Edhe komandant “Hoxha” ftohet nga Gjykata Speciale

Periskopi.com Lajme

I ftuari i radhës në Gjykatën Speciale është Ismet Tara, i njohur si komandant Hoxha, që do të intervistohet më dy mars.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tara, përmes një letre publike, përmes së cilës ka bërë thirrje qytetarëve e bashkëluftëtarëve që të dalin e ta përcjellin.

Letra e tij e plotë:

FTESË BASHKËQYTETARËVE, BASHKËLUFTËTARËVE TË MI SI DHE TË GJITHË DASHAMIRËVE TË KOMBIT TIM

Edhe pse liria pas vitit 1999 erdhi, pushtetarët tanë nga pushteti i parë e deri tek ky i fundit, ata i hutoi pushteti, lakmia për pasuri dhe jeta luksoze e tyre dhe familjarëve të tyre, ata dita ditës filluan ta zbehin lirinë tonë derisa u bënë të pushtetshëm si carat dhe krajlat e dikurshëm.

E në fund pas 9 vitesh atyre ju ra ndërmend që me 17 Shkurt 2008 që duhet të shpallet Pavarësia. Dhe pas pavarësisë pikërisht këta pushtetarë na premtuan se Kosova jonë nga tani e tutje do të bëhet parajsë e secilit qytetarë që jeton në të, pastaj vetëm brenda ca muajsh do të kemi liberalizim vizash, brenda 5 vitesh do të bëhemi pjesë e NATO-s dhe do të bëhemi pjesë e Evropës brenda 7 vitesh.

Shtetet mike në krye me SHBA, Anglinë, Gjermaninë, Turqinë bënin gara se kush nga to e para do të na pranojë në kufijtë e Kosovës që e ka njohur edhe vet ish Jugosllavia me republikat e saja. Por nuk kaluan shumë vite pas pavarësisë, asnjë nga këto premtime të pushtetarëve nuk u realizuan, kurse gjendja e kësaj pavarësie filloi të luhatet, dhe vendet tona fqinje si Maqedonia, Mali i Zi na i prekën dhe ngushtuan po këto kufijtë te pranuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Tani së fundi, miq që na e pranuan pavarësinë dhe shtetin tonë, duke i parë pushtetarët tanë të hutuar kërkojnë prej tyre vendosjen e një kufiri të ri me Serbinë, Serbinë që para 20 vitesh e luftuam kundër të gjitha të këqijave që bënte në Kosovë.

Popullata jonë e përvuajtur dhe mjeruar me këta pushtetarë e humbi edhe shpresën për një të ardhme të ndritur, duke u dorëzuar nga e keqja dhe abuzimet pushtetare.

Ajo që është më e dhimbshme dhe ku e prek secilin emocion të qytetarit është humbja dhe lënia pasdore të strukturës më vitale, vlerës më të shtrenjtë kombëtare si dhe promotorin e të ardhmes së kombit, e a jo është RINIA jonë. Për shkak të këtij mjerimi qytetar, rinia jonë mori rrugë të panjohura nëpër vende nga e gjithë bota vetëm e vetëm që ta gjejë veten dhe të ardhmen e saj për një jetë të ëndërruar nga ata.

Të dashur bashkëqytetarë, bashkëluftëtarë e rini e dashur dhe e shtrenjtë, edhe unë Ismet Tara me bashkëluftëtarët prej 30 Maj 1999 deri më 11 Qershor 1999 i kemi humbur shpresat edhe më shumë se ju se lufta jonë do të triumfojë në malet e Romajes, por drejtësia e Zotit dhe gjaku i të përmendurëve triumfuan dhe me 12 Qershor erdhëm në qytetin tonë si fitues të luftës.

Prandaj, me 2 Mars ditën e Diel duke filluar prej orës 16:00h ju ftoj të gjithë për përkrahje të luftës së shenjtë të UÇK-së dhe përshëndetje me komandant Ismet Tara-Hoxha për përcjellje në Gjykatën Speciale – Hag.

Vendtakimi përcjellës do jete te përmendorja e Komandantëve te mi “Tonit & Micit ne parkun e qytetit ora 16:00 (4 mbasdite).

 

U bë komandant Brigade pa dëshirën e tij, por tash e kërkon Specialja në Hagë për gjykim

Periskopi.com Lajme

Ndonëse pa dëshirën e tij është emëruar komandant i Brigadës 124 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tara thotë se ka luftuar me të gjitha forcat për çlirimin e Kosovës.

I njohur si “komandant Hoxha”, Tara ka shërbyer për disa muaj si komandant në Zonën e Rahovecit.
E, për veprimtarinë e tij gjatë luftës, atij i duhet të përballet me Gjykatën Speciale në Hagë, pikërisht më 17 shkurt të këtij viti, raporton KTV.

Ai ka thënë se nuk pendohet për asnjë armik që e ka vrarë në fushë-betejë dhe aktakuzat e Speciales i quan të pabaza dhe të përgatitura nga Beogradi.

I gatshëm të përballet me çdo aktakuzë, Tara thotë se beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së.
Për besimin në luftën që ka zhvilluar ndihet krenar, saqë nuk do të angazhojë asnjë avokat për mbrojtjen e tij.

Ndonëse thotë se përgjegjësia e secilit pjesëtar të UÇK-së është individuale, Tara thotë se do të jetë zëri i të gjithëve në Hagë.

Thotë se do të triumfojë para kësaj gjykate ‘të padrejtë’, siç e ka quajtur, madje thotë se kushdo që ka prova kundër tij, i mirëpret.

Çdo gjykim që do të bëhet në Hagë, Tara thotë se do të jetë pastrim për luftën e UÇK-së, por kjo gjykatë raciste, sipas tij, nuk mund të vendosë drejtësi.

E, bindjen e tij se ndihet i pafajshëm e lidh me intervenimet e NATO-s në mars të 99-s.

Tara thotë se nuk do të pranojë ndihmë për mbrojtje as nga buxheti i Kosovës, e për çka ka kërkuar që shpenzimet e udhëtimit t’ia kryejë Gjykata Speciale në Hagë.

Komandant ‘Hoxha’, është i ftuari i katërt deri tash nga kjo gjykatë, pas Sami Lushtakut e Rrustem Musafës, dhe i dyti nga Komuna e Rahovecit, pas Sebahudin Cenës. /Koha.net