8 ekstremistë grekë nuk lejohen të hyjnë në Shqipëri për varrim të Kacifas

Periskopi.com Lajme

Sot, në Bularat të Gjirokastrës do të zhvillohet ceremonia e varrimit të 35-vjeçarit Kostandinos Kacifas, i cili mbeti i vrarë 10 ditë më parë nga RENEA, pasi qëlloi mbi forcat e policisë dhe nuk iu bind thirrjes për t’u dorëzuar.

Ngjarja ka sjellë shumë reagime në Tiranë dhe veçanërisht në Athinë dhe sot, në ceremoninë e varrimit do të jenë me dhjetëra grekë dhe minoritarë.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, janë 8 personat që nuk janë lejuar të hyjnë në Shqipëri. Ata mbanin bluza me shkrime antishqiptare dhe për këtë arsye u është mohuar hyrja në vendin tonë.

Ndërkohë, Policia e Gjirokastrës ka vendosur që të qëndrojë sa më larg fshatit Bularat gjatë ditës së sotme, në mënyrë që të shmanget çdo lloj incidenti.

Situata në fshat është e qetë, por e pazakontë për një vend si Bularati. Sot është kthyer në një vend pelegrinazhi, pasi kanë ardhur shumë grekë dhe persona të njohur të Kostandinos Kacifas. Ndërsa mediat greke e kanë kthyer qendrën e fshatit në një platformë nga ku raportojnë pa ndërprerje.

Në orën 13:00 do të mbahet mesha në kishën e fshatit, ndërsa në orën 14:00 bëhet varrimi.

Deri në orën 09:00 kanë ardhur në Bularat 5 autobusë me grekë.