Kotzias sulmon ashpër Moskën: Stop diplomacisë së kotecit

Periskopi.com Lajme

Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias ka deklaruar se kohët tashmë kanë ndryshuar dhe Greqia nuk ka arsye të qëndrojë urtë si pulë përballë shteteve të mëdha qoftë në lindje apo në perëndim. Deklarata u bë si një përgjigje ndaj kërcënimeve të Moskës se dëbimi i diplomatëve rusë do të ketë pasoja të rënda për Athinën.

“Vendi ynë është i vendosur të dërgojë një mesazh si Lindjes ashtu dhe Perëndimit, për të gjithë ata që janë miqtë tanë, por edhe për ata të cilët nuk janë , se për këdo që shkel parimet e sovranitetit dhe respektin ndaj Greqisë do të merren masa përkatëse. Ka kaluar koha kur diplomaci konsiderohej të jesh si pulë. Kjo është një diplomaci koteci dhe jo politikë e jashtme.”

Shefi i diplomacisë greke thotë se nuk është aspak i shqetësuar për tensionin e krijuar së fundmi në marrëdhëniet greko-ruse.

“Sergej Lavrov, të cilin unë e konsideroj një nga diplomatët më të mirë në skenën ndërkombëtare dhe me të cilin kam një marrëdhënie miqësore më kërkoi ta ftoj në Greqi për të përgatitur udhëtimin e Kryeministrit AleksisTsipras, në Moskë. Unë ju them se Lavrov di se ç duhet të bëjë, nëse dëshiron le të vijë, nëse nuk dëshiron të mos vijë, ai do të jetë i mirëpritur gjithsesi. Nëse ai mendon se ai duhet të identifikohet me ata persona që kemi deportuar ose me ata që nuk lejohen të hyjnë në Greqi, është çështje e tij, çështje e Rusisë, nëse ajo dëshiron të identifikohen me ta apo jo.”

Ministri i jashtë grek foli dhe për marrëveshjen me Maqedoninë për emrin, duke e cilësuar Maqedoninë si shteti i pare në botë pas Luftës së Dytë Botërore, i cili ndryshon emrin. Kocias theksoi se nuk është aspak e thjeshtë për qytetarët e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë të ndërmarrin një vendim të tillë.