Si e tradhtoi Haradinaj koalicionin që e bëri Kryeministër?

Periskopi.com Video

Editorial i Periskopit: Drama e pamoralshme politike e Haradinajt

Periskopi.com Op-Ed

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga detyra e kryeministrit nuk është as akt burrëror, as etik, por kryekëput politik. Është akt tërësisht i pabesë ndaj atyre që shkuan deri në vetëmohim politik për ta bërë kryeministër dhe për t’u bashkuar si krah i luftës në përballje me Gjykatën Speciale. Ai u përmbys vetë, sepse ishte ngufatur nga rezultatet e sjelljes së tij të papërgjegjshme, që e modeluan më shumë si të llastuar e tekanjoz, se racional dhe të maturuar.

Haradinaj nuk dha dorëheqje për një intervistim fjalëpakë në Hagë, sepse sigurisht që do mbrohet në heshtje – si shumë të tjerë që ndajnë fatin e njëjtë, por dha dorëheqje për të zhurmuar dhe për t’i prodhuar një palë zgjedhje të zhurmshme. I bindur se retorika populiste e ka rritur politikisht dhe ka arritur pikun e tij, ai sistematikisht ishte në kërkim të rrëzimit dhe kur askush nuk rrëshqiti në ngricën e tij, vendosi të rrokullisej i mbështjellë me një simbolikë speciale, që as militantët e verbër të tij nuk e kapërdijnë dot.

Ndonëse dha dorëheqje nga detyra e kryeministrit, ai në Hagë po shkon si kryeministër në largim dhe sapo të kthehet, deri në zgjedhjen e kreut të ri të ekzekutivit, sërish si i dyshuar dhe si kryeministër në largim pretendon të kërkojë votë qytetare për ta rimarrë detyrën. Sikur të ishte parimor, siç edhe u mundua ta shes dorëheqjen e tij, ai do ta nominonte dikë tjetër për kryeministër, ashtu qysh kishte vepruar edhe në marsin e 2005-ës, por këtë nuk e bëri. Prandaj, bashkëdyzimi i intervistimit si proces me dorëheqjen e tij si marifet politik kanë prodhuar jo vetëm një dramë të panevojshme, por edhe tërësisht të pamoralshme politike. Ndërsa, kjo bredhja kryeministrore me përpjekje vajtje-ardhjeje dhe paketim të tejdukshëm mashtrues, sigurisht se duhet të ketë edhe kosto elektorale për të!

Me kamikazllëkun politik, ai u prish me amerikanët. U prish edhe me gjermanët. Edhe me francezët. U izolua tërësisht nga ndërkombëtarët dhe nuk i mbeti më vend ku të kapej, përveçse në sajesat miope të populizmit përçudnues të tij. U prish edhe me partnerët e tij të koalicionit. Madje, edhe me PSD-në, që i luti të përfshiheshin në Ekipin Negociator, por i mashtroi dhe më pas vetë i bllokoi.

I mbërthyer me gjuhën e tij populiste: emotive, agresive dhe shpeshherë banale. I armatosur me një njëtrajtshmëri të thjeshtë politike, që vetëm moralizon, sulmon popullorqe dhe përvetëson, Haradinaj asnjëherë nuk diti t’i ruaj dhe respektoj as kundërpeshat politike përbrenda vetë institucioneve shtetërore. Ai në fund mbeti i shoqëruar vetëm me kupolën e tij, që përveç kalkulimeve financiare, i kalkuluan edhe dy thirrjet: juridiken e zakonshme të Gjykatës Speciale dhe politiken për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Me këtë formulë ai arriti ta materializoi një ftesë koti dhe t’i elektrizoi politikisht shumicën e qytetarëve.

Haradinaj me veprimet populiste edhe mund të jetë bymyer pak politikisht, por jo aq sa për të dalë përtej membranës së tij. Zgjedhjet e shumëdëshiruara mbase edhe do të mund t’ia shtonin ndonjë deputetë, por performanca kryeneçësisht e papërgjegjshme tashmë veçse e ka bërë si partner tërësisht të padëshiruar.

Papërgjegjësia e tij ka shkuar aq larg, saqë duke kërkuar shteg të favorshëm për pezullimin e taksës, pas presioneve direkte të atyre me emisarët e të cilëve flirtonte, në kërkim të një përvetësimi të ri e rihapi edhe paketën e mbyllur për liberalizimin e vizave, duke rinegociuar me kokëgdhe veçmas kërkesa politike të shteteve sipas tekeve të tyre. Pra, u mundua ta përvetësojë edhe procesin e liberalizimit të vizave, siç përvetësoi edhe procese që nuk kishte haber për to, sakaq që nga 2014-ta vazhdon të jetë bllokuesi më i madh i tij.

Me kuturisje për të shpikur kauza të rreme, që pesë vjet ai e ka bllokuar edhe progresin e vendit dhe procesin e integrimit euroatlantik. Por, më pas, po këto kauza që egërsisht i mbron, pas vjeljes politike, vetë i hedh në shportë dhe i tjetërson.

