KOK-u shënon Ditën Olimpike me mbjelljen e drunjve për secilin sportistë

Periskopi.com Sporti

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka shënuar 23 qershorin – Ditën Olimpike, me mbjelljen e mbi 20 drunjve në kampusin e Universitetit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast secila federatë dhe sportistë elitarë, kanë mbjell nga një dru me emrin e tij/saj.

Kryetari i Komitetit Olimpik i Kosovës, Besim Hasani, tha se me mbledhjen e këtyre drunjve synojnë që t’i nderojnë sportistët e Kosovës.

“Pikërisht sot më 23 qershor në ditën Olimpike Komiteti Olimpik i Kosovës iu bashkëngjit iniciativës së Lëvizjes Olimpike Botërore që ta shënoj këtë ditë në forma të ndryshme dhe ne menduam se është një ditë e veçantë”.

“Tani këtu jemi duke i mbjellë pemët me emrat e sportistëve, trajnerëve e drejtuesve olimpik dhe kjo është një mirënjohje ndaj sakrificës së sportistëve dhe trajnerëve për ta nderuar dhe lartësuar imazhin e Kosovës”, tha Hasani.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës në Xhudo, Driton Kuka, tha se simbolika të tilla i kanë ndjekur edhe në Pejë.

“Një simbolik shumë e bukur, ku e kemi ndjekur edhe në një shkollë në Pejë ku kemi qenë të tretë si nxënës dhe pikërisht ka ndodhur më 23 qershor në Ditën Olimpike dhe atë vit e kemi sjellë medalje Olimpike dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të sjellim më shumë medalje”, tha ai.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, uroi që vitin e ardhshëm Kosova të fitojë sa më shumë medalje në Lojërat Olimpike që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

“Kjo ditë simbolizon Lojërat Olimpike të cilat janë sakrificë, guxim e mbi të gjitha bashkëpunim e mirësjellje sportistëve. Sportistëve iu uroj vitin e ardhshëm të jemi në mënyrën më të mirë të prezantuar në Lojërat Olimpike”, tha Kuka.

E kënaqur me këtë simbolike u shpreh, xhudistja Majlinda Kelmendi, raporton EO.

“Jemi mbledh sot me festuar ditën Ndërkombëtare të Lojërave Olimpike dhe mënyra sesi e ka përzgjedhur KOK-u për këtë ditë është shumë e qëlluar, ku secili nga ne e ka mbjell nga një pemë e cila do ta mbajë emrin e secilit”.

“Lojërat Olimpike janë kujtimi më i mirë për mua kështu që kur ka të bëjë për Lëvizje Olimpike vij me shumë kënaqësi”, tha Kelmendi.

Lule mbolli edhe xhudistja tjetër, Nora Gjakova, e cila tha se shpreson që vitin e ardhshëm Kosovës t’i sjellin më shumë medalje.