KQZ tregon nëse është e gatshme për zgjedhje të reja

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është i gatshëm që të organizojë edhe një palë zgjedhje, pas atyre të 6 tetorit.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se edhe pse është sfiduese organizimin edhe i një palë zgjedhjeve, duhet të përmbushin këtë obligim kushtetues, nëse kjo u kërkohet.

“Ato janë supozime ne nuk mundemi me ditë, por gjithsesi ne do t’i organizojmë kurdo qofshin ato zgjedhje sepse e kemi obligim kushtetues dhe nuk është në dëshirën e tonë që të vendosim se a do t’i organizojmë apo jo, por gjithsesi është më se sfiduese që të organizohen një pas një zgjedhjet”.

Nëse vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, shteti ka buxhet rezervë, i cili do të mund të shfrytëzohej.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, ka sqaruar për Ekonomia Online se në kuadër të kësaj ministrie ekziston një fond i cili mund të përdoret në rast se vendi mbetet pa Qeveri.

“Ne në ministrinë e  Financave kemi qenë të kujdesshëm dhe kemi prapë një rezervë ne nuk e kemi planifikuar për zgjedhje mirëpo është një rezervë në kuadër të Ministrisë së Financave e cila mund të përdoret edhe në rast se nuk do të kemi Qeveri”.

“… nëse do të vijë puna që të kemi zgjedhje ne prapë e kemi një shumë të alokume në Ministri të Financave, mirëpo duhet të kemi kujdes për arsye se ndarjet buxhetore mund të bëhen deri në muajin mars”.

Por krejt kjo sipas tij, veç nëse zgjedhjet mbahen para muajit prill të vitit të kaluar, ngase bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike nuk lejon asnjë pagesë të brendshme, përveç ndonjë borxhi publik.

“Në muajt e parë janar dhe shkurt me automatizëm impementohet Ligji i Buxhetit të vitit 2019, gjithmonë them nëse nuk kemi një buxhet të aprovuam për vitin 2020, ndërsa në muajin mars Kuvendi i Republikës së Kosovës mund me një vendim edhe për një muaj ta implementoj buxhetin e vitit 2019 mirëpo në prill e tutje nuk do të kemi mundësi ligjore”.

“… për arsye se Ligji i Menaxhimit të Financave Publike është deficit që nuk mund të bëhet asnjë pagesë e brendshme me përjashtim të ndonjë borxhi publik pra nëse nuk kemi buxhet të aprovuar deri në muajin mars që nënkupton për tu implementuar në prill e tutje”.

Në vend u mbajtën zgjedhjet e parakohshme me 6 tetor, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kreut të Qeverisë, pas ftesës për intervistim në Hagë.

KQZ tregon arsyen se pse disa persona që u angazhuan në zgjedhje nuk i morën pagat

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka proceduar të gjitha listat për pagesa në Ministrinë e Financave.

Të gjitha listat e pagesave të personave që janë angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit janë proceduar në Ministrinë e Financave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave listat e të gjitha komunave të anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit”, ka bërë të ditur Elezi.

Sipas Elezit, sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe kësaj radhe ka raste kur janë kthyer mjetet dhe siç theksoi ai, kjo ka ndodhur për shkak të gabimeve që kanë ndodhur në shënime.

“Sikurse në zgjedhjet e kaluara edhe në këto zgjedhje po kemi raste kur mjetet kthehen, çka do të thotë se pagesa nuk bëhet. Arsyet janë të ndryshme dhe të cilat kryesisht kanë të bëjnë me: gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive, apo edhe llogari jopersonale”, tregoi Elezi për lajmi.net.

Ai po ashtu ka theksuar se të gjithë personave që nuk i kanë dalë mjetet në llogaritë e tyre, duhet të paraqesin përmirësimet e të dhënave.

“Çdo person, të cilit nuk i kanë dalë mjetet, duhet të komunikojë me Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku ka qenë i angazhuar gjatë këtyre zgjedhjeve. Aty duhet të paraqesë përmirësimet që duhen bërë në mënyrë që ta riprocedojmë/ridërgojmë për pagesë”, theksoi Elezi.

