Përkeqësohet kriza politike në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

Përkundër dekretit të presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale në fund të këtij muaji, Partia Socialiste kërkon respektimin e afatit kohor për mbajtjen e tyre.

Rezultat i mospajtimeve kanë qenë skenat e dhunës nga ana e opozitës, PD-së dhe LSI-së, kundër mbajtjes së zgjedhjeve.

Mbështetësit e opozitës në shumë komuna të udhëhequra nga opozita, kanë djegur materialet zgjedhoret nëpër Komisionet Zonale Zgjedhore.

Kriza politike në Shqipëri ka filluar tash e disa javë, kur deputetët e opozitës dorëzuan mandatet e tyre në Kuvend. Situata politike është përkeqësuar edhe më shumë, kur presidenti Ilir Meta, me një dekret, anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Partia Socialiste, që udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama, insiston në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe thotë se zgjedhjet do të mbahen, duke u respektuar Kushtetuta e vendit dhe e drejta e qytetarëve për të votuar.

Por, Edi Paloka, nënkryetar i Partisë Demokratike, e akuzon kryeministrin Edi Rama se vendin po e çon drejt diktaturës.

Thotë se zgjedhjet nuk duhet të mbahen pa pasur një marrëveshje të përgjithshme pozitë-opozitë.

Krizën politike në Shqipëri dhe brenda partisë në pushtet, e ka thelluar edhe më tej publikimi i përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”.

Zëvendëskryeministri Braçe nuk sheh asnjë provë se në këto përgjime është kryer ndonjë vepër penale.

Ndërkaq, nënkryetari i Demokratëve, Paloka, thotë se përmes këtyre përgjimeve u dëshmua vjedhja e organizuar e votave, raporton KTV.

Analisti Lutfi Dervishi, thotë se Shqipëria është duke shkuar drejt përshkallëzimit të situatës.

Mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor, nuk e sheh si zgjidhje të krizës së thellë politike.

Para ndërtesës së Kryeministrisë janë vendosur këto rrethoja të hekurta.

E, në këtë vend, opozita ka paralajmëruar protestën e radhës, duke i kërkuar dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.