PDK kritikon Bytyqin: Largimi i drejtorëve dhe kontratat mbi vepër nuk japin optimizëm për cilësi në arsim

Periskopi.com Lajme

Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika të shumta ndaj ministrit të arsimit, Shyqiri Bytyqi duke konsideruar se sistemi arsimor në Kosovë po vazhdon të ballafaqohet me probleme të vazhdueshme.

Sipas tyre, largimi i drejtorëve, pagesat e dy personave për një pozitë dhe kontratat mbi vepër që po ndodhin brenda Ministrisë nuk japin optimizëm për cilësi në arsim.

Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për gjendjen në arsim dhe vendimet e MAShT-it në emër  të kësaj partie, deputetja Luljeta Veselaj- Gutaj tha se mungesa e vizionit për reforma të vazhduar dhe reduktimi i projekteve ndërkombëtare ka bërë që të ketë regres në ministri.

“Sistemi arsimor në Kosovë aktualisht po ballafaqohet me një varg problematikash duke filluar nga sistemi para universitar deri tek ai universitar. Shqetësuese është reduktimi i projektit të Bankës Botërore për përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës, Esid. Kjo ka ndodhur për shkak të shkallës së ulët  të realizimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që kishte marrë vite më parë nga Banka Botërore. Ky projekt tani më është reduktuar në 3.5 milionë euro dhe kjo ka ndodhur vetëm për shkak të mos punës së mirë që është dashtë të bëhet nga MASHT…të gjeturat faktike që kanë ndodhur në MASHT si largimi i drejtorëve, pagesat e dy personave për një pozitë, kontratat mbi vepër brenda ministrisë nuk japin optimizëm për cilësi në arsim. Largimi i zotëri Idrizi nga pozita e drejtorit për shkak se nuk e ka nënshkruar një dokument i cili ishte dhe shkelte ligjin, suspendohet nga vendi i punës”, tha ajo.

 

 

430 kandidatë nënshkruajnë kontratat për policë të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Katërqind e tridhjetë kandidatë janë përzgjedhur për vijimin e trajnimeve teorike dhe praktike për policë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Në mesin e tyre, 30 përqind janë femra, ndërsa, 26 minoritete. Në këtë konkurs kishin aplikuar 17 mijë e 620 kandidatë.

Fjolla Morina 28 vjeçare, që nga e hëna do të vijojë trajnimet teorike në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Morina është një nga 430 kandidatët potencialë për Polici të Kosovës.

Ajo për KosovaPress ka thënë se që nga prilli i vitit të kaluar, kur edhe kishte filluar procesi i aplikimit për Polici të Kosovës, kishte kaluar në vështirësi të shumta.

“Para cilido testimi edhe përfundimi kur kanë dal listat, gjithmonë kam pas stres edhe më shumë frikë i kam qel uebsajtin me pa. Mirëpo gjithmonë me atë shpresën se dëshira dhe ëndrra ime me qenë police, u kon ma e madhe se sa vështirësitë që i kam kaluar. Edhe pavarësisht frikës që e kam përjetu gjatë procesit, prapë e kam ditë se kam me arrit”, ka thënë Morina.

Ajo tha se ky proces ishte mjaft stresues, mirëpo u shpreh se me zotësi do të mundohet të mbrojë vendin dhe uniformën e Kosovës.

Njëjtë thotë edhe Bujar Shala, i cili tregon se është mjaft i emocionuar për sfidën që do e kalojë.

“Ka qenë një proces mjaft i ngarkum, mjaft i vështirë. Ka pas sfida të mjaftueshme gjatë këtij procesi. Mirëpo, duke marrë parasysh përgatitjet tona, duke marrë parasysh kredibiletin si institucion i policisë, atëherë jemi përgatit mjaftueshëm që të arrijmë të tejkalojmë këto faza. Duke marrë parasysh testin me shkrim, përgatitjet fizike edhe deri te faza finale që ka qenë nënshkrimi i kontratës”, tha ai.

Zëdhënësi për media në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha ka treguar për KosovaPress se sa është numri i përgjithshëm i kandidatëve potencial të zgjedhur për Polici të Kosovës.

“Në konkursin për policë, ka qenë i shpallur në muajin prill të vitit të kaluar, i cili konkurs për aplikim deri më 9 maj të vitit 2018 për zyrtarë policorë kanë aplikuar gjithsej 17 mijë e 620 kandidatë dhe prej tyre kanë qenë 2000 e 366 femra, ndërsa meshkuj kanë qenë 15 mijë e 254. Në listën meritore, me 70 për qind të poenave e më lartë kanë kaluar 2297 kandidatë, ndërsa për nënshkrim të kontratës, për gjeneratën e re, do të thotë, do të jetë gjenerata e 54 e Policisë së Kosovës, janë ftuar gjithsej 430 kandidatë sipas listës meritore “, tha Hoxha.

