Conte: Shtyrja e negociatave për Shqipërinë, një gabim historik

Periskopi.com Lajme

Shtyrja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e ritheksoj, se ishte një gabim historik për Bashkimin Evropian. Evropa ka një përgjegjësi të madhe dhe nuk mund të ndërpresë dialogun, theksoi kryeministri italian, Giuseppe Conte në deklaratën e përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

“Nga ana ime, inkurajoj një hapje të qartë të opozitës për të vazhduar rrugën e reformave, veçanërisht për sa i përket reformës zgjedhore. Gjithashtu, ju kujtoj forcave të opozitës mundësinë për të mirëpritur këtë hapje me një frymë konstruktive”, shtoi Conte në deklaratën e përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Ndërkohë në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri shqiptar theksoi se shtyrja e negociatave për Shqipërinë ishte një mesazh dobësie.

“Shtyrja e negociatave për Shqipërinë është një mesazh dobësie, një mesazh pafuqie. Por rruga që ka ndërmarrë Tirana është ajo e integrimit të plotë evropian”, theksoi kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Evropa ka dhënë një mesazh dobësie sa i takon mbajtjes së premtimeve, por Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veç asaj që ka ndjekur deri tani, atë të integrimit të plotë në BE”, deklaroi Conte.

“Italia do të jetë në pararojë të çdo afati të Këshillit Evropian për mbështetjen e negociatave në kuadër të anëtarësimit së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE”, shtoi ai.

“Italia ka numrin më të madh të komunitetit shqiptar jashtë vendit dhe është një shembull i integrimit. Ne e vlerësojmë së bashku mundësinë për marrëveshje duke përfshirë këtu dhe në nivelin e sigurimeve shoqërore”, deklaroi kryeministri italian, Giusepe Conte në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama e vuri theksin tek komuniteti shqiptar në Itali.

“Mendoj se çështja e sigurimeve shoqërore për një numër të madh kontribuesish shqiptarë në shtetin italian duhet të shqyrtohet gjithashtu. Ne kemi patur një bashkëpunim të mirë në këtë kuadër. Do të rrisim përpjekjet për të arritur në këtë marrëveshje që ka një rëndësi të madhe për ekonominë dhe dinjitetin e këtyre popujve, por gjithashtu për miqësinë tradicionale të këtyre dy vendeve”, theksoi kryeministri shqiptar.

“Ne kemi ngritur një komision ekonomik dypalësh të përhershëm që do të ketë qëllimin e dyfishtë të identifikojë mundësitë për zhvillimin e kompanive tona dhe të shqyrtojë mosmarrëveshjet mes kompanive italiane dhe administratës shqiptare”, deklaroi Conte në deklaratën e përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

“Është ende koha për të zgjidhur krizën politike dhe institucionale në Shqipëri, për të përfunduar procesin e reformës dhe për të qenë në rregull gjatë takimit të ardhshëm që shtetet anëtare të BE-së do të zhvillojnë për të vendosur sërish për zgjerimin”, theksoi Conte.

Italia do të jetë në pararojë për këtë kërkesë dhe do të angazhohem të mbështes çdo afat të ardhshëm”, nënvizoi Conte në deklaratën e tij të përbashkët me kryeministrin Edi Rama./ATSH/