Alarmohet Serbia:  Mos ta lejojmë Bujanocin ta përkujtojë rënien e Komandant Lleshit

Periskopi.com Lajme

Autoritetet në Bujanoc kanë paralajmëruar manifestimin ‘Ditët e Komandant Lleshit’ (Ridvan Qazimit) dhe kjo ka alarmuar shtetin serb, shkruan B92 përcjell Periskopi.

Përfaqësuesi i Trupit Koordinues në Bujanoc, Zoran Stankoviq, u ka thënë mediave serbe se ‘nuk duhet të provokojnë situatën lidhur me këtë rast dhe duhet të veprojnë institucionalisht’.

“Është e vërtetë që ekziston një diskrepancë mes deklaratave të liderëve shqiptarë dhe respektit të tyre ndaj ligjeve në Serbi. Liderët lokal të shqiptarëve respektojnë ligjet e Serbisë në punët e tyre të përditshme dhe bashkëpunojnë me ne për të përfituar për komunat e tyre”, ka thënë Stankoviq.

Ai ka thënë edhe atë se ‘shqiptarët në Bujanoc duhet të dëgjojnë atë që kanë thënë Edi Rama, Bujar Nishani e Ilir Meta gjatë vizitave të tyre në Serbi”, ‘se shqiptarët atje duhet të bashkëpunojnë me autoritetet serbe për t’i zgjidhur problemet, si qytetarë serbë”.

Partitë politike serbe kanë reaguar për këtë organizim duke kritikuar shtetin serb që po lejon një gjë të tillë.

Për këtë ka reaguar edhe ministri serb i mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili ka thënë se ‘nuk është në traditën e shtetit serb të organizojë ceremoni përkujtimi për terroristët”.

“Nuk e di se si do të veprojë drejtësia por e kemi të qartë se nuk lejohet manifestimi i vrasjes së serbëve në Serbi”, ka thënë Vulin.

Ridvan Qazimi i njohur si Komandant Lleshi, u vra më 24 maj 2001 gjatë konfliktit të armatosur në Luginë. Ai ishte pjesë e UÇPMB’së.  Bujanoci ka paraparë ta shënojë rënien e tij, në një organizim katër ditorë. /Periskopi/