Që nga 21 janari do të fillojnë trajnimet teorike për të gjithë këta kandidatë, të cilat do të zgjasin shtatë muaj, e më pastaj trajnimet praktike 2 vjeçare.

Hoxha ka folur po ashtu edhe për masat afirmative që janë marrë gjatë këtij procesi.

“Gjatë këtij procesi janë marrë në konsiderim edhe masat afirmative, dhe diku rreth 30 për qind të kësaj gjenerate i përkasin gjinisë femërore. Gjithashtu në kuadër të këtij numri, 430 kandidatë që kanë nënshkruar kontratat, kemi edhe të ri dhe të reja, grupe minoritare, respektivisht 26 janë të nacionalitetit serb, por ka edhe minoritete tjera, të cilat kanë shpreh vullnetin, për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës”, ka përfunduar Hoxha.

Bujar Shala e Fjolla Morina, ndjehen të emocionuar për këtë proces që do të fillojnë gjatë javës së ardhshme. Ata madje zotohen, se gjatë këtyre dy viteve do të mundohen, të arrijnë të marrin aftësitë e duhura, që në të ardhmen t’i shërbejnë Kosovës. /Sh.Pajaziti/

Ndërpriten kontratat abuzive për blerjen e barnave të shtrenjta

Periskopi.com Lajme

Më shumë se 20 milionë euro në vit ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në sektorin publik shëndetësor në Kosovë.

Ndonëse është potencuar nga zyrtarët shëndetësorë se ky buxhet cilësohet si i pamjaftueshëm, ata gjithashtu kanë theksuar faktin se Ministria e Shëndetësisë, prej vitesh ka blerë barna më të shtrenjta sesa çmimi real i tyre në treg.

Prej pasluftës së fundit në Kosovë, lista esenciale me barna asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet në tërësi.

Këtë vit, shumë kontrata të nënshkruara prej vitesh me kompani farmaceutike që kanë furnizuar këtë sektor me barna, janë ndërprerë.

Një kohë, institucionet publike shëndetësorë kanë përjetuar një kolaps sa i përket furnizimit. Megjithatë, shuma që është kursyer ka arritur vlerën prej 6 milionë eurosh.

Debati për furnizimin me barna për institucione publike shëndetësore me çmime shumëfish më të larta se ato reale, ka qenë aktual prej vitesh.

Sektori i shëndetësisë, është potencuar si një prej atyre që mund të konsiderohen si shumë problematik.

Kjo është thënë edhe nga përfaqësuesit e Institutit “Columbus”, një prej organizatave që është marrë me hulumtimet e korrupsionit e që është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe ambasadat e vendeve të Quint-it.

Ata kanë thënë se barnat esenciale të blera nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak të urdhëresave administrative dhe ligjeve në fuqi, kanë ndikuar që buxheti i Kosovës të shpenzojnë nga 10 deri në 2000 për qind më shumë mjete financiare për blerjen e një ilaçi, krahasuar me çmimin real në treg.

Hulumtuesja në institutin ‘’Columbus’’ , Saranda Ramaj, i tha Radios Evropa e Lirë, se ndonëse janë ndërprerë disa nga kontratat abuzive që i kishte Ministria e Shëndetësisë për furnizim me barna, gjendja ende nuk është stabiziluar.Sipas saj, Kosova vazhdon të mos ketë kapacitet për të matur cilësinë e barnave, e gjithashtu as dokument që e rregullon në mënyrë ligjore blerjen e tyre.

“Është një lajm i mirë që Ministri i Shëndetësisë ka refuzuar që t’i nënshkruajë kontratat që kanë qenë abuzive. Megjithatë nuk është siguruar stabilitet në blerjen e barnave meqë është një udhëzim administrativ, të cilin Ministria e Shëndetësisë dhe ministri Uran Ismaili, e kanë proklamuar shumë si udhëzim administrativ të mirë, e që pajtohem, por ende nuk kemi nënshkrim për këtë udhëzim që nga prilli i këtij viti”.

“Ky udhëzim nënkupton që ende kompanitë farmaceutike mund të abuzojnë me çmime, pasi nuk ka bazë ligjore që e rregullon ofertimin e kompanive farmaceutike me çmim në tenderët publik, saktësisht në Ministrinë e Shëndetësisë”, theksoi ajo.

Si problem tjetër, përmendet edhe udhëzimi administrativ, i cili nuk e parasheh çmimin minimalisht të ulët për barna, që vlerësohet se është po aq problematik si çmimi maksimalisht i lartë, pasi që mund të abuzohet duke sjellë barna me cilësi të ulët, e që nuk i kalojnë filtrat e cilësisë.