Haradinaj e humbi rrugën në oborrin e Qeverisë, sepse pafuqinë e tij politike me vetëm tri vota në kabinetin qeveritar, u mundua ta kompensoi me arrogancë politike. Ai në fund e gjeti veten të prishur me të gjithë dhe mbeti i pafuqishëm për ta pezulluar edhe taksën e shtrydhur tejmase politikisht prej tij, pezullimin e përkohshëm të së cilës, dyshojmë shumë që për shkak të qasjes joparimore të tij përbrenda partneritetit politik, më as vetë partnerët e koalicionit qeveritar nuk do ia votonin.

U kurthua në vendimet e tij dhe u gjunjëzua prej vetë atyre, sepse luante jo fer dhe lojërat e tilla nuk zgjasin shumë. Por, edhe pse nuk zgjasin shumë, pasojat e tyre bëhen edhe më të mëdha kur për të dalë ndërveprohet sërish njëjtë dhe hapet një lojë e re edhe më e madhe.

Haradinaj e kishte mundësinë e tij si kryeministër. Këtë mundësi nuk ia humbi thirrja për intervistim nga Gjykata Speciale, por egoja dhe oreksi i shfrenuar politik.

Lojërat politike nuk do ndalen, sepse secili ka fushën dhe lojtarët e tij, fer apo jo fer gjykon arbitri, por marrëdhëniet me SHBA-në, deri sot të pakontestueshme, nuk duhet lejuar që të vihen në lojë nga askush.

Ruajtja e marrëdhënieve me SHBA-në është interes nacional dhe strategjik, sepse mbijetesa e Republikës së Kosovës, sovraniteti dhe integriteti territorial, janë kryekëput të lidhura me përkrahjen amerikane./Periskopi/

Deputeti i PDK’së mohon krizën brenda koalicionit qeverisës

Periskopi.com Lajme

Pretendimet për jo stabilitet mes partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë i ka hedhur poshtë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Sipas tij, nuk ka asnjë krizë brenda partive në pushtet, sepse siç thotë përderisa po respektohet programi qeverisës nuk kanë asnjë problem mes veti. Për këtë arsye deputeti Krasniqi theksoi se zgjedhje të reja këtë vit nuk do të ketë.

Krasniqi në një intervistë për KosovaPress u shpreh se përderisa puna në Qeveri është duke vazhduar dhe se ata nuk kanë asnjë shkarje nga respektimi i marrëveshjes së koalicionit.

Ndërkaq akuzoi partitë opozitare se nuk kanë  guxim dhe harmonizim mes  tyre për hapat që duhet të ndërrmirren për të pretenduar me rrëzuar qeverinë Haradinaj.

“Në Kuvend kemi dakordim të plotë bashkë me shefat e grupeve parlamentare që janë pjesë e koalicionit. Ne kemi takime të rregullta dhe komunikim të vazhdueshëm dhe në këtë kuadër nuk ka asnjë lëvizje, apo as një ndryshim. Besoj e njëjta është duke ndodhur në qeverisje sepse iu po e shihni se puna është duke vazhduar. Ne kemi thënë dhe po e përsërisim dhe sot se për aq kohë sa respektohet programi i Qeverisë që është kontrata jonë e përbashkët që e ka mundësuar themelimin e kësaj qeverie dhe mbarëvajtjen e punës së saj, nuk duhet të ketë probleme. Deri tash nuk ka një shkarje nga respektimi i kësaj marrëveshje”, thotë Krasniqi.

Duke përmendur iniciativën e opozitës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë Haradinaj, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se një refren të tillë ka mbi 11 muaj që janë duke e dëgjuar, po pa asgjë konkrete.

“Asnjë ndryshim nuk e shoh sot për dallim prej 1 muaj ose 3 muajsh, nuk ka ndodhur asgjë të jashtëzakonshme as në skenën politike e as më pak brenda koalicionit qeverisës. Çështjet e deklarimeve të opozitës janë deklarime të tyre legjitime. Dhe këto deklarime shihet se ata nuk kanë asnjë dakordësi mes veti për hapat që duan me i ndërmarrë. Refreni për mocion tashmë është përafërsisht 11 mujor, po guxim për me ndërmarrë hapa të tilla ata nuk kanë sepse nuk dëshirojnë zgjedhje. Në fakt askush nuk dëshiron zgjedhje në Kosovë dhe kjo është një dëshmi që zgjedhje nuk do të ketë”, thotë Krasniqi për KosovaPress.

Ndërkaq, për qëndrimet e kolegëve të partive të tjera në pushtet, veçmas atyre të NISMA-s, Krasniqi u shpreh se ato nuk i shohin si ndonjë arsye për trajtim serioz të funksionimit të koalicionit të Qeverisë Haradinaj.

