Veseli: 100 ditë të qeverisjes, 100 dështime të njëpasnjëshme

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës Kadri Veseli, ka vizituar sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, nga ku tha se Kosova ka një Polici më të mirën në regjion.

Nga Vushtrria Veseli ka komentuar edhe 100 ditëshin e qeverisë tashmë në detyre të udhëhequr nga Albin Kurti, që sipas tij janë 100 ditë dështime të njëpasnjëshme.

Veseli tha se Kosova ka Policinë më të mirën në regjion, ndërsa ka lavdëruar për punën edhe Doganën, ATK, punonjësit shëndetësor dhe zjarrfikësit.

“Sot është 100 ditëshi i kësaj qeverisje, janë 100 dështime të njëpasnjëshme, por 20 vjet investim në institucione të Republikës së Kosovës. Do të thotë e tregojnë se institucionet të cilat i kemi si Policia, Doganat, ATK, zjarrfikësit, punonjësit shëndetësor janë duke i kryer punën e vet. Ky është dallimi i një shteti i cili ka institucione funksionale sado që drejtimin politik mundet me e pas jo funksional dhe të dështuar”, tha ai.

Pavarësisht kësaj Veseli tha se Kosova vazhdon të ketë institucione funksionale dhe kredibile.

Ai lavdëroi Policinë e Kosovës për të cilën tha se është më e mira në regjion.

“Drejtori e tha se Akademia nuk po punon, por efektet e Akademisë janë duke u parë çdo ditë me një Polici të cilën e kemi më të mirën regjionale. Një Polici e jashtëzakonshme që së bashku me Doganat, me punonjësit shëndetësor, zjarrfikësit, me ATK-në po tregohet se shteti i Kosovës vërtetë ka institucione të cilat janë funksionale, shumë kredibile dhe të cilat kanë autoritet dhe besim tek qytetarët edhe në momentet kur kemi vendime politike të cilat janë kaotike. Të cilat nganjëherë e krijojnë më shumë konfuzion sesa qartësi, ato e kryejnë punën e vet, siç ka bërë kjo qeverisje këto 100 ditë”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, tregoi se është ndërprerë trajnimi i kadetëve për shkak të pandemisë COVID-19.

“Akademia për momentin siç po e shihni nuk është në funksion të fushëveprimit të saj meqenëse nuk kemi kadetë, nuk kemi studentët, me studentët po vazhdojmë online, kurse me kadetët me padurim po presim momentin që institucionet qendrore të na thonë që të vazhdojmë, meqenëse e dimë që edhe Policia e Kosovës ka nevojë për kadetë. Kjo është gjendja momentale, ne po funksionojmë me një staf esencial, ky staf i Akademisë është në përgatitje për riakreditimin e Akademisë, meqenëse vitin e ardhshëm kemi tri akreditime të programit studimor, të programeve profesionale, po edhe akreditimin ndërkombëtar që e ka Akademia nga ShBA-të. Me të tjerat e ndajmë fatin e përbashkët me të gjithë Kosovës, se Akademia ka kuptim vetëm me njerëz të institucioneve të sigurisë publike”, tha ai.

Veseli viziton xhaminë e djegur në Drenas, thotë se monumentet duhet të ruhen

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ka vizituar sot xhaminë e djegur ditë më parë në Vërboc të Drenasit, prej nga bëri thirrje që të ruhen monumentet historike.

Veseli, i shoqëruar nga kryetari i kësaj komunë Ramiz Lladrovci, tha se shumë ndërmarrës janë lajmëruar për renovimin e kësaj xhamie që konsiderohet si objekti i dytë më i vjetër në këtë komunë.

“Jemi në shtëpi të Zotit, në një tempull të faljes para Zotit ku bashkëkombësit tanë janë lutur, po në të njëjtën kohë edhe strehë e atdhetarizmit. Kjo xhami mbi pesë shekuj histori është dëshmitare e të gjitha zhvillimeve historike që i ka kaluar kombi ynë. Keni parasysh që jemi edhe në një fshat në luftën e fundit ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha në të gjithë Republikën e Kosovë s. Mesazhi është ky, do t’i mbrojmë monumentet tona historike, siç është edhe kjo xhami për faktin se ky është edhe monument historik. Është një lajm i mirë edhe se ka shumë ndërmarrës që edhe në këto kushte të rënda të pandemisë kanë shprehur dëshirën për ta ndihmuar renovimin dhe ruajtjen e këtij kulti fetar dhe historik”, tha Veseli.

Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, tha se djegia e xhamisë është akt kriminal dhe se autorët duhet të dalin para drejtësisë.

“Është xhamia e dytë më e vjetër në komunën tonë, po që është një xhami që është në një vend strategjik, këtu jemi edhe afër kalasë së Vërbocit dhe unë normal që e kam gjykuar këtë akt kriminal të djegies së një xhamie, e cila nuk ia ka zënë askujt rrugën për të kryer një krim të tillë… Garantojmë që mbështetjen dhe përkrahjen t onë do ta kenë. Unë i kam bërë apel organeve që të kryejnë sa më shpejt hetime dhe atë që e ka bërë këtë krim ta qesë para drejtësisë”, tha ai.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Drenas Valon Bequku, tha se kjo xhami është prej objekteve fetare më të vjetra në Drenicë, derisa ka thënë se e njëjta është përdorur edhe nga ushtarët gjatë luftës.

“Është prej objekteve më të vjetra, i dyti në Drenicë e kam fjalën si objekt fetar dhe kanë kaluar 545 vjet që ky objekt është ndërtuar dhe e ka një histori të madhe. Edhe kaçak të luftërave të ndryshme shpesh janë strehuar dhe janë kryer obligimet e tyre. Për arsye se edhe malin e kanë shumë afër dhe kanë vazhduar rrugëtimin e tyre për liri që sot e gëzojmë. Falënderoj edhe kryetarin e komunës i cili ka qenë prej të parëve që ka reaguar dhe ka shprehur interesimin për gjetjen e donacioneve dhe m ora vesh edhe prej kryetarit Kadri Veseli se janë organizuar shumë prej dashamirëve për të dhuruar donacione për renovimin e kësaj xhamie”, tha ai.

Gjatë vizitës në Drenas, Veseli ka vizituar edhe disa nga pyjet që janë djegur sp fundi në këtë komunë, si dhe fermerët.

S’ka më kryeministër me qira

Periskopi.com Intervista

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij nuk përkrah një qeveri teknike dhe se zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për të dalur nga kriza. Veseli, i cili mban postin e kryetarit të Kuvendit, ka thënë se PDK ia ka dhënë dy herë postin e kryeministrit partive tjera, siç ka thënë ai me qira, dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në këto zgjedhje. Duke folur gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Veseli e ka quajtur këtë legjislaturë si të papërgjegjshme. Ai ka thënë se ai është duke folur hapur për gabimet që i ka bërë partia e tij. “Gabimet të cilat i ka bërë Partia Demokratike e Kosovës, unë jam duke i sanuar”, ka thënë Veseli.

Radio Evropa e Lirë: Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka marrë vendim për mbajtjen e seancës më 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit. Ka pasur deklarata se deri në këtë datë mund të ketë tendenca për formimin e një qeveria teknike. A do të pranonte PDK diçka të tillë?

Kadri Veseli: Është e vërtetë, ka pasur oferta që të vazhdohet ky mandat deri në vitin 2021, me mandatar për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht vet mua, ka pasur edhe oferta nga partitë të cilat tentojnë në opinionin publik të flasin për zgjedhje shumë të shpejta të parakohshme. Por jo, kjo nuk do të ndodhë për vet faktin se në rrethanat në të cilat është Kosova aktualisht, qytetarët e