“Kjo më pas e heq nga konkurrenca një produkt të një kompanie më prestigjioze me produkt më cilësorë. Kemi pasur rastin me Klinikën e hemodializës ku kompania e furnizimit është nga Bangladeshi dhe cilësia nuk i dihet”, tha Ramaj.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se ndonëse nuk ka dalë raporti përfundimtar i kursimeve, rreth 6 milionë euro janë kursyer me ndërprerjen e kontratave që Ministria i ka pasur në të kaluarën.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, bëri të ditur se edhe udhëzimi administrativ, i cili e rregullon në mënyrë ligjore blerjen e barnave, së shpejti do të nënshkruhet, pasi që janë kryer procedurat e nevojshme.

“Duke parë parregullsitë që kanë ndodhur me blerjen e barnave , Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë veprime konkrete duke krijuar edhe një udhëzim administrativ, i cili rregullon çmimin e barnave në vend. Ky udhëzim është në përfundim, e kemi dërguar edhe në dëgjim publik, kemi marrë edhe komente dhe tani jemi në fazën e fundit”.

“Më pas MSH-ja do ta ketë një udhëzim që rregullon në mënyrë ligjore blerjen e barnave në vendin tonë. Të gjitha kontratat që janë ndërruar, janë nënshkruar me çmime më të ulëta dhe kursimi i parave është diku rreth 6 milionë euro, ndonëse ende nuk është bërë raporti i plotë i detajuar”, bëri të ditur Matoshi.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se sa i përket furnizimit me barna, gjendja është përmirësuar.

“Nga lista esenciale e barnave, furnizimi aktualisht është diku rreth 70 për qind dhe 50 për qind me material shpenzues, por gjithmonë duhet të përmirësohet më tepër gjendja. Disa kontrata që ka pasur Ministria e Shëndetësisë për furnizim me barna, kanë qenë me afate të skaduara, derisa të tjera të tejkaluara”.

“Tashmë janë bërë disa ndërprerje të kontratave për shkak të buxhetit, çmimit më të lartë se ai real dhe nga gjithë kjo kemi pasur një benefit, kemi pasur përfitim sa i përket buxhetit pikërisht për shkak të ndërprerjeve të këtyre kontratave. Ka shkaktuar pak vakuum, por gjendja me furnizim me barna po shkon duke u përmirësuar. Me ndërprerjen e këtyre kontratave përfitimet në buxhet kanë qenë rreth 6 milionë euro”, tha Sejdiu.

Sidoqoftë, barnat edhe nëpër barnatoret e Kosovës, nuk kanë çmime të unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucionalë, ndodh për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje. Ata thonë se laramania e çmimeve nëpër barnatore është evidente, dhe një gjë e tillë ndodh për shkak të tregut të lirë që ekziston në Kosovë.

Gjithashtu, barnat mund të shiten në barnatoret e Kosovës, përfshirë edhe ato narkotike dhe psikotrope pa recetën e mjekut. Këtë e thonë vetë zyrtarë të lartë institucionalë, sipas të cilëve, kjo çështje do të rregullohet me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore.

 

Publikimi i kontratave zbulon marrëveshjet korruptive me paranë publike

Periskopi.com Lajme

Ditë më parë dhjetë komuna të vendit morën vendim t’i publikojnë kontratat e prokurimit në uebfaqe, praktikë e cila është kërkuar tash e sa kohë nga OJQ-të, mediet e qytatarë të shumtë.

Tani, secili qytetar mund të shkarkojë një kontratë online në ueb-faqet e këtyre komunave: Gjakovë, Pejë, Vushtrri, Gjilan, Prishtinë, Ferizaj, Skenderaj, Istog, Hani i Elezit, Klina.

Isuf Zejna nga “Democracy Plus”, thotë se efektet e publikimit të kontratave do të jenë të drejtëpërdrejta si në zvogëlimin e hapësirës për korrupsion, rritjen e përgjegjësisë së zyrtarëve dhe monitorimin efektiv të prokurimit.

