen e sajë të mrekullueshme, në oborrin plot lule e plot dashuri.