Ndryshe, ditëve të fundit është raportuar për krizë brenda koalicionit qeveritar, sidomos pas polemikave të zyrtarëve të AAK-së dhe atyre nga Nisma.

Ftohje të thella raportesh në koalicionin PAN – Limaj s’komunikon me Haradinajn

Periskopi.com Lajme

Kanë ndërprerë komunikimin partnerët politikë më të afërt si opozitarë gjatë mandatit të shkuar, e edhe si hisedarë në pushtet në dy vjetët e fundit. Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj nuk komunikojnë prej rreth dy muajsh.

Një burim i gazetës brenda kabinetit të kryeparlamentarit Kadri Veseli ka treguar të martën se arsyet formale të ftohjes në këtë shkallë të raporteve mes tyre e kanë burimin te mospajtimet rreth dialogut me Serbinë. Megjithëkëtë, ka thënë se më përcaktueset janë arsyet që lidhen me kontratat publike, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Pas Samitit të Berlinit, Limaj ka qenë pro pezullimit të tarifës ndaj importeve serbe, sepse e ka parë këtë si një shans për ta zhvilluar dialogun me Serbinë dhe besonte se procesi do të mbahej në kontroll nga ai, duke qenë bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror. Në diskutimet për këtë, Limaj është zemëruar pas disa etiketimesh që ia ka bërë Haradinaj”, ka thënë ky burim.

Pas taksës, koalicioni PAN në luftë meritash për autostradën ‘Arbën Xhaferi’

Periskopi.com Lajme

Një përplasje meritash për autostradën ‘Arbën Xhaferi’ ka dalë në pah mes partnerëve të koalicionit PAN, ngjashëm me atë që ndodhi me taksën – raporton Periskopi.

Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka paraqitur si sukses të qeverisjes së tij përfundimin e kësaj autostrade, inaugurimi i të cilës do të bëhet nesër.

Madje, publikimet nëpër rrjete sociale për këtë autostradë, Haradinaj i ka sponsorizuar për t’i bërë sa më virale.

Por, synime për t’i marrë meritat e autostradës ‘Arbën Xhaferi’ ka edhe partia tjetër e koalicionit PAN – PDK’ja.

Këtë publikisht e shprehi para pak çastesh nënkryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, i cili njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë Haradinaj.

Në një publikim në rrjetin social “Facebook”, Hoxhaj ka shkruar se kjo autostradë është një ide dhe vision i PDK’së që nga viti 2007, e që po kompletohet tek tani.

E pasi është siguruar që partia e tij t’i marrë meritat për autostradë, Hoxhaj ka shtuar edhe disa fjalë për rëndësinë strategjike të kësaj autostrade.

“Nesër do ta inaugurojmë autostradën “Arbën Xhaferi”, një ide dhe vision i PDK-së i projektuar më 2007, që po kompletohet tani. Kjo autostradë ka rëndësi strategjike sepse na afron me një vend fqinj që e kemi aleat dhe mbështetës, i afron popujt tanë dhe krijon mundësi zhvillimi dhe komunikimi edhe më intensiv”, ka shkruar Hoxhaj.

Nesër do ta inaugurojmë autostradën “Arbën Xhaferi”, një ide dhe vision i PDK-së i projektuar më 2007, që po kompletohet…

Posted by Enver Hoxhaj on Tuesday, 28 May 2019

Ngjashëm si për autostradën, Hoxhaj kishte vepruar edhe me taksën 100 për qind.

Me t’u marrë vendimi nga Qeveria, Hoxhaj doli publikisht e tha se taksa ishte ide ekskluzive e tij.

Por, Hoxhaj  mund të shquhet si një nga politikanët më të ‘dëgjueshëm’ ndaj ndërkombëtarëve.

Me të nisur reagimet kundër taksës nga ndërkombëtarët, ai edhe vetë doli kundër idesë së tij për taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Por, atëherë ishte shumë vonë. Kjo  pasi, kryeministri Haradinaj assesi s’po lejon të tërhiqet vendimi për taksën, të cilin e quan vendim sovran të Qeverisë së Kosovës, dhe si e tillë nuk duhet lejuar që Serbia ta kushtëzojë dialogun me të, ashtu siç s’ka bërë Kosova për vendimet e Qeverisë serbe./PERISKOPI

Abdixhiku: PAN’i shpërdori gati 200 milionë euro për një vit e gjysmë

Periskopi.com Lajme

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se për një vit e gjysmë qeverisja aktuale ka shpërdoruar afër 200 milionë euro.

Ai ia ka numëruar shpërdorimet e parave të Qeverisë Haradinaj, së fundmi me skandalet e punësimeve në Telekom.

Më poshtë gjeni postimin e Abdixhikut pa ndërhyrje:

Në Kosovën e PAN-it:

– 53 milionëve të Bechtelit;

– 52 milionëve të ujit;

– 49 milionëve të listave fallce;

– 16 milionëve të rezervës shtetërore;

– 10 milionëve të zv/ministrave me këshilltarë;

I shtohen edhe 14 milionë euro humbje të Telekomit vetëm sivjet. Punësimi familjar aty vazhdon.