Ndryshe në zgjedhjet e 6 tetorit fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 221 mijë e 1 vota apo 26.27 për qind.

E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.54 për qind apo 206 mijë e 516 vota, ndërkaq e treta në këto zgjedhje ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 178 mijë e 637 vota apo 21.23 për qind.

Në orën 16:00 nis rinumërimi i 1472 vendvotimeve

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të fillojë me rinumërimin e vendvotimeve pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), shkruan Periskopi.

Nga KQZ bëjnë të ditur që ky proces do të fillojë në ora 16:00.

“Ju njoftoj se sot (e mërkurë, 13 nëntor, ora 16:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve fillon procesi i rinumërimit të vendvotimeve pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, ka thënë zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

Kujtojmë që pas disa ankesave të partive dhe kandidatëve për deputet,  PZAP ka marrë vendim që të rinumërohen 1742 vendvotime./Periskopi/

KQZ pa datë për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

Numërimi i votave tashmë ka përfunduar, mirëpo KQZ ende nuk ka ndonjë afat për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk e parashikon një datë të caktuar se kur mund të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor. Numërimi i votave tashmë ka përfunduar.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të rregullta, atyre me postë, votave me kusht, votave nga diaspora, votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe rinumërimi për disa vendvotime ku ishin vërejtur parregullsi. Megjithatë, ai nuk jep edhe një datë se kur do të shpallet rezultati final.

“Nuk ka ndonjë afat ligjor se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shpallë rezultatin përfundimtar të një procesi zgjedhor. Por, ligji parasheh se të gjitha procedurat që duhet të përfundohen deri te shpallja e rezultatit përfundimtar”.

“Në këtë drejtim, KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare të një procesi zgjedhor pasi të numërojë votat më kusht, votat me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendit. Po ashtu, pasi të përfundojnë të gjitha rinumërimet eventuale që bëhen me rekomandim të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Dihet se KQZ-ja ka përfunduar numërimin e këtyre votave”, tha Elezi.

Përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, sipas Elezit, varet tashmë nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Bëhet fjalë për një ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga diaspora në Kosovë jashtë afatit kohor ligjor.

Kjo ankesë fillimisht ishte dërguar në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por ishte kthyer si kërkesë e pabazë. Më pas Vetëvendosje e kishte deponuar të njëjtën kërkesë edhe në Gjykatën Supreme, e cila vendosi pro ankesës së Vetëvendosjes dhe përmes një aktgjykimi e riktheu lëndën në PZAP.

Kurse PZAP edhe kësaj radhe lëndën e ka refuzuar si të pabazuar. Në një komunikatë për media, PZAP thotë se “pala mund të parashtrojë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda afatit ligjor prej 24 orëve, nga momenti i pranimit të vendimit. Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës duhet të vendosë lidhur me ankesën brenda afatit prej 72 orëve”.

Sa i përket rezultatit përfundimtar, edhe pas procesit të rinumërimit të 530 vendvotimeve, pastaj numërimit të votave nga diaspora, atyre nga Serbia dhe votave me kusht, nuk ka ndonjë ndryshim me rezultatin preliminar të prezantuara më 7 tetor. Lëvizja Vetëvendosje mbetet subjekti që ka fituar zgjedhjet, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Socialdemokrate. Kurse mbetet ende të vërtetohet nëse koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë e ka kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile që kanë qenë të përfshirë në vëzhgimin e gjithë procesit, kanë deklaruar se duke pasur për bazë trendët në të cilët është duke u zhvilluar i tërë procesi dhe dinamika e numërimit dhe rinumërimit të votave, përmbyllja e procesit do të marrë kohë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se rinumërimi i disa vendvotimeve, ardhja me vonesë e votave nga diaspora si dhe votat nga Serbia kanë ndikuar pjesërisht në mënyrë negative në integritetin e tërësishëm të procesit zgjedhor.

“Për të qenë realist, u është dhënë më shumë një natyrë politike dhe janë zmadhuar si probleme, ndonëse në fakt, procesi ka qenë në suaza të atyre që kanë ndodhur edhe në ciklet e kaluara zgjedhore. Sa i përket votave me vonesë nga diaspora si edhe atyre nga Serbia, Kosova është përballur me këto dy fenomene edhe përgjatë cikleve të kaluara zgjedhore”, tha Cakolli.

Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë, procesi zgjedhor kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike.

 

 

KQZ dhe institucionet e sigurisë të gatshme për ditën e zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në ditën e hapjes së fushatës zgjedhore ka mbajtur një takim pune me përfaqësues të Policisë, Prokurorisë së Shtetit, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Këshillit Gjyqësor ku u diskutua lidhur me programin orientues të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do mbahen më 6 tetor.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit  të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi ,u shpreh optimist  për ecurinë e përgatitjeve për  zgjedhjet, derisa  tha se përmes një procesi demokratik të zgjedhjeve do t’i bëjnë nder shoqërisë.

“Përgatitjet për këto zgjedhje të jashtëzakonshme apo të parakohshme që implikojnë apo shtrojnë si nevojë imanentet edhe veprimet e jashtëzakonshme janë duke shkuar mirë përgjithësisht sepse sikurse e thash një] proces i tillë i madh ngërthen aspektet që nga logjistika deri te aspektet ligjore, procedural dhe tjera”, u shpreh Halimi

Gatishmërinë për të iu  përgjigjur të gjithave situatave  gjatë fushatës e shprehu edhe Policia e Kosovës , ku në emër të këtij institucioni foli koordinatori për operacione, Afrim Ahmeti.

Ahmeti tha se  janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për ditën e zgjedhjeve.

“Policia e Kosovës në bazë të ligjeve të aplikueshme dhe memorandumit të bashkëpunimit ka ndërmarrë veprimet e veta për fillimin e përgatitjeve për fushatën parazgjedhore dhe për ditën e zgjedhjeve që do të mbahen me 6 tetor. Të gjithë zyrtarët policor nga drejtoritë rajonale dhe stacionet policore kem mbajtur takimin ku i kemi ndarë detyrat për të gjithë zyrtarët që do angazhohen në ditën e zgjedhjeve. Në këtë fazë kërkojmë nga të gjithë që të ketë bashkëpunim, dhe të ketë raportim të rasteve eventuale që mund të paraqiten si gjatë fushatës ashtu edhe gjatë zgjedhjeve. Policia është e gatshme tu përgjigjet të gjitha situatave”, deklaroi ai.

Ndërsa në emër të Kryeprokurorit të Shtetit foli koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, e cila inkurajoi qytetarët që të paraqesin secilin rast që ka të bëjë me manipulimin e votave , pasi sipas saj Kryeprokurori i Shtetit do të angazhohet për mbrojtjen e votës së qytetarëve.

“Kemi bashkërenduar të gjitha veprimet e planit operativ të brendshëm të Kryeprokurorit të Shtetit, njëkohësisht jemi në zbatim të procedurave standarde të veprimit me Policinë e Kosovës, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që në mënyrë permanente të paraqesin çdo rastë që ka të bëjë me çështjen e manipulimit të votës, ngase Prokurori i Shtetit ka krijuar atë praktik të mirë të mbrojtjes së votës së qytetarëve”,

Ndërsa udhëheqësja a e Panelit për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), Gyltene Sylejmani, tha se deri tani janë përfunduar të gjitha veprimet në lidhje me planin strategjik për sa i përket zgjedhjeve. Ajo bëri të ditur se deri më tani kanë pranuar 86 ankesa.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që nga dita e marrjes së vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare i ka ndërmarrë të gjitha veprimet paraparë në kuadër të mandatit të Panelit. Ka marr vendim për planin strategjik për zgjatjen e orarit të punës dhe deri në këtë fazë të gjitha vendime lidhur me pranin strategjik janë zbatuar. Paneli Zgjedhor po ashtu ka zbatuar planin strategjik lidhur me zbatimin e ankesave dhe Parashtesave deri në këtë fazë të procedurës ka vendosur 86 ankesa”, tha Sylejmani.

