S’ka koalicion LDK-VV: Sveçla e quan parti tinëzare shkaku i kandidimit të Vjosës

Periskopi.com Lajme

Ka kohë që Lidhje Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë biseduar për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.

Por duket se me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre – ky bashkëpunim ndërmjet tyre së paku para zgjedhjeve ka marrë fund.

Kështu ka bërë me dije ish-deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla.

“Vetëvendosja bëri maksimumin, duke mos paragjykuar as emrin e kandidatit për kryeministër, në mënyrë që gjithçka të vendosej së bashku nga VV e LDK, por me vendimin e pakoordinuar dhe tinëzar për të nxjerrë kandidat për kryeministër, LDK tregoi se nuk dëshiron koalicion parazgjedhor”, ka shkruar Sveçla në profilin e tij në Facebook.

“Kjo sjellje e LDK vazhdon qysh prej një viti, me hezitim e mos-sinqeritet përballë kërkesave transparente e publike të VV për bashkëpunim. Dhe është pikërisht kjo tinëzari e LDK që e ka zvogëluar këtë subjekt 10% më pak në sondazhe brenda një viti, ndërkohë që ka rritur VV me të njëjtën margjinë”.

“Tash, mbetet të shpresojmë që të paktën e mbajnë fjalën për të shkuar në zgjedhje vetëm”.

“Populli ka marrë vendimin për ndryshim, Vetëvendosje prin, Albini është politikani më i votuar dhe më i mbështetur”.

Kush janë kandidatët joseriozë për kreun e LDK’së, sipas Adem Salihajt

Periskopi.com Lajme

Adem Salihaj thotë se ‘shumë njerëz kanë shprehur dëshira për ta udhëhequr LDK’në” dhe sipas tij ‘këto dëshira ata i kanë shprehur kryesisht në media’. Por për të, kandidaturat serioze do të vërehen të shtunën, më 3 gusht. Në një bisedë të shkurtër për Periskopin, Salihaj ka thënë se mund të jetë vetëm një apo dy kandidatë serioz për ta marrë udhëheqjen e LDK’së…

Ish – deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një bisedë për Periskopin ka folur për zgjedhjet në LDK si dhe për zhvillimet e fundit në vend, që u krijuan pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit

Salihaj ka thënë se në LDK ka kandidat joserioz të cilët shpallin kandidaturën në këmbim të një pozite tjetër.

“Besoj se në Kuvendin e LDK-së mund të jetë vetëm një kandidaturë dhe, e shumta, dy, por jo me tepër. Disa që shpallin kandidatura kërkojnë marrëveshje, heqin dorë nga kandidatura, në këmbim të një pozite tjetër. Pra, një lloj pazari me poste partiake dhe qeveritare, gjë që nuk është aspak e mirë”, ka thënë Salihaj për Periskopin.

Salihaj thotë ‘disa kandidatura po shpallen në media’ dhe për të, ato janë ‘joserioze’.

“Të gjitha këto shpalljet e “kandidaturave” nëpër media dhe portale i shoh si joserioze dhe më shumë një lakmi dhe shprehje dëshirash, e jo një ambicie reale”, ka thënë ai.

Gjithashtu Salihaj për Periskopin ka treguar që është pro një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe se ky koalicion do sjellë fitore të sigurt.

“Sa u përket koalicioneve, unë kam qenë ithtarë i koalicionit parazgjedhor LDK-VV, si mënyrë e sigurt për të fituar dhe për t’i larguar nga pushteti të gjitha partitë e ashtuquajtura të komandantëve, të cilat po e shkatërrojnë Kosovën”, u shpreh Salihaj.

Kujtojmë që, LDK me 3 gusht do të mbajë Kuvendin ku do të zgjidhet kryetari i ri i kësaj partie. /Periskopi/

 

Limaj: Nuk bëjmë koalicion parazgjedhor, të gjitha partitë duhet të jenë të gatshëm për zgjedhje

Periskopi.com Lajme

Pas dorëheqjes së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj debati për zgjedhjet e jashtëzakonshme tashmë ka filluar, rap[orton Periskopi.

Në TV Dukagjini, përmes telefonit edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka konfirmuar se partia e tij është e gatshme për proceëdurat që vijnë tutje.

Ai tha se duhet të respektohen procedurat ligjore, por patjetër vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

“Ne sot kemi dorëheqje të gjitha partitë politike duhet të përgatiten për zgjedhje, besoj që Kosova ka kriuju traditë, nuk ka nevojë për drama. Duhet respektohet procedura dhe të shkoj vendi në zgjedhje. Do të mblidhemi dhe të shohim a ka shumicë parlamenti, pastaj nëse ka ndonjë kandidat për ta vazhduar qeverisjen ku do të deklarohen partitë politike dhe në fund nëse nuk ka një kandidat të tillë do të shkoj vendi në zgjedhje”, tha Limaj.

Ai e mohoi se do të hyj në koalicion parazgjedhor me ndonjë parti politike. /Periskopi