Koronavirusi kinez, Kosova nuk ka regjistruar asnjë rast të konfirmuar

Periskopi.com Lajme

IKSHPK, duke u bazuar në situatën aktuale epidemiologjike dhe informatat nga terreni, rreziku për depërtimin eventual të koronavirusit në Kosovë vazhdon të mbetet i ulët dhe se Departamenti i Epidemiologjisë po bënë mbikëqyrjen aktive dhe gjurmimin e rasteve.

Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse gjatë një mbledhje sot, ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri dhe se është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT.

Instituti Kombëtar ka rekomanduar të gjitha institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, MASHT-in, Policinë e Kosovës, AUV dhe punëtorët shëndetësorë që të ngritin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe drejtpërsëdrejti në IKSHPK.

Të gjitha institucionet shëndetësore të vazhdojnë të zbatojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (2005), rekomandimet e OBSH dhe ECDC.

Instituti Kombëtar do të informojë rregullisht Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Agjensionin e Emergjencave dhe OBSh-në për ecurinë epidemiologjike të Novel Coronavirus (2019-nCoV) në Republikën e Kosovës.

Në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është ekipi mjekësor, me të cilët IKSHP janë në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.

Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit.

Situata epidemiologjike me koronavirus në botë sipas ECDC deri më sot në nivel global janë raportuar gjithsej 17.383 raste të konfirmuara me 2019 nCoV. Në Kinë gjithsej 17.220 raste të konfirmuara me 362 vdekje. Nga 362 raste të vdekjes, 361 janë në Kinë dhe një rast në Filipine.

Jashtë Kinës janë 163 raste të konfirmuara dhe 24 shtete të përfshira. Në Evropë janë raportuar 25 raste të konfirmuara në Gjermani, Francë, Itali, Mbretëri të Bashkuar, Rusi, Finlandë, Spanjë dhe Suedi.

Masat e parandalimit të koronavirusit:

-Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.

– Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

– Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Hidhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.

– Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.

-Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.

-Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.

-Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda dy javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.

– Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.

IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme.

Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me koronavirus në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime për të cilat opinioni do të informohet me kohë, thuhet në njoftimin për media të IKSHP-së.

A ka raste të koronavirusit në Kosovë? – Flasin nga QKUK-ja

Periskopi.com Lajme

Virusi vdekjeprurës ka ngjallur shqetësime edhe në Kosovë.

Nuk ka vend për shqetësim gjatë ditës së sotme në disa media u raportua se një rast që po trajtohet në QKUK, po dyshohet për infektim me koronavirus.

Këtë gjë e ka mohuar infektologu i kësaj klinike, Valbon Krasniqi, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë rast që dyshohet se është infektuar me këtë virus.

“Mund të konfirmoj se në Klinikën Infektive nuk kemi asnjë pacient të dyshuar me koronavirusin e ri”, ka deklaruar Krasniqi për rtv21.

Deri më tash janë raportuar 306 vdekje nga virusi korona, e mbi 11 mijë persona, shumica e tyre në Kinë, janë infektuar me këtë virus.