Pjesë e këtij takim ishin edhe përfaqësues të Këshillit të Gjyqësorit ku me ç’rast  koordinatorja   nacionale për zgjedhje , Fatime Dermaku, theksoi se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për ditën e zgjedhjeve. Ajo bëri të ditur kanë caktuar 15 gjyqtarët të cilët do të kujdestarojnë atë ditë dhe se janë të gatshëm të përmbushin përgjegjësitë dhe obligimet e tyre.

Daka: Subjektet garuese të respektojnë Kushtetutën dhe rregullat e KQZ-së

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 6 tetor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ftoi subjektet politike garuese që të respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe rregullat e KQZ-së.

Ajo paralajmëroi se personat që dyshohen se kanë kryer vepra penale dhe kanë bërë shkelje zgjedhore, nuk do të përfshihen në administratën zgjedhore.

“Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dua të garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor, sidomos qytetarët tanë se KQZ mbetet e përkushtuar për organizmin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe me standardet më të larta ndërkombëtare. Zgjedhjet e lira dhe demokratike janë angazhimi ynë i përditshëm, sepse qëllimi në fund është që zgjedhjet të gëzojnë besimin e të gjithëve. Edhe subjektet politike kanë përgjegjësinë e tyre të pazëvendësueshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pasi në ditën e zgjedhjeve ky proces është në duart e tyre. Andaj, meqenëse kemi këtu përfaqësuesit e subjekteve politike garuese, dua t’i ftoj edhe ato që të respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha ajo.

Daka tha se vetëm në këtë mënyrë, duke u angazhuar të gjithë, do të arrihet qëllimi që zgjedhjet të gëzojnë besimi ne të gjithëve.

Janë 25 subjekte politike të certifikuara nga KQZ për këto zgjedhje, dhe në zgjedhjet e 6 tetorit numrat e partive politike fillojnë nga 111 deri më 135, renditja e të cilave është bërë sipas shortit të tërhequr sot.

111 – Partia Liberale Egjiptiane

112 – Partia Demokratike e Kosovës

113 – Partia e Ashkalinjëve për Integrim

114 – Stranka Demokratske Akcije

115 – Partija Kosovskih Srba

116 – Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës

117 – Pokret Za Gora

118 – Nova Demokratska Stranka

119- AAK-PSD Koalicioni 100% Kosovë

120 – Sloboda

121 – Samostalna Liberalna Stranka

122 – Nisma Socialdemokrate – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë

Jedinstvena Goranska

124 – Koalicija Vakat

125 – Fjala

126 – Lëvizja Vetëvendosje

127 – Kosova Demokratik Turk Partisi

128 – Partia Rome e Bashkuar e Kosovës

129 – Partia Euroatlantike e Kosovës

130 – Kosovaki Nevi Romani Partia

131 – Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës

132 – Esmir Kaso

133 – Gradanska Inicijativa Gore

134 – Lidhja Demokratike e Kosovës

135 – Srpska Lista

Daka e KQZ-së paralajmëron se mund të mbesim pa zgjedhje: Pa para, s’ka fletëvotime e llampa

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk mund të fillojë asnjë procedurë për organizimin e zgjedhjeve pa alokimin e parave të nevojshme nga Qeveria në largim e Republikës së Kosovës.

Kështu ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila tha se KQZ-ja menjëherë, një ditë pas shpalljes së datës zyrtare të zgjedhjeve, ka bërë kërkesë zyrtare për alokimin e parave të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Ndërkaq, në rast të vonesave eventuale, KQZ-ja, sipas saj, nuk merr ndonjë përgjegjësi për mbarëvajtje të mirë të zgjedhjeve.

“KQZ nuk mund të ndërmerr asnjë hap pa i pasur paratë e alokuara. KQZ-ja nuk mund të marrë përgjegjësi për vonesa, për mosmbarëvajtje të zgjedhjeve. Sepse ne që në ditën e parë dhe që nga momenti kur kryeministri ka dhënë dorëheqje, kemi treguar se meqë (2019) nuk ka qenë vit zgjedhor, KQZ nuk ka mjete për organizimin e zgjedhjeve”, tha Daka.

Buxheti i planifikuar për organizimin dhe mbajtjen e procesit zgjedhor llogaritet të jetë rreth 6 milionë euro.

Ministri në largim i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha paratë e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve ekzistojnë, por që nuk mund të barten pa sqarimet juridike.

Hezitimi i Ministrisë së Financave që t’i alokojë mjetet e nevojshme KQZ-së, ndërlidhet me kërkesën që kryeministri në largim, Ramush Haradinaj i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese me të cilën ka kërkuar interpretimin e funksioneve të qeverisë pas dorëheqjes së tij. Përderisa nuk ka ende një aktgjykim apo vendim të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Financave nuk po i ndanë KQZ-së buxhetin e nevojshëm për zgjedhjet e 6 tetorit.

“Unë besoj se Kushtetuesja duhet të bëjë veprime në kompetencën e saj. Pa u lëshuar në çështjet, detyrat dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, ne do të presim të sqarohet kjo situatë dhe pas sqarimit të situatës të ndërmarrim veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin”, tha ministri Hamza.

Sipas tij, sapo që Kushtetuesja të jap vendimin apo interpretimin hiqen të gjitha pengesat që buxheti për zgjedhje t’i alokohet KQZ-së.

“Pra shuma e mjeteve nuk është problem, mjetet ekzistojnë, janë në buxhet, Ligji për buxhetin e autorizon Ministrinë e Financave t’i realizojë këto transfere, por vetëm kemi nevojë që të sqarohet situata juridike në mënyrë që të merren veprimet e nevojshme”, tha Hamza.

Por, në anën tjetër, Valdete Daka thotë se përderisa Qeveria pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndarjen e buxhetit, edhe KQZ-ja nuk mund të merr asnjë veprim organizativ.

“Ne nuk mund të angazhojmë një operator i cili do të bëjë informimin publik dhe informimin e qytetarëve lidhur më mënyrën e votimit, nuk mund të porositim asnjë mjet apo material zgjedhor, qoftë sensitiv, qoftë josensitiv. Aty hyjnë fletëvotimet, llampat e materiale tjera. Pra, të gjitha materialet të cilat ne nuk i mbajmë rezervë, pasi që ne nuk e dimë kur mbahen zgjedhjet, përveç zgjedhjeve të rregullta”, shprehet Daka.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje, kërkesës së kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, i cili e ka deponuar kërkesën e tij në këtë Gjykatë më 29 korrik.

Fushata e zgjedhjeve të parakohshme zgjat 10 ditë

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot, ka diskutuar mbi organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Njëri ndër vendimet e dala nga kjo mbledhje ishte edhe afati i mbajtjes së fushatës.

KQZ-ja ka vendosur që fushata zgjedhore të fillojë më 25 shtator dhe të përfundojë më 4 tetor, duke iu lënë hapësirë partive politike që fushatën ta zhvillojnë për 10 ditë.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi, ka thënë se ka pasur diskutime për afatin e fushatës zgjedhore.

Zgjedhjet kushtojnë 4 milionë euro, KQZ-ja pa një anëtar

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mirëpo ende i mungon një anëtar nga radhët e koalicionit PAN e kjo gjë nuk pritet ta pengojë procesin zgjedhor. Në bazë të praktikave të mëhershme, KQZ-së në total i duhen 4 milionë euro për ta mbuluar koston e zgjedhjeve.

Në rast të shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, më 22 gusht (e enjte), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm t’i fillojë përgatitjet menjëherë pasi presidenti Hashim Thaçi ta caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Pavarësisht se viti 2019 nuk është pritur të jetë vit zgjedhor, përfaqësues të këtij institucioni thonë se KQZ-ja është e gatshme për zgjedhje, ndonëse sipas tyre ende nuk është caktuar kostoja që do t’i mbulonte shpenzimet e tyre, shkruan më tutje Gazeta Zëri.

Zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017 buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar rreth 4 milionë euro dhe një shumë e përafërt pritet të ndahet përsëri nga “kuleta” e shtetit për organizimin e tyre në këtë vit.

Derisa shumica e partive i kanë tashmë përfaqësuesit e tyre në KQZ, koalicionit PAN i mungon një anëtar në këtë institucion