Finlanda si kryesuese e BE’së: Kosova të përmbush kriteret për vizat

Periskopi.com Lajme

Andrius Kalindra, nga Ministria e Jashtme e Lituanisë, ka deklaruar se e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa Virpi Kankare, nga Ministria e Jashtme e Finlandës, shtet ky që nga fillimi i këtij muajit e ka marrë kryesimin e Presidencës së BE-së, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga përmbushja e të gjitha kritereve.

Shtetet e Bashkimit Evropian po vazhdojnë të mos jenë me një zë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Gjersa disa prej tyre e mbështesin heqjen e vizave, një numër i caktuar i shteteve që janë pjesë e BE-së nuk po lëvizin ende nga pozicioni i deritanishëm – kundër vizave. Zyrtarë të lartë të Finlandës, shtet ky i cili më 1 korrik të këtij viti ka marrë kryesimin e Presidencës së BE-së, kanë thënë për “Zërin” se liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga përmbushja e kritereve të vëna, kurse vendimi final për këtë proces varet nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Ndërkohë, meqë Britania e Madhe nuk është pjesë e Zonës Shengen, zyrtarë të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë kanë thënë se ky shtet nuk merr pjesë në vendimet që lidhen me liberalizimin.

Kurse përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Lituanisë kanë pohuar për “Zërin” se e mbështesin heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.

 

Shefja e BE’së mesazh Kosovës: Mbani 95 kriteret për vizat, keni durim

Periskopi.com Lajme

Natalya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë ka thënë se Kosova i ka përmbushur 95 kritere që janë kërkuar nga Komisioni, por derisa koha kalon, të gjitha këto 95 kritere duhet mbajtur.

“Sa herë që pyetem për liberalizimin e vizave, unë kërkoj që të ketë durim. E di që durimi ka kufi, por kam një mesazh të rëndësishëm që dua t’ua jap edhe qeverisë dhe institucioneve”, ka thënë Apostolova në KTV.

Ajo ka treguar se  Kosova i ka përmbushur 95 kritere që janë kërkuar nga Komisioni, por derisa koha kalon, të gjitha këto 95 kritere duhet mbajtur.

“Këto kritere janë vendosur për ta afruar Kosovën me standardet evropiane në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar. Ajo që duhet është që kriteret të mirëmbahen, sepse vetëm në këtë mënyrë shtetet anëtare të BE-së do të binden që Kosova është e gatshme të fitojë liberalizimin e vizave”, ka thënë ajo.

 

Komunat s’po përmbushin kriteret bazë, me zor drejt BE’së

Periskopi.com Lajme

Komunat e Kosovës ende s`i kanë përmbushur mbi 30 për qind të kritereve bazë që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) për integrimet evropiane. Dështimet më të mëdha janë në sferën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe të pronës rurale.

Deri tani llogaritet se komunat kanë përmbushur 67 për qind të kritereve të BE-së të kërkuara nga to, por që të gjitha kanë të bëjnë me plotësimin e kushteve teorike, shkruan sot “Koha Ditore”. Kur të dilet në aplikimin e këtyre kritereve në praktikë, atëherë do të vihen në pah sfidat më të mëdha, thonë njohësit e kësaj fushe.

MSA-ja, një dokument i ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës në nëntor 2015, e obligon Kosovën të ndërmarrë një varg masash dhe reformash me qëllim të integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Janë 146 masa që bien nën përgjegjësinë e komunave të Kosovës.

Të gjitha kriteret që duhet t’i përmbushë Kosova, e rrjedhimisht edhe niveli lokal që dalin nga MSA-ja, ndahen në kritere ekonomike, politike dhe ato të standardeve evropiane.

 

Avramopoulos: Kosova i përmbushi kriteret, por liberalizimi mos të keqpërdoret (Video)

Periskopi.com Lajme

Komisionioneri evropian Dimitris Avramopoulos, në një konferencë para medieve, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim vizash. Nuk ka qenë e lehtë për institucionet e Kosovës. Vendosmëria politike u shpagua për Kosovën”, tha ai.

Avramopoulos tha se demarkacioni ka qenë një hap i rëndësishëm drejt procesit për liberalizim të vizave. E po ashtu tha se Kosova ka plotësuar edhe kriterin për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin ka qenë një hap i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Kosova ka plotësuar kushtet në luftimin e krimit dhe korrupsionit të organizuar. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për vizat. Tani ka mbetur që Këshilli dhe Parlamenti Evropian ta miratojnë propozimin e vitit 2016”, tha ai.

Ai nuk la pa përmendur edhe detyrimet që vijnë me këtë proces, duke porositur që të mos keqpërdoret.

