Ambasadori mban pozitën pas mandatit, MPJ e paguan 53 mijë euro

Periskopi.com Lajme

Buxheti final për paga dhe mëditje për vitin 2018 për Ministrinë e Punëve të Jashtme ishte 7,044,411 euro.

Ky buxhet është shpenzuar në tërësi për paga dhe mëditje të zyrtarëve të kësaj ministrie.

Edhe një ambasador i kësaj Ministrie është paguar edhe pas përfundimit të mandatit katër vjeçar pa pasur vendim për vazhdimin e tij, transmeton Indeksonline.

Për Ambasadorin të cilin nuk e ka bërë të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit, janë shpenzuar mijëra euro, ani pse nuk ka pasur vendim për zgjatjen e mandatit të tij.

Bazuar në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, përkatësisht nenit 22, përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhë katër vjeçare, ose siç kërkohet ndryshe për të përmbushur nevojat e Ministrisë. Sipas të njëjtit ligj, zgjatja e mundshme e mandatit është në diskrecion të Ministrit.

Auditori për shërbimin e jashtëm diplomatik të MPJ-së, ka gjetur se një Ambasador i cili ishte emëruar me datën 28.06.2013 përmes Dekretit të Presidentit, vazhdon të ushtroj detyrën e Ambasadorit dhe të marrë pagë në të njëjtin mision, edhe pse nuk ka një akt më të cilin do të vazhdohej kohëzgjatja e qëndrimit në atë mision.

Paga vjetore e marrë nga Ambasadori në vitin 2018 është 53,021€. ZKA ka kërkuar sqarime nga Ministria, por që nuk iu është dhënë ndonjë arsyetim i vlefshëm se pse ka ndodhur kjo.

Mbajtja e pozitës së Ambasadorit në mënyrë të pa autorizuar, mund të ndikoj që shteti të përfaqësohet nga personat zyrtar që nuk kanë vendime (dekrete) të vlefshme, dhe të paguhen pa ndonjë bazë të qartë ligjore.

“Ministri duhet t’i shqyrtoj rastet e tilla dhe të siguroj që personeli diplomatik, përfshirë edhe ambasadorët, posedojnë bazën e duhur ligjore për veprim në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive në misionet diplomatike, konform Ligjit për Shërbimin e Jashtëm”, thuhet në këtë raport.

Kësi raste ka pasur edhe në vitin e kaluar, ku ZKA kishte rekomanduar që diskrecioni i ministrit të formalizohet me një akt, vendim apo shkresë që do të autorizonte vazhdimin e mëtejmë të mandatit.