Anëtarët e Komisionit që tentuan ta bëjnë drejtor të Agjencisë së Akreditimit shokun e ministrit Bytyqi [EMRAT]

Periskopi.com Lajme

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që udhëhiqet nga Nisma Socialdemokrate nuk kanë të ndalur punësimet familjare dhe partiake. Skenari i radhës parashihte emërimin e shokut të ministrit, Shyqyri Bytyqit, Afrim Lokut në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Por, ky skenar u prish nga ekspertët britanikë, komisioni i të cilëve nxori Naim Gashin, si kandidatin më të suksesshëm në këtë garë. Periskopi ka mësuar emrat e anëtarëve të Komisionit vendor për Vlerësimin e Kritereve, të cilët tentuan ta bëjnë drejtor shokun e ministrit, Afrim Lokun, i cili ka lidhje të afërta edhe me zyrtarë të tjerë të Nismës Socialdemokrate, që udhëheq me këtë Ministri.

Tashmë ishte përgatitur terreni që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës të zgjidhej në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, shoku i ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqit, Afrim Loku.

Por, kjo është parandaluar pas vlerësimit të një ekipi ndërkombëtar vlerësues – monitorues, i kontraktuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, i cili i ka propozuar Qeverisë së Kosovës se kandidati me më së shumti pikë dhe me një diferencë të thellë në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Agjencisë së Akreditimit-MASHT është Naim Gashi.

Afrim Loku, Naim Gashi dhe Rifat Morina ishin në listën e ngushtë të emrave të kandidatëve për drejtor në këtë Agjenci.

Loku, mori më së shumti poena nga Komisioni vendor për Vlerësimin e Kritereve.

Ai është shok i ministrit Shyqyri Bytyqi dhe ka lidhje të afërta me zyrtarë të partisë Nisma Socialdemokrate e cila e udhëheq Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Vlerësimi i Komisionit vendor dhe atij ndërkombëtar, të angazhuar nga britanikët, bien në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Ekspertët britanikë kishin provuar që të përafrojnë qëndrimet me Komisionin vendor për Vlerësimin e Kritereve, por ka qenë e pamundshme, sepse britanikët e kanë vlerësuar Gashin me pikë maksimale, për dallim nga Komisioni vendor që kishte vlerësuar Lokun me pikë maksimale.

Periskopi ka mësuar përbërjen e Komisionit vendor që e zgjodhën Lokun si kandidatin më të përgatitur për të qenë në krye të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, duke shpërfillur rekomandimet e britanikëve për emërimin e Naim Gashit në këtë pozitë.

Sipas burimeve të Periskopit, Komisioni përbëhej nga Izedin Bytyqi (Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që drejtohet nga Nisma), Veton Firzi (Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), Naim Baftiu (Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave), Ejup Fejza dhe Fatlum Gogiqi.

Gazeta Blic kishte raportuar se Loku kishte përkrahje të fuqishme nga ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi dhe sekretari i kësaj ministrie, Ekrem Kastrati, me të cilin Loku ka përafri të madhe dhe kanë punuar së bashku në QKUK.

Kështu, raportohet se ministri Bytyqi dhe sekretari Kastrati së bashku me zëvendësministrin e Administratës Publike, Sami Hajdaraj, kishin përgatitur komplet procesin që Loku të zgjidhet në krye të Agjencisë së Akreditimit, por skenari është prishur komplet nga ekspertët britanikë të angazhuar në këtë proces, të cilët kanë poentuar Gashin si kandidati më kompetent dhe më profesional për këtë pozitë.

Për këtë çështje, ekspertët britanikë, si partner implementues, ju kanë shkruar të premten nga një letër kryeministrit Haradinaj dhe kryeparlamentarit Veseli nëpërmes të cilës ju kanë shpjeguar komplet procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Agjencisë së Akreditimit dhe vlerësimin e kandidatëve individualisht.

Loku ka të kaluar politike, si kryetar i degës së AKR në Kaçanik, mandej ka kaluar edhe në parti tjera.

Aktualisht është mësimdhënës në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ndërsa Naim Gashi aktualisht është anëtar i Bordit të RTK dhe kryeson Komisionin e Auditimit në transmetuesin publik. Gashi ka përvojë në media, në arsimin e lartë publik dhe privat dhe është i njohur si ekspert i çështjeve ekonomike.

Me t’u emëruar në postin e ministrit, Shyqyri Bytyqi kishte marrë vendim për shkarkimin e bordit të kësaj Agjencie, gjë që i kushtoi Kosovës me përjashtim nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë [EQAR].

Në dokumentin e vendimit të EQAR-së thuhej se: “Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) ka konstatuar se, si pasojë e shkarkimit të bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ministri Shyqyri Bytyqi, agjencia më nuk është e aftë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe nuk është më në një pozitë që merr “përgjegjësi të plotë për veprimet e veta”, siç kërkohet nga standardi 3.3 i ESG-së.

Periskopi vazhdimisht ka raportuar për punësimet partiake dhe familjare në këtë ministri, që udhëhiqet nga Nisma Socialdemokrate./PERISKOPI