20 vite nga lufta, 1647 persona ende të zhdukur

Periskopi.com Lajme

Kanë kaluar afër 20 vjet që nga konflikti i armatosur në Kosovë, por rreth 1647 familje janë ende duke pritur përgjigje për të dashurit e tyre që janë zhdukur në lidhje me ngjarjet e vitit 1998-1999 dhe pasojat e tyre. Për t’u ndihmuar atyre që të gjejnë prehje, delegacioni i Prishtinës dhe ai e Beogradit, sot, në seancën e dyzetetetë të Grupit Punues për Personat e Zhdukur në lidhje me ngjarjet në Kosovë, në Beograd, i miratuan Procedurat për Dorëzimin e Mbetjeve Mortore për ta lehtësuar procesin e të kuptuarit se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre.

Seanca u kryesua nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) në pjesëmarrje të familjarëve të të zhdukurve dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare.

Pasi i vlerësuan aktivitetet që janë zhvilluar që nga seanca e fundit, pjesëmarrësit i diskutuan hapat e ardhshëm që Prishtina dhe Beogradi duhet t’i ndërmarrin gjatë muajve të mbetur të vitit 2018, me shpresë që t’u mundësohet disa familjarëve që të marrin përgjigje për fatin e të dashurve të tyre të zhdukur.

Sot, pas 20 viteve, nga 6057 njerëz që KNKK-së i janë raportuar si persona të zhdukur në lidhje me konfliktin e armatosur në Kosovë dhe pasojat e tij, 1647 mbesin ende të zhdukur. Familjarët e tyre jetojnë në paqartësi duke mos ditur se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe duke mos qenë në gjendje t’i varrosin me dinjitet, që t’i shërojnë plagët dhe ta vazhdojnë jetën e tyre.

Kryesuesi i Grupit Punues, Fabien Bourdier nga KNKK-ja, tha: “Vetëm shtatë raste janë zgjidhur në vitin 2018. KNKK-ja është e brengosur për ritmin e ngadalshëm të përparimit në zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila duhet të trajtohet si krejtësisht humanitare. Në pritje të përgjigjeve për të dashurit e tyre të zhdukur, shumë njerëz, për fat të keq, kanë ndërruar jetë pa gjetur prehje. Ne shpresojmë se miratimi i Procedurave për Dorëzimin e Mbetjeve Mortore nga delegacioni i Beogradit dhe ai i Prishtinës do të dëshmohet i dobishëm për tërë procesin”.

Që nga themelimi i Grupit Punues në vitin 2004, KNKK-ja, si ndërmjetësuese neutrale, i ka hulumtuar arkivat kombëtare dhe ndërkombëtare në përpjekje për të marrë informata që do të çonin në lokacione të reja të varrezave, në mënyrë që të zbardhet fati i sa më shumë personave të zhdukur dhe që familjarëve t’u ndihmohet që t’i zgjidhin çështjet administrative dhe ligjore të tyre.

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, familjet kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre, ndërsa shtetet janë të obliguara që atyre t’u japin përgjigje dhe përkrahje.