‘Farmerkat’ e kryeministrit Kurti nuk u blenë te “Gjithçka 1 Euro”: Del se kushtojnë 130

Periskopi.com Lajme

Shumë e duartrokitën sot Kryeministrin e vendit, Albin Kurti, pasi që zgjodhi të shkojë në punë të dielën, madje pa e përdorur veturën. Ndonëse sot tentoi të duket shumë modest, të njëjtën nuk e thotë edhe veshja e tij, pasi që vetëm pantallonat e liderit të VV’së, kushtojnë 131 euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot doli në punë, ani pse ishte e diele. Madje këtë vendosi ta bëjë në këmbë, pa përdorur veturën zyrtare si dhe pa rojet që shkojnë pas tij.

Gjatë gjithë rrugës deri në zyrë, fotografi i shefit të Qeverisë u kujdes që t’i bënte disa foto të mira, të cilat vet ai më vonë i publikoi në rrjetin social Instagram.

“Sot lëviza në këmbë nëpër qytet dhe shkova në zyrë pa makinë. Ambienti është jeta. Prandaj, le ta ruajmë. Sa herë është e mundur duhet ta shmangim lëvizjen me automjet”, ka shkruar Kurti.

Ky gjest i Kryeministrit mori shumë duartrokitje, pasi që ai po dëshiron të duket sa më modest dhe i thjeshtë para qytetarëve të vendit.

Mirëpo e thjeshtë nuk është edhe veshja e tij. Madje, vetëm pantallonat që kishte veshur sot të markës së njohur italiane Diesel, kushtojnë 110 paund ose 130 euro, shkruan Gazeta Metro.

Kjo shihet edhe në faqet online, ku thuajse secila rrobë e krijuar nga kjo markë ka një çmim mjaft të lartë.

Sidoqoftë, pavarësisht veshjes, Kurti më herët kishte treguar se bën një jetë mjaft të thjeshtë, madje se jeton me qera në kryeqytet, ndërsa nuk dihet se a do të ndryshojë kjo tani me zgjedhjen Kryeministër.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, pasuar nga LDK në krye me Isa Mustafën.

Të dy partitë arritën të bëjnë koalicion dhe të formojnë qeverinë pas 4 muajve, më 3 shkurt, duke marrë secila nga 6 ministri dhe tri të tjerë t’u takojnë partive të minoriteteve.