Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian do të jetë në duart e Kroacisë deri në qershor të këtij viti. Lajmin më të mirë nga ky kryesim, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Afrim Hoti e sheh liberalizimin e vizave, për të cilën thotë se udhëheqja kroate duhet ta ketë prioritet kryesor.
“Duhet të jetë çështja e liberalizimit për faktin se tash në kuptimin formal ne kemi plotësuar kriteret dhe ajo që po e mban Kosovën pezull është çështja e mungesës së vullnetit politik. Mendoj se do duhej të ishte objektivë e parë e udhëheqjes kroate me Këshillin, sepse është për të ardhur keq dhe tashmë nuk mund të shihet vetëm nga prirja politike por ka edhe përmbajtje humanitare”.
Hoti ka thënë për Periskopin se Kroacia mund ta ndihmojë Kosovën edhe në çështje të tjera, nisur nga fakti se është e familjarizuar me problematikat me të cilat përballet Kosova.
“Kroacia tradicionalisht ka pasur raporte të mira me Kosovën dhe në veçanti është e informuar me problematikat me të cilat përballet Kosova, nisur nga raporti i veçantë që BE-ja ka me Kosovën dhe në veçanti çështjen, tashmë të tejzgjatur, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën”.
“Është ndihmesa që Kroacia mund të jetë eventualisht në rifillimin e dialogut, në arritjen e marrëveshjes për normalizim mes raporteve Kosovë-Serbi”, ka shtuar Hoti.
E aplikimin e Kosovës në këtë këshill, ai nuk e lidh vetëm me raportet me Serbinë, por edhe me mosnjohjen nga 5 shtetet anëtare të BE-së.
“Problem më i madh se Serbia ekziston mosnjohja e 5 vendeve, anëtare të BE, që edhe sot e kësaj dite e mbajnë pezull integrimin e Kosovës kah BE-ja. Mungesa e këtyre 5 shteteve dhe raportet jo të normalizuara me Serbinë është binomi që prishë ose që nuk lë Kosovën të ecë më tutje. Ky binom lidhet mes vete sepse marrëveshja eventuale do të shërbente për njohje nga 5 shtetet anëtare”, ka thënë Hoti.
Liberalizimi i vizave brenda 6 muajve të parë të 2020-ës
Hoti ka thënë se nëse arrihet krijimi i Qeverisë dhe konsolidimi i institucioneve, Kosova mund ta ketë liberalizimin e vizave në 6 mujorin e parë të vitit 2020.
“Unë shoh mundësi që në gjysmën e parë të vitit në vijim nëse arrijmë ta formojmë qeverinë dhe t’i konsolidojmë institucionet tona dhe të tregojmë seriozitet, mendoj se mund ta marrim shumë shpejt liberalizimin e vizave”.
Çdo vonesë në sferën politike, Hoti thotë se e vonon edhe cështjen e integrimit dhe atë të liberalizimit.
“Hyrja në epokën zgjedhore jo vetëm që do ketë konsekuenca por do vazhdojë të mbajë pezull cështjen e integrimit në përgijthësi dhe cështjen e liberalizimit të vizave.Nga 19 gushti e deri më sot e me gjasë edhe javët apo muajt në vijim kanë shërby si një suspendim i gjithë sistemit të integrimit që po e bën këtë proces të Kosovës shumë të komplikuar dhe të pakuptimtë”, përfundon Hoti./PERISKOPI/