“Korrupsioni gjen vend aty ku nuk ka transparencë, nuk ka kontroll, ku njerëzit që kanë nevojë dhe duan të përfitojnë nga korrupsioni e gjejnë mundësinë. Deri më tani prokurimi për shkak të kontrollit të dobët, ka qenë hapësirë e gjelbër dhe shumë pjellore për korrupsionin dhe keq menaxhim të fondeve. Kontrolli i publikut është bllokuar në çdo rast duke mos ofruar qasje në dokumente zyrtare. Dhe në momentin kur mbikëqyrësit nuk kanë dokumente, krejt çka u mbetet të bëjnë është të spekulojnë. Tani më në Gjakovë, Pejë dhe Gjilan askush nuk varet nga vullneti i zyrtarëve për ofrim të qasjes në dokumente dhe kufizimet e formave të ndryshme. Deri tani, në shumë raste janë aplikuar pagesa apo taksa për fotokopjimin e dokumenteve, janë aplikuar afate të zgjatura për ofrim të qasjes, është ofruar qasje e kufizuar duke ofruar vetëm shikimin e dokumenteve dhe jo edhe marrjen e kopjes.”, ka thënë Zejna në një prononcim për Indeksoline.

Sipas tij, situtata ndryshon shumë me publikimin online të kontratave, pasi që japin mundësinë të gjykojmë nësë komuna ka prokuruar drejt ose jo.

“Shembull, komuna e Pejës dhe ajo e Gjilanit nuk kërkojnë garancione në blerjen e produkteve, apo se Gjakova paguan më shtrenjtë që veturat e komunës të dërgohen në Prizren për tu riparuar. Të gjitha këto ngrisin pyetje për zyrtarët publik, se pse kanë ndodhur dhe si duhet të shmangen në të ardhmen kontratat e tilla. Nëse kemi të bëjmë me raste të korrupsionit, vetë komuniteti do të mund të denoncojë zyrtarët për keqpërdorime. Qasja në kontrata publike, na ofron mundësinë të shohim se kush ka fituar kontratë, me çfarë kushte, për çfarë afati, në çfarë vlere, çfarë cilësie, si dhe cilat janë obligimet e kontraktorit. Këto pastaj na japin mundësinë të gjykojmë vet nëse komuna ka prokuruar mirë apo jo, e për më tepër na japin mundësinë të shohim nëse kontratat e mira në letër po zbatohen në praktikë. “, ka theksuar ai.

Zejna konsideron se ky publikim do t’i shërbejë monitoruesve të prokurimit që aktualisht janë kryesisht OJQ-të dhe mediat por në të ardhmen mund të jetë edhe vetë komuniteti.

Nga ana tjetër, edhe Diana Metushi- Krasniqi nga KDI konsideron se kontratat publike janë një nga rreziqet më të mëdha në botë për korrupsion, mashtrim e keqpërdorime, derisa ka pëgëzuar pesë komunat e para për të hapur kontratat.

“Hapja e kontratave është një nga elementet kyçe në luftën kundër korrupsionit, andaj ne kërkojmë hapjen e kontratave nga të gjitha institucionet në Kosovë. Publikimi i kontratave i mundëson gazetarëve dhe shoqërisë civile të zbulojnë marrëveshjet korruptive dhe të identifikojnë rastet e keqmenaxhimit me paranë publike. Njëkohësisht, i mundëson qytetarit të marr një rol aktiv në qeverisjen e mirë, duke i dhënë një mundësi të monitoroj investimet që bëhen në lagjen, qytetin dhe institucionin e vet, dhe duke ngritur zërin për parregullsitë, sidomos kur kemi parasysh se qytetari është ai që paguan dhe që shfrytëzon këto investime.”, ka thënë Metushi në një bisedë për Indeksonline.

Metushi- Krasniqi,  tregon nëse është i mjaftueshëm vetëm publikimi i kontratave në këtë rast.

“Për të pasur një proces transparent të prokurimit publik, ne kërkojmë nga institucionet që të hapin edhe dokumentet në vijim, të cilat kompletojnë hapjen e kontratave, 1) Planifikimi i Prokurimit (nga të gjithë Autoritetet Kontraktuese), 2) Hulumtimi i Tregut (të paktën në prokurimet qendrore, kontratat me vlerë të mesme dhe të lartë, dhe investimet kapitale), 3) Zotimin e Fondeve; 4) Raportin e Komisionit Vlerësues të ofertave, 5) Ankesat dhe Vendimet e nivelit të parë, 6) Raportet e Menaxhimit të Kontratave, 7) Faturat, dhe 8) Raportet e Pranimit të punëve. Duke pasur parasysh investimet e vazhdueshme në ngritjen e performancës së platformave digjitale në Kosovë, dhe rritjen graduale të vullnetit qeverisës për transparencë dhe llogaridhënie, besojmë se këto dokumente do të bëhen publike në një të ardhme të afërt, dhe format të definuar nga Partneritteti për Kontrata të Hapura, dhe Partneriteti për Qeveri të Hapura, ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2014.”, ka shtuar ajo.

Kujtojmë se publikimin e kontratave e para e nisi komuna e Gjakovës. Ndërkohë që me kontrata të mbyllura vazhdojnë të punojnë edhe shumë komuna të tjera.