Gati 200 milionë euro të shpërdoruara publikisht për një vit e gjysmë PAN. Sa shumë gjëra do të viheshin në binarë me kaq para.

Taksa, vendimi që po përçan koalicionin

Periskopi.com Lajme

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, nga partnerët e koalicionit qeverisës ishte vlerësuar fillimisht si vendim shumë i rëndësishëm.

Por, rritja e trysnisë ndërkombëtare për pezullimin e këtij vendimi që hyri në fuqi më 21 nëntor të vitit të kaluar, shënoi edhe pikën e nisjes së mosmarrëveshjeve mes kryeministrit Ramush Haradinaj në njërën anë dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe presidentit Hashim Thaçi, të cilët nuk ndajnë mendimin e njëjtë për taksën e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Derisa kreu i ekzekutivit insiston që taksa mos të hiqet, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, por edhe ish-kryetari i kësaj partie, tani president i Kosovës, Hashim Thaçi, janë të mendimit që taksa duhet të hiqet.

Këta të fundit ndërruan qëndrimin e tyre, pas presionit ndërkombëtar e sidomos kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që taksa të pezullohet dhe t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për qëndrimet e Qeverisë së Kosovës, ka folur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai tha se qeverisja Haradinaj duhet t’i ndryshojë qëndrimet edhe sjelljet e saj ndaj vendimeve që ka marrë dhe partnerëve ndërkombëtarë, e veçanërisht ndaj SHBA-së.

Mirëpo, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, tha se nuk ka përçarje ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. Deputetja Haxhiu tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi për taksën, është marrë në bashkëpunim me partnerët e koalicionit.

Përçarja e partnerëve të koalicionit qeverisës, sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, tregon se vendimi për vendosjen e taksës, nuk ishte mirë i menduar. Ai tha se vetë përçarja e koalicionit qeverisës në raport me taksën, dëshmon më së miri se nuk ka pasur plan ‘B’ dhe nuk ka pasur ndonjë ide se si duhet të vepruar nëse rritet presioni ndërkombëtar ndaj qeverisë kosovare për shkak të taksës.

Kadrijaj – Hotit: Ti s’ke punë tjetër veç me sha Qeverinë – Amerika e BE duhet t’i bëjnë trysni Serbisë

Artina Muçiqi Lajme

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj në një intervistë të shkurtër dhënë Periskopit ka folur për përplasjet në distancë mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt dhe presidentit Hashim Thaçit, raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çështjen e taksës dhe sulmet e vazhdueshme të opozitarëve për zhvatje të buxhetit për Qeverinë Haradinaj.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sërish e ka quajtur Qeverinë Haradinaj – Qeveri të vendimeve të mëdha.

Kjo deklaratë e saj në një intervistë për Periskopin erdhi si kundërpërgjigje për sulmet e djeshme që shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti ia bëri Qeverisë Haradinaj, teksa tha se Kosova në 11 vjet shtet “kurrë nuk ka pasur degradim më të madh institucional, se me këtë Qeveri”.

Kadrijaj i ka rekomanduar Hotit që para se ta shajë Qeverinë Haradinaj, të bëjë një analizë të punëve që ka kryer ajo, dhe më pas të njëjtat t’i krahasojë me Qeverinë që udhëhiqej nga LDK’ja mandatin e kaluar.

Kadrijaj ka thënë për Periskopin se opozita e ka për detyrë që ta shajë Qeverinë, andaj nuk befasohet nga sulmet e vazhdueshme të LDK’së për Haradinajn.

“Kjo është Qeveria e vendimeve të mëdha. Opozita e ka për detyrë me sha qeverinë, edhe pse këtë nuk kanë për çka me sha. Nëse e marrim qeverinë e kaluar dhe e krahasojmë me këtë të tanishmen, e shohim se sa shumë vendime të mëdha ka marrë Qeveria Haradinaj të cilat kanë prekur drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, siç është Ligji për Ushtri, Ligji për Trepçën, Ligji i Pagave, Ligji i Prishtinës dhe plot vendime të mëdha që na kanë bërë të ndihemi mirë. Krahasimi i kësaj Qeverie me atë të kaluarën që udhëhiqej nga LDK’ja tregon qartë se si udhëhiqet shteti dhe cilat janë rezultatet. Detyrë e Zotit Hoti është me sha këtë qeveri. Le te bon analizën e qeverisë sonë me të tyren dhe e sheh që as nuk krahasohen”, ka thënë Kadrijaj për Periskopin.

Ajo ka folur edhe për çështjen e taksës dhe ndikimin e saj në dëmtimin e raporteve dhe miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe njëherë, ajo ka përsëritur se taksa është vendim sovran i Qeverisë së Kosovës, dhe se ajo është vendosur për Serbinë, jo për Amerikën apo BE’në.

