Thaçi: Aksioni i Policisë në veri goditi krimin e organizuar, jo Serbinë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Forumin “To be secure” në Mal të Zi, ka folur për aksionin e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës kundër kontrabandës – raporton Periskopi.

Thaçi ka thënë se aksioni i Policisë ka qenë kundër një grupi kriminal e kontrabandues, dhe jo fushatë kundër serbëve që jetojnë atje.

“Është bërë zhurmë e madhe për aksionin e Policisë në Veri për kontrabandë. Ballinat e medieve në Beograd ishin fushatë kundër serbëve. S’ka qenë kështu. Ka qenë aksion i luftimit të korrupsionit. Veç pse je serb apo shqiptar nuk nënkupton që duhet me qenë i amnistuar nga krimi. Në veri, serbët po mbesin peng i Beogradit.  S’ka pasur incidente ndëretnike në Kosovë. Kjo është pozitive. Komuniteti shqiptar që jeton në Serbi është më i madh se ai serb në Kosovë. Por, mesazhet tona gjithmonë kanë qenë për integrim”, ka thënë Thaçi.

Thaçi tutje ka thënë se Kosova ka punuar vazhdimisht me komunitetet pakicë, andaj ka kërkuar që askush të mos ndërhyjë në raportet e mira.

“Kosova ka punuar vazhdimisht me komunitetet pakicë. Me të gjitha. Edhe Parlamenti, Qeveria e Presidenca. Kemi multietnicitet edhe shoqëror edhe të përfaqësimit institucional. Dëshirojmë të përfshijmë këtu edhe komunitetin malazez e kroat, varësisht nga ndryshimet ligjore që do të bëhen. Secili është i integruar në komunitetin që jeton. I zgjedh liderët e vetë dhe merr përgjegjësinë që i takon”, ka thënë Thaçi.

Tutje ai ka thënë se Serbia nuk duhet të nxisë për urrejtje e bojkot komunitetin serb në Kosovë.

“Problematike mbeten përpjekjet e shteteve të caktuara që i nxisin për bojkot e keqpërdorim komunitetin e vetë. Këtë po e kemi me komunitetin serb në Kosovë. Viti 2013 ka sjell marrëveshjen e parë mes dy vendeve në Bruksel. Ne kemi organizuar që atëherë zgjedhje, sipas Kushtetutës. U hoqën barrikadat, e atje po funksionojnë Policia e Dogana. Kemi asistuar në masë të madhe edhe në ekonomi. Me shpresë kah Serbia, e në realitet t’u jetu në Kosovë. Të mbështetet komuniteti serb për integrim, e jo për urrejtje”, ka thënë tutje ai./PERISKOPI