“E them: liberalizimi vjen me të drejta dhe obligime. E kemi edhe mekanizmin për suspendimin e liberalizimit të vizave, dhe kjo vlen edhe për Kosovën nëse keqpërdoret. Ky është një fillim për një bashkëpunim më të ngushtë mes Kosovës dhe BE-së në të gjitha aspektet”, tha ai. /Periskopi/

Avramopoulos: Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash

Periskopi.com Lajme

Dimitris Avramopoulos, Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, në një shkrim autorial dërguar “Kohës Ditore” që do të botohet në numrin e nesërm, ka thënë se Kosova ka arritur progres dhe kriteret për liberalizim vizash janë plotësuar.

“Një kapitull i rëndësishëm në historinë tonë të përbashkët: Kosova i plotëson kriteret për liberalizim të vizave”, ka thënë Avramopoulos.

“Pas shumë vitesh e muajsh të përpjekjeve dhe punës së madhe, Komisioni tashmë konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Tash, ne inkurajojmë Këshillin dhe Parlamentin Evropian që të lëvizin përpara me propozimin tonë. Unë vërtetë shpresoj se jemi shumë pranë një regjimi pa viza për të gjithë rajonin, i cili do të vendoset shumë shpejt”, ka theksuar Dimitris Avramopoulos, Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë.

Kadri Veseli, kryeparlamentar i Kosovës, pas takimit të sotëm me Mogherinin, tha se rekomandimi për liberalizim vizash është hapi i parë drejt hyrjes në fuqi të vendimit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Parlamenti Evropian, më 29 apo më 30 gusht do të mblidhet për të miratuar vendimin e KE-së, e më pas të shkojë edhe tek Këshilli i Ministrave të BE-së që të kalojë edhe në nivel të ministrave të Rendit, ku tha se do të jetë pak më vështirë, “por jemi me shpresë të madhe që me sot po e përmbyllim një temë shumë të rëndësishëm për qytetarët e vendit – lëvizja e lirë”.

Lidhjet familjare e partiake, kritere kryesore për punësim në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Të rinjtë në Kosovë vazhdimisht ballafaqohen me vështirësi për të siguruar një vend pune, sidomos në sektorin publik. Përveç diplomës universitare, përcaktues kryesor në punësim në sektorin publik, sipas tyre, janë lidhjet familjare dhe ato partiake.

Vlora ka dy vite që ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik dhe ka aplikuar në disa konkurse. Por, ajo dyshon se ryshfeti dhe familjarizimi ka ndikuar që të mos punësohet.

“Në institucionet e Kosovës janë krijuar klane. E për të siguruar një vend pune duhet që paraprakisht nga jashtë të bëhesh pjesë e klaneve. Unë nuk veproj në këtë mënyrë, pasi kam kualifikimet e nevojshme”, thotë Vlora.

Lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake përmenden në raportin e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) si faktorë që ndikojnë shumë për të siguruar një vend pune në sektorin publik në Kosovë.

Sipas këtij raporti, 78 për qind e të anketuarve besojnë se lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake dhe faktorët tjerë jomeritor, janë më të dobishme për sigurimin e një vendi pune.

Kurse vetëm 22 për qind besojnë se arsimi, përvoja dhe aftësimi profesional janë kritere kryesore për punësim në sektorin publik.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se sektori publik është i “rezervuar “ për militantë të partive politike që vijnë në pushtet.

Jeton Zulfaj nga organizata joqeveritare “Fol”, thotë për Radion e Evropa e Lirë, se ky kriter, edhe pse jo ligjor, ka mbipopulluar sektorin publik në Kosovë.

“Ne shohim një administratë të stërmbushur me persona të lidhur me subjekte politike, të cilët më tepër llogariten si vota dhe jo si punëtorë të shtetit”, thotë Zulfaj.

Punësimi pa kriter në sektorin publik, ka rezultuar me një administratë jo kualitative dhe jo profesionale, nënvizon Zulfaj.

“Qytetarët e Kosovës nuk mund të presin punë efektive dhe profesionale nga shumica e punëtorëve në institucionet publike. Dhe kjo gjendje nuk i pengon zyrtarët e lartë politikë të cilët nuk kanë hallin që të garantojnë një administratë publike e cila bazohet në merita”, thotë tutje Zulfaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, mbi 80 mijë persona llogariten punonjës në sektorin publik, me një pagë mesatare 525 euro në muaj.

Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka kërkuar reforma në administratën publike në Kosovë, si nevojë më prioritet për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave (ASK) për tremujorin e parë të këtij viti, është 26.5 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeç, me 54.0 për qind.