“Çështja e taksës është vendim sovran i shtetit të Kosovës. Dhe të tillë duhet ta konceptojmë. Është vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Edhe pse ka kërkesa për pezullimin  e saj, unë nuk mendoj që ai i lëndon raportet e mira të Kosovës me Amerikën dhe Bashkimin Evropian. Taksa është kundër Serbisë e planeve të Rusisë dhe e mbron Kosovën nga gjithë ai agresion që ka bërë Serbia ndaj neve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe tërheqje të njohjeve. Edhe miqtë tonë ndërkombëtare  e kuptojnë pse e kemi vendos atë”, ka thënë tutje Kadrijaj për Periskopin.

Ajo ka kundërshtuar kushtëzimin e dialogut me taksën.

Sipas saj, deri më tani Kosova ka pasur qindra arsye për kushtëzim të dialogut, por pavarësisht gjenocidit të Serbisë në Kosovë, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Andaj, thotë se është e rëndësishme që dialogu të vazhdojë pa kushte.

“Në asnjë formë nuk duhet të kushtëzohet dialogu. Kosova ka arsye me kushtëzu dialogun, jo Serbia. Serbia nuk ka kërkuar as falje për atë gjenocid qe e ka shkaktuar, ne kemi masakra të ndryshme ku nuk janë kursyer as fëmijët, as të moshuarit, dhe sot janë mijëra të pagjetur, por pavarësisht kësaj ne jemi detyruar të vazhdojmë dialogun, pa vënë asnjë kusht. Pse duhet t’i pranojmë kushtet e Serbisë se nuk e vazhdon dialogun, pa u hequr taksa”, deklaroi deputetja e AAK’së për Periskopin.

Tutje, ajo ka folur edhe për përplasjet e fundit mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi.

Kadriaj ka thënë se për kryeministrin parësor është shtet, e jo pushteti – dhe se këtë po e dëshmojnë të gjitha veprimet e tij.

“Zotëri Haradinaj parësor e ka shtetin, jo pushtetin. Këtë e dëshmojnë të gjitha veprimet e tij. Shteti është parësor për të, sepse ai punon për shtet”, ka thënë Kadriaj.

I pari i Ekzekutivit nuk i frikësohet tradhtisë nga partnerët e koalicionit dhe mundësisë për rrëzimin e Qeverisë – thotë Kadrijaj.

Sipas saj, kushdo që i siguron votat, mund ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj me mocion mosbesimi.

Por, që shprehet e bindur se një gjë të tillë nuk do ta bëjë askush për taksën, pasi ajo është vënë për të mirën e shtetit.

“Kushdo që i siguron 61 vota, le ta rrëzon Qeverinë me mocion mosbesimi. Por të gjithë, përfshirë edhe opozitën kanë thënë se nuk bashkëpunojnë me askënd që ta rrezojnë Qeverinë për taksën. Ne jemi shtet i pavarur dhe me çështjen e taksës kemi vepruar si shtet. Ju e dini se dialogu ka filluar qe sa vite, dhe ende s’ka asnjë rezultat. Ne ende nuk kemi viza, ndërsa Serbia po hap kapituj për anëtarësim në BE. Nëse është dialoguar rrugëtimi drejt Evropës, atëherë është dashur të jepen vizat për kosovarët, e jo Serbia të shkojë aq larg e të favorizohet aq shumë. Të gjithë këto marrëveshje që janë arritur në dialog, nuk janë zbatuar nga Serbia. Andaj, ankesat e Amerikës dhe BE’së trysninë duhet t’ia bëjnë Serbisë, jo Kosovës. Sepse ne jemi vendi që kemi përjetuar krime, kemi luftuar për shtetësi e liri e Serbia ka qenë agresor”, ka thënë Kadrijaj.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për televizionin publik mbrëmë ka deklaruar se nëse Amerika i kërkon të tërhiqet nga posti i kryeministrit do ta bënte një gjë të tillë – por që për taksën nuk mund të zmbrapset pavarësisht presionit dhe sanksioneve amerikane./PERISKOPI

 

Qeveria varet nga taksa – thellohen përçarjet mes partnerëve të koalicionit

Periskopi.com Lajme

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina ka bërë që krerët e partive në pushtet “të cakërrohen” mes vete. Derisa kryeministri Ramush Haradinaj po insiston në mossuspendim të taksës, lideri i PDK-së Kadri Veseli ka paralajmëruar rrëzimin e mundshëm të qeverisë aktuale

Përplasja mes partnerëve të koalicionit qeverisës ka nisur të thellohet ditëve të fundit. Kryeministri Ramush Haradinaj e kryeparlamentari Kadri Veseli nuk kanë kursyer pa thumbuar njëri-tjetrin as në përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Shkak i tërë kësaj është bërë taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, për të cilën çështje dy krerët e koalicionit po vazhdojnë të kenë qëndrime krejtësisht të kundërta.

