Kombëtarja e grave me optimizëm përgatitet për ndeshjen kundër Estonisë

Periskopi.com Sporti

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave në futboll i ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Estonisë.

Dardanet janë grumbulluar dje në hotel “Venus”, derisa sot kanë kryer dy seanca stërvitore në stadiumin “Agron Rama” nën drejtimin e përzgjedhëses Afërdita Fazlija dhe asistentëve Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli.

Për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe për shkak të pandemisë, Kombëtarja në duel me estonet do të hyjë me futbolliste të klubeve të Superligës, me përjashtim të Erëleta Memetit dhe Edona Kastratit që iu kanë bashkëngjitur ekipit gjatë ditës së sotme.

Ndonëse me një grup të ri të futbollisteve dhe me forca nga kampionati vendor optimizmi për sukses nuk mungon.

Entuziazmi, vullneti dhe dëshira për paraqitje sa më dinjitoze vërehet te secila prej lojtareve të grumbulluara, por brengë mbetet forma fizike, duke pasur parasysh se aktiviteti i futbollit të femrave në Kosovë është ndërprerë që një kohë të gjatë për shkak të pandemisë. Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Estonisë do të zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Deklaruan pas stërvitjes:

Afërdita Fazlija: Për këtë grumbullim kemi pasur shumë peripeci, ngase kemi qenë të kufizuar vetëm në lojtare nga kampionati vendor. Madje, është dashur që edhe para grumbullimit t’i bëjmë testet për Covid-19 dhe realisht deri pas daljes së rezultateve nuk kemi qenë të sigurt se cilat lojtare do t’i kemi në dispozicion. Prandaj, ky grumbullim nuk ka dallim prej jetës aktuale që po e kalojmë gjithsecili prej nesh si pasojë e pandemisë. Jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në botë pandemia e ka prekur më shumë futbollin e femrave. Përveç lojtareve të Mitrovicës që kanë stërvitur në grup, lojtaret e tjera janë përpjekur ta mbajnë formën e tyre vetëm me stërvitje individuale, prandaj ajo që më brengos më shumë është se sa do të arrijmë të jemi në nivelin e duhur fizikisht. Estonia është një ekip solid dhe që ka përvojë shumë më të gjatë se ne, por ne nuk do të jemi indiferent dhe do të hyjmë për fitore. Prej sot optimizmi është edhe më i madh, ngase na janë bashkuar Erëleta Mehmeti dhe Edona Kastrati.

Erëleta Mehmeti: Ndeshjen e parë në Estoni e kemi fituar 2:1. Besoj se edhe këtë herë do të fitojmë, edhe pse do të na mungojnë shumë lojtare. Personalisht jam e lumtur që ia dola t’i bashkohem ekipit, ndonëse me shumë vështirësi për shkak të pandemisë. Tani na mbetet që të punojmë në stërvitje sa më shumë dhe të shfaqemi ekip sa më kompakt gjatë lojës.

Edon Kryeziu: Ndeshjen e parë kundër Estonisë e kemi fituar edhe pse me mjaft vështirësi. Tani situata është më ndryshe sepse luajmë me lojtare vendore, por do të mundohemi maksimalisht për të fituar. Sigurisht se nuk do të jetë aspak e lehtë për t’ia arritur këtij qëllimi sepse kemi mungesa të shumta dhe po ashtu edhe disa prej lojtareve nuk kanë zhvilluar kohë të gjatë ndeshje dhe as stërvitje në grup. Sidoqoftë, tek secila prej nesh ka optimizëm dhe do të bëjmë çmos për ta mbyllur suksesshëm këtë ndeshje.

Vashat ‘Dardane’ nuk kanë të ndalur: Demolojnë Uellsin dhe arrijnë në finale

Periskopi.com Sporti

Vashat e përzgjedhura të Kombëtares e Kosovës së përbërë prej vashave U16, U19 e U23, nga përzgjedhësi Kushtrim Munishi, kanë përmbyllur fazën e grupeve të turneut ndërkombëtar për femra “IL CALCIO E’ ROSA” me tri fitore.

Ato kanë mundur Bolzanon me rezultat 3:0, pastaj dërmuan Lazion C. R, 8:0 dhe në ndeshjen e tretë ngadhënjyen kudër Uellsit me 5:0 dhe porta e Dardaneve mbeti e paprekur.

Sikur në dy ndeshjet tjera edhe në këtë ndeshje futbollistet tona treguan cilësi, të kurorëzuar edhe me gola, duke zbatuar detyrat e vëna nga përzgjedhësi Munishi dhe shtabit teknik me disiplinë të lartë, korrektësi e  syçeltësi. Në ndeshjen e sotme Dardanet  e nisën serinë e  golave në minutën e 20-të përmes Verona Berishës, ndërkaq në minutën e 23 Laureta Temaj ngriti epërsinë në 2:0.

