Prokuroria nis hetimet ndaj kërcënimeve që iu bën Nenad Rashiqit

Periskopi.com Lajme

Koalicioni “Sloboda”, që kandidat për kryeministër ka politikanin Nenad Rashiq, bazuar në rrjetin social Facebook, deri tani nuk ka mbajtur asnjë takim me qytetarë, siç ndodh rëndom në këtë periudhë fushate.

Megjithatë, e vërteta është ndryshe: ata po dalin në terren, por nuk publikojnë fotografi, raporton KTV.

Krejt kjo për t’i shmangur kërcënimet dhe presionin drejt mbështetësve të tyre, që Rashiqi thotë se vijnë nga Lista Serbe dhe nga strukturat e tyre, të mbështetura nga Beogradi.

Rashiqi ishte pjesë e një debati bashkë me dy politikanë të tjerë, Slobodan Petroviq dhe Aleksandar Jablanoviq, e që së bashku, për këto presione, drejtuan gishtin kah Lista Serbe, përfaqësuesi i së cilës, Goran Rakiq, mungoi aty.

KTV-ja ka provuar të marrë një përgjigje nga Rakiqi për mungesën e tij dhe akuzat që po u bëhen atyre por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit.

Me shqetësimet e politikanëve serbë, tashmë është duke u marrë Prokuroria e Shtetit.

Megjithatë, Rashiqi konsideron se reagimet e institucioneve për këtë temë kanë qenë të ngadalshme dhe kjo ka ndodhur për disa arsye.

Kërcënimet me largime prej punës dhe shantazhe të formave të ndryshme, nga politikanë serbë jashtë Listës Serbe, janë bërë të ditura që para fillimit të fushatës, derisa edhe në zgjedhjet e vitit 2017, votuesit serbë ishin ballafaquar me presion të madh për ta votuar Listën Serbe.

Gjatë javës, edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, kërkoi angazhimin e Prokurorisë për këto raste.