Përderisa Veseli po kërkon pezullimin e tarifës, Haradinaj nuk po heq dorë së këmbënguluri në moslargimin e kësaj mase. Si rrjedhojë, i pari i PDK-së para dy ditësh ia përmendi kryeministrit rrëzimin e Qeverisë, timonin e së cilës e mban Haradinaj.

Ndonëse sipas tij kjo nuk do të ndodhë për shkak të taksës, Veseli deklaroi se rrëzimi i Qeverisë mund të ngjajë për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës, shkruan Zeri.

Pas këtij paralajmërimi u raportua se kreu i ekzekutivit ka lëshuar një deklaratë ofenduese në drejtim të Veselit teksa ka dalë nga salla ku mbahej seanca.

Megjithëkëtë, i pyetur se kujt i ishte drejtuar në atë formë, Haradinaj gjatë ditës së djeshme tha se nuk i kujtohet asgjë rreth kësaj çështjeje.

Ndërkohë, se aktualisht ka mosmarrëveshje mes koalicionit e pranojnë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të koalicionit, PDK-së e AAK-së. Ndonëse thonë se nuk është koha për të shkuar në zgjedhje, ata pohojnë se janë të gatshëm të hyjnë në një proces zgjedhor kurdo që të vijë koha.

 

Pavarësisht përplasjeve të koalicionit, mundësia e zgjedhjeve po përjashtohet

Periskopi.com Lajme

Këmbëngulja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që të mos e pezullojë vendimin për taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pavarësisht kërkesës për një pezullim të tillë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ka krijuar situatë mjaft të tensionuar brenda partnerëve të koalicionit qeverisës në vend, por edhe të skenës politike në përgjithësi, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

SHBA-ja dhe BE-ja, kanë kërkuar pezullimin e taksës në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Përderisa kryeministri Ramush Haradinaj, vazhdon të këmbëngulë për taksën ndaj mallrave serbe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është lider i partisë më të madhe brenda koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës, është pajtuar për një pezullimin për 120 ditë të kësaj takse.

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se mospajtimet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, janë duke rrezikuar ekzistencën e këtij koalicioni. Por, megjithatë, ata përjashtojnë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme eventuale.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.

Zhvillimet dramatike që pritet të ndodhin pas votimit të buxhetit

Periskopi.com Lajme

Pas seancës për buxhetin 2019 që do të mbahet nesër Kosovën e pret një javë dramatike. Java tjetër pritet të jetë vendimtare për fatin e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, por edhe për fatin e Qeverisë. Shefi i kësaj të fundit, Ramush Haradinaj, e pranon mundësinë e prishjes së koalicionit qeverisës

Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për taksën e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, por edhe për shkuarjen ose jo të vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kështu të paktën kanë deklaruar zyrtarë të partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, PDK. Sipas tyre, java aktuale do të jetë vendimtare për buxhetin e vitit 2019, ndërkaq java tjetër për tarifën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Ndonëse kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po vazhdon të këmbëngulë se nuk do të ketë heqje të taksës nëse nuk plotësohen pesë kushtet e vendosura ndaj bashkësisë ndërkombëtare, zyrtarë të PDK-së mbeten të sigurt se do të gjendet një gjuhë e përbashkët brenda koalicionit sa i takon tarifës, shkruan Zeri.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se ekzistojnë disa skenarë të cilët mund të ndodhin në ditët në vijim sa i përket tarifës doganore dhe koalicionit. Rënia ose jo e Qeverisë aktuale sipas tyre do të dëshmohet pikërisht gjatë kësaj jave.

 

Molliqaj: Rikallo shkarkohet dy ditët e ardhshme, s’po e kuptoj logjikën e këtij koalicion

Periskopi.com Lajme

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo do të shkarkohet nesër ose pasnesër me vendim të Qeverisë, si pjesë e marrëveshjes mes tyre dhe koalicionit qeverisës për votimin e buxhetit – raporton Periskopi.

”Them që Nenad Rikalo do të shkarkohet nesër ose pasnesër, mund të them se kjo do të ndodhë para votimit të Ligjit për Buxhetin”, ka thënë Molliqaj në Zona B.

Tutje, ai ka folur edhe për përçarjet e fundit mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

”Kjo çështja e PAN-it ashtu siç është formuar, nuk do të prishet shpejt e shpejt, jo pse ne nuk duam por ata s’mund të vendosin për vete. Ata nuk guxojnë me nis mocion mosbesimi për Qeverinë. Çfarë po shoh është një kritikë e përgjithshme e kësaj qasjeje. Më duket që edhe Kryeministri Haradinaj edhe Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të tjerët, sikur s’e kanë kuptuar mekanizmin taksë. Dy ditë përlahen, sonte dalin me deklarime se koalicioni është funksional”, ka deklaruar tutje Molliqaj.