Që pjesa e parë të përmbyllet me rezultat 3:0 u kujdes, Loreta Lulaj në minutën 38-të. Pjesa e dytë po ashtu nisi me mbizotërim nga ana e vashave të Kosovës, kështu dhe shënuan edhe dy gola.

Së pari në minutën e 72-të shënoi Njomëza Osmani për 4:0, ndërsa në 5:0 rezultatin e vulosi Fortesa Berisha në minutën e 78-të, e cila bashkë me Loreta Lulajn kanë shënuar në tri ndeshjet nga një gol. Kombëtarja e Kosovës nesër prej orës 10.00 takohet në finale me Moldavinë.

Vashat kosovare shkatërrojnë Lazion me një rezultat absolutisht poshtërues

Periskopi.com Sporti

Në një ndeshje për mbamendje, ku çdo gjë ishte e menduar dhe studiuar me tru dhe e zbatuar me këmbë në fushën e gjelbër,

Kombëtarja e Kosovës e femrave e përbërë prej vashave U16, U19 e U23, ka triumfuar ndaj Lazios C (përbërja nga rajoni i Lazios) me rezultat të thellë 8:0 në kuadër të turneut ndërkombëtar për femra “IL CALCIO E’ ROSA”.

Pas fitores 3:0 kundër Balzanos, vashat tona në këtë ndeshje dëshmuan edhe më shumë cilësi duke ngadhënjyer ndaj vashave të Lazios, të cilat me gjithë përpjekjet e vazhdueshme  nuk arritën të shënojnë të paktën golin e nderit edhe për fakton se gardiania e Kosovës Florentina Kolgeci ishte gjithmonë në vendin e duhur.

Dardanet e nisën serinë e golave qysh në minutën e 7-të përmes Laureta Lulajt.

Për rezultatin 2:0 u përkujdes kapitenia Edona Kryeziu që shënoi në minutën e 30-të, ndërkaq në minutën e 33-të Verona Berisha shënon golin e tretë për ta përmbyllur pjesën e parë me rezultat 3:0. Edhe pjesa e dytë nisi furishëm nga vajzat e Kosovës, të cilat shënojnë për rezultatin 4:0 në minutën e 44-të përmes Kaltrinë Biçkaj.

Futbollistja e cila shënoi edhe në ndeshjen kundër Balzanos, arriti të shënojë sërish në minutën e 48-të duke ngritur epërsinë në 5:0.

Futbollistet e Kosovës nuk u ndalen për asnjë çast por vazhduan të sulmojnë, kështu në minutën e 60-të Donika Graiçevci shënoi për 6:0. Ndërkaq, ishte Njomëza Osmani ajo e cila shënoi për epërsinë 7:0 dhe fundit në listën e shënueseve u regjistrua mesfushorja jonë më e mirë Blertë Shala e cila në minutën e 77-të përmbylli këtë ballafaqim me rezultatin përfundimtar 8:0.

Të kujtojmë se ndeshjet janë zhvilluar nga 40 minuta secila pjesë.

Nesër vashat e kanë ditë pushim, ndërsa ndeshjen e radhës do ta zhvillojnë pasnesër më 20 shkurt kundër Uellsi C në orën 14.30.

Anulohet ndeshja Kosovë-Rusi për shkaqe sigurie

Periskopi.com Sporti

UEFA e ka shtyrë ndeshjen kualifikuese për Kampionatit Evropian për femra që mbahet në vitin 2021 mes Kosovës dhe Rusisë.

Ka qenë ueb faqja e Federatës së Futbollit të Rusisë që e ka publikuar lajmin.

“UEFA i ka treguar RFU-së për shtyrjen e ndeshjes kualifikuese CH2021 midis ekipeve kombëtare të femrave të Kosovës dhe Rusisë, të planifikuar për 4 tetor në Prishtinë”.

Federata e Futbollit të Rusisë: Nuk zhvillohet ndeshja ndaj Kosovës

“Ky vendim u morë për arsye sigurie. Data dhe vendi i ndeshjes do të përcaktohet më vonë, pas përfundimit të kontrolleve shtesë”, thuhet në komunikatën e Federatës së Futbollit të Rusisë.

Ende nuk ka asnjë reagim nga FFK-ja për anulimin e kësaj ndeshje.

Kosova dhe Rusia janë në Grupin A, në turneun kualifikues të Kampionatit Evropian.

Rusia ka 6 pikë dhe ndajnë vendin e parë në grup me holandezët. Kosova ka 3 pikë dhe është në vendin e 4-t. /Periskopi.com/