Milazim Krasniqi pas kërkesës së Kurtit që të lirohet kërcënuesi i tij: S’duhet ta imitojë Nënë Terezën

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, përmes një postimi ka kërkuar lirimin e anëtarit të Nismës, Haxhi Hotit, i cili tha se kreut të VV-së i mbeten Kurtit i mbeten dy opsione: “Ose ta lirojë Kosovën, ose të vritet”.

Kurti tha që do të ishte mirë që Hoti të lirohet e ta presë Vitin e Ri 2020 me familjen e tij në shtëpinë e tij.

Këtë deklaratë të Kurtit, njohësi i rrethanave politike, Milazim Krasniqi e quan gjest simpatik e human, por thotë se Kurti si kryeministër në ardhje nuk duhet të imitojë Nënë Terezën e Dalaj Lamen.

Postimi i Krasniqit:

Deklarata e Albin Kurtit se personi që ka postuar kërcënim ndaj tij, duhet të lirohet, është gjest simpatik, human. Por si lider i partisë më të madhe në vend dhe si kryeministër në ardhje, Albin Kurti nuk duhet të imitojë Nënë Terezën e Dalaj Lamen. Ai duhet të kërkojë zbatimin e ligjit për secilin, nga secili.

Jemi dërrmuar të gjithë ne komunikuesit dhe të gjithë politikanët nga kjo anarki dhe kjo dhunë në komunikim.

Kjo duhet të marrë fund, duhet të ndalohet me forcën e ligjit. Si fillim, Albini duhet të shohë se ç’bëjnë (ro)botët e tij, që vjellin vner, përhapin urrejtje 24 orë në ditë.

Dhe definitivisht duhet t’ua ndalë turrin. I kanë ndihmuar të fitojë, por nuk mund të qeverisë me ta. Qeverisja bëhet më ligje.

I ka ardhë dita ku duhet të tregojë vendosmëri e të shkëputet nga taktikat e dhunës në komunikim e në politikë.

Kosnett i shkon në zyre Vetëvendosje: I pyet për bisedimet me LDK-në

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Phillip Kosnett.

“Në këtë takim, z. Kosnett shprehu interesimin e tij për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re, duke uruar që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë t’i sjellë rezultatet e para. Shefja e Sektorit Ekonomik në këtë ambasadë, znj. Michaelson, vuri theksin te rëndësia e zhvillimit ekonomik në vend duke shprehë interesimin dhe mbështetjen e ambasadës për projektet e qeverisë së ardhshme në këtë drejtim”, njofton Vetëvendosje.

Kreu i VV-së e njoftoi diplomatin amerikan se takimet me LDK-në po vazhdojnë shumë mirë dhe se shprehet i bindur se shumë shpejtë do të formohet qeveria.

“Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin z. Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me Lidhjen Demokratike dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të formohet qeveria e re. Prioritet, tha ai, do t’i kushtohet sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit të lartë institucional, në mënyrë që t’i hapet kështu rrugë edhe progresit socio-ekonomik. Përpos luftës ndaj korrupsionit, me z. Kosnett dhe znj. Michaelson u ndanë edhe idetë tona për zhvillimin ekonomik të bazuar në politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të mesme në përgjithësi, në prodhimin vendor, dhe në arsimin e lidhur me ekonominë. Bindja jonë është se zhvillimi ekonomik i integron edhe qytetarët me bindje e besime të ndryshme brenda Republikës por edhe shtetet mes vete”, thuhet tutje në komunikatë.