Sipas tij, për këto çështje nuk shkruhet çdo ditë në Facebook, se taksa hiqet apo nuk hiqet.

Teksa po komentonte gjendjen aktuale politike në vend, Molliqaj thotë se PSD aktualisht është faktori përcaktues i lojës në Kuvendin e Kosovës.

”PSD në këtë ndarje të saj si opozitë është faktori përcaktues i lojës”.

Deputeti i partisë opozitare sa i përket dialogut me Serbinë ka thënë se situata e tanishme ndryshon nga procesi i bisedimeve me Serbinë për tema të caktuara./PERISKOPI

Del deklarata e parë për takimin e liderëve: Koalicioni është stabil

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë për takimin e sotëm të liderëve të koalicionit PAN – raporton Periskopi.

Aty tregohet se çka u diskutua në takim, dhe u tha se koalicioni është funksional dhe stabil.

Deklarata e plotë e Qeverisë:

Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës.

Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura.

Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në.

Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse.

Dalin detaje nga takimi i liderëve: Nuk arrihet asnjë marrëveshje mes tyre për taksën?

Periskopi.com Lajme

Pas më shumë se dy orësh, ka përfunduar takimi mes liderëve të koalicionit qeverisës – raporton Periskopi.

Në takim të pranishëm ishin Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.

Me të përfunduar takimi, ata u larguan nga objekti me veturat e tyre duke mos thënë asnjë fjalë të vetme për media.

Në media tashmë ka filluar të raportohet për ato që janë diskutuar brenda këtij takimi.

Raportohet se liderët e koalicionit PANA nuk kanë arritur marrëveshje për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, pasi kryeministri Haradinaj nuk është bindur për këtë çështje.

Tutje, u raportua se në takim u debatua edhe për çështjen e dialogut.

Po ashtu, nga takimi i sotëm nuk ka dalë ndonjë vendim për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.

 

Përfundon takimi, asnjë fjalë e vetme nga liderët e koalicionit qeverisës

Periskopi.com Lajme

Pas më shumë se dy orësh, ka përfunduar takimi mes liderëve të koalicionit PAN – raporton Periskopi.

Të gjithë liderët dolën së bashku nga takimi, por asnjëri prej tyre nuk u deklarua për media.

Madje, gjatë dy orëve sa zgjati takimi – gazetarët nuk u lejuan brenda ndërtesës, por u lanë jashtë në të ftohtë.

U raportua se në këtë takim do të vendosej nëse do të ketë ndryshime në koalicion.

Përderisa kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar se aty ku është Kosova është Amerika, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk kanë menduar njësoj për Amerikën kur kanë kur deshën ta shfuqizonin Specialen./PERISKOPI 

Dy orë nga takimi i liderëve të koalicionit, gazetarët nuk lejohen as në objekt

Periskopi.com Lajme

Ka rreth dy orë që ka filluar takimi i liderëve të koalicionit qeverisës në Kosovë.

Në këtë takim pritet të vendoset nëse do të ketë ndryshime në koalicion.

Përderisa kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar se aty ku është Kosova është Amerika, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk kanë menduar njësoj për Amerikën kur kanë kur deshën ta shfuqizonin Specialen.

Në këtë takim, pavarësisht interesimit të madh të mediave, nuk janë lejuar brenda, madje as në objekt fare.

Takimi po mbahet në objektin e Qeverisë, e në të njëjtën kohë po vazhdon seanca e Kuvendit me shumë pika të rendit.

Ndryshe, të shtunën është caktuar seanca për buxhetin e vitit 2019.

Nis takimi i jashtëzakonshëm i krerëve të koalicionit qeverisës

Periskopi.com Lajme

Me ftesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka nisur në Qeveri një takim në mes të krerëve të koalicionit PANA.

Në zyrat e Qeverisë, pos Haradinajt, tashmë kanë ardhur edhe Kadri Veseli i PDK-së, Fatmir Limaj i Nismës dhe Behgjet Pacolli i AKR-së.

Ky takim i jashtëzakonshëm vjen pas çarjeve të mëdha brenda koalicionit për taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Pas presionit të SHBA-së e BE-së, PDK-ja po kërkon që Qeveria të suspendojë taksën për 120 ditë, që po kundërshtohet fuqishëm nga kryeministri Haradinaj e po përkrahet edhe nga Limaj.

Limaj tregon a po funksionon koalicioni qeveritar

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka folur për një vjetorin e qeverisë Haradinaj.

Limaj ka thënë se ka pasur skepticizëm e vështirësi në ndërtimin e qeverisë dhe funksionimin e saj.

Megjithatë, për një vit Limaj thotë se janë kryer disa punë të mëdha, siç është demarkacioni me Malin e Zi, proces ky i cili, sipas tij, i ka hapur rrugë liberalizimit të vizave.

“Jemi në fazën finale të liberalizimit të vizave. PE e dha pëlqimin. Qeverisja ditore ka pasur probleme. Duhet adresim i këtyre temave. Nuk jemi aty ku kemi pritur, por mendoj se ka qenë një vit i kësaj qeverisje goxha dinamike dhe në lëvizje”, ka thënë ndër të tjera Limaj në një intervistë për televizionin publik.

Sa i përket zotimit të Nismës, çdo familje një të punësuar, Limaj ka thënë se ky zotim është duke u realizuar.

“Premtimi çdo familje nga një të punësuar është duke u realizuar. Kur flasim çdo familje një të punësuar, njerëzit që s’kanë askënd të punësuar marrin ndihmë nga shteti. Janë dy kategori, e para janë ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar dhe që nuk kanë të gatshëm askënd për të punuar. Kategoria e dytë janë familje që kanë njerëz të gatshëm për punë dhe në kuadër të kësaj kategorie janë punësuar gjysma e atyre që i përkasin kësaj kategorie”, ka shtuar Limaj.

Raportet mes partnerëve të qeverisë, sipas Limajt janë korrekte.

“Partneriteti ushqehet, në respekt ndaj njëri- tjetrit. Është një proces që duhet mirëmbajtur. Koalicionet mirëmbahen çdo ditë. Nëse kjo nuk ndodhë ka devijime e fërkime dhe jo rrallëherë prishen koalicionet për shkak të mos ushqimit të partneritetit të vazhdueshëm. Nisma ka pasur raporte korrekte, por barra bie mbi të parin e qeverisë”, ka theksuar Limaj.

Deputeti turk kërcënon Haradinajn me dalje nga koalicioni nëse nuk shkarkohet Gjergj Dedaj

Periskopi.com Lajme

Gjergj Dedaj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, të dielën përmes një postimi në Facebook ka thënë se Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjikë në Kosovë, përmes emisarëve të tyre. Madje, ish-lideri i Partisë Liberale të Kosovës,  këto dy shtete i ka quajtur ‘Shtriga të Ballkanit’.

Deklarimet e zëvendësministrit Dedaj, kanë nxitur reagimin e përfaqësuesve të komuniteti turk, të cilët përmes deputetit të tyre në Parlamentin e Kosovës, Fikrim Damka, i kanë thënë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt që ta shkarkojë zëvendësministrin Dedaj.

Madje, deputetët turq kërcënojnë se nëse kryeministri nuk e shkarkon Dedajn, koalicioni qeverisës nuk do t’i ketë votat e Grupit Parlamentar “6+”.

“Zëvendësministri Dedaj përmes faqeve të veta në rrjeteve sociale ka bërë që të thyhet gota mes nesh. Ka pasur deklarata të tilla të ngjashme deri më sot, por kjo e fundit është e papërballueshme për ne. Kësaj radhe e kemi dënuar këtë me keqardhje. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Grupi parlamentar 6+ i ka bërë një kërkesë zyrtare kryeministrit Haradinaj që ta shkarkojë nga detyra Dedajn. Ne presim të bëjë hapin e duhur kryeministri. Nëse kryeministri nuk merr ndonjë iniciativë për këtë çështje, ne gjithashtu i kemi komunikuar atij se do të vlerësojmë votat tona në qeverinë e koalicionit”.

“Ne mendojmë se ky person nuk e meriton të jetë zëvendësministër, por as përfaqësues i ndonjë detyre shtetërore. Ai përmes rrjeteve sociale ka bërë edhe shpifje të vazhdueshme kundër kryeministrit Recep Tayyip Erdogan”, ka pohuar Damka pas takimit me kryeministrin Haradinaj, për agjencinë turke Dogan Haber Ajansi, përcjell Telegrafi.

Dedaj në një postim në Facebook kishte shkruar se “Turqia dhe Serbia, synojnë rikthimin e tyre strategjikë në Kosovë, secila përmes emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundimit shekullor dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyrë, të cilët duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit!”.

Hoti: LDK nuk ka arritur pajtim për asgjë me koalicionin qeverisës

Periskopi.com Lajme

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka mohuar se me pozitën kanë pajtim për seancën e Kuvendit.

Ai ka thënë se LDK do të vazhdojë me qëndrimin sikur që kishte sot.

Hoti me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Kuvendi është jo funksional.

“Asnjë pajtim nuk ka me koalicionin qeverisës. Kuvendi është jofunksional. Mund te caktohen çdo dite seanca te Kuvendit, por qëndrimi jone mbetet i njëjte, sic ishte ne seancën e sotme. Jemi te vendosur te ndalojmë uzurpimin e institucioneve dhe dhunimin e demokracisë”, ka shkruar Hoti.

LDK sot nuk ka marrë pjesë në votim në pikën për ndërtimet pa leje. Ndërsa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli sot pas mbledhjes së kryesisë ka deklaruar se do shpreson që në seancën e ardhshme të ketë një mirëkuptim edhe nga opozita dhe të kalohen ligjet e pa miratuara.