Kandidati potencial për zëvendësim të Theresa May: Përdora kokainë, do të doja të mos e kisha bërë

Periskopi.com Lajme

Michael Gove, kandidat për kryetar të Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe, që është njëri ndër 11 kandidatët pretendentë për kryeministër, është penduar për përdorimin e kokainës.

Ai ka thënë se para më shumë se njëzet vitesh ka përdorur kokainën, në atë kohë kur punonte si gazetar, gjë për të cilën ndjenë këqardhje të madhe.

“Kam marrë drogë në disa raste të tubimeve shoqërore para më shumë se njëzet vjetëve. Në atë kohë isha gazetar i ri. Ishte gabim. Mendoj për atë kohë dhe do të doja të mos e kisha bërë”, u shpreh Grove për Daily Mail.

Ministri i mjedisit i cili është edhe kandidat për kryeministër të ardhshëm të Britanisë së Madhe, ka thënë se shpreson se ky veprim i tij në të kaluarën, të mos përdorët kundër synimit për tu bërë kryeministër.

“Unë mendoj se të gjithë politikanët kanë pasur një jetë përpara politikës. Sigurisht, kur isha duke punuar si gazetar, nuk e imagjinova se do të futem ndonjëherë në politikë apo shërbim publik”, tha ai.

“Kam parë dëmet që mund të ua shkaktojnë drogat të tjerëve dhe për këtë arsye më vjen keq për vendimet që kam marrë”, tha Gove, shkruan BBC, transmeton Periskopi.

Anëtarët e Partisë Konservatore duhet të votojnë për një lider të ri të partisë pasi Theresa May dha dorëheqje nga pozita e saj.

Gove shërbeu si sekretar i drejtësisë në vitet 2015-2016, është një nga 11 deputetët e kësaj partie që kanë thënë se synojnë të qëndrojnë në garë për ta zëvendësuar May, ndërsa fituesi pritet të shpallet në fund të korrikut.

Edhe sekretari i Zhvillimit Ndërkombëtar, Rory Steëart, njëri ndër 11 kundër-kandidatët e Gove ka kërkuar falje për përdorim të opiumit që konsiderohet drogë e klasit A në Britani, veprim të cilin e kishte bërë 15 vite më parë në Iran.

I treti kandidat i kësaj partie i cili deklaroi se kishte përdorur kanabis ndërsa udhëtonte në Indi është Jeremy Hunt, sekretar i jashtëm i partisë. /Periskopi