KRU “Prishtina” bën apel tek konsumatorët për shpenzim racional të ujit të pijshëm dhe t’i paguajnë faturat

Periskopi.com Lajme

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka porositur të gjithë konsumatorët që të bëjnë shpenzim racional të ujit të pijshëm.

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu dhe bordi i kësaj kompania gjatë vizitës së fabrikës për trajtimin e ujit në Shkabaj, porositën konsumatorët që të bëhet shpenzimi racional i ujit të pijshëm.

Gjithashtu, ata thanë se konsumatorët duhet të paguajnë rregullisht faturat e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Sipas njoftimit të kompanisë, ata u njoftuan më për së afërmi me fabrikën, gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës aktuale të rrjetit të ujësjellësit, ujërave të zeza, furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm për komunat në të cilat ofrojmë shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit, bashkërendimin e investimeve, projektet specifike zhvillimore, sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet KRU “Prishtina”.

Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:

Bordi i Drejtorëve të Kompanisë  Rajonale të Ujësjellësit ”Prishtina” sh.a. në përbërje të Betim Berisha / kryesues dhe Bajram Jashari /anëtarë, së bashku me Kryeshefin Ekzekutiv të kompanisë Ilir Abdullahu, zëvendëskryeshefin Kujtim Xhelili dhe zyrtarin kryesor financiar Sokol Duraku, gjatë ditës së sotme zgjodhën të vizitojnë Fabrikën e Trajtimit të Ujit në Shkabaj.

Drejtorët e bordit të ujësjellësit të Prishtinës u njoftuan më për së afërmi me fabrikën më të re të ujit të pijshëm në Republikën e Kosovës, gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës aktuale të rrjetit të ujësjellësit, ujërave të zeza, furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm për Komunat në të cilat ofrojmë shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit, bashkërendimin e investimeve, projektet specifike zhvillimore, sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” , që të gjitha në kontekst të zgjerimit të rrjetit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve ndaj konsumatorëve të tetë komunave.

Ndër të tjerash, ata u zotuan se me të gjitha kapacitetet e tyre profesionale do të jenë mbështetësit kryesorë në realizimin e objektivave të kompanisë, që ndërlidhen direkt me përmirësimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, filluar nga furnizimi me ujë të pijshëm 24 h pa ndërprerë dhe cilësia e ujit bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kyçja e vendbanimeve të reja në sistem ujësjellësi dhe kanalizimi, mënyra të lehta procesuese në pagesat e shërbimeve, intervenime të shpejta në sistemin e rrjetit të ujësjellësit, vendosje e infrastrukturës së re të ujësjellësit, etj.

Mesazhi i tyre drejtuar konsumatorëve ishte mjaft i qartë/

–              Paguani rregullisht faturat e ujësjellësit dhe kanalizimit,

–              Shpenzoni racionalisht ujin e pijshëm, mos e shpërdoroni.

–              Ne ju garantojmë shërbime gjithnjë e më cilësore.

Disa lagje të Prishtinës pa ujë, Kompania e Ujësjellësit tregon arsyet

Periskopi.com Lajme

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ” Prishtina ” sh.a.  njofton konsumatorët e disa zonave të larta furnizuese në Prishtinë se, për shkak të një defekti në njërën nga tre pompat e rezervuarit të Mirëditës në lagjen ” Velania” , sot janë pa ujë të pijshëm, me çrast ka vështirësi  në mbulueshmërinë me furnizim me ujë në pika të larta, si shkak i konsumit të rritur të ujit në këto temperatura të larta.

Zonat e larta që janë të prekur në furnizim me ujë të pijshëm për shkak të defektit në pompën e rezervuarit të “Mirëditës” janë: një pjesë e lagjes “ Vreshtat”, “Tasligje 3”,një pjesë e lartë e lagjes “ Sofalia”, rruga e Bledit dhe pika më e lartë e lagjes “Mati”.

Ekipet e mirëmbajtjes se makinerisë dhe rrjetit të ujësjellësit, tashmë janë duke u marrë me sanimin e defektit në pompë dhe pritet që furnizimi me ujë të pijshëm të rikthehet gjatë orëve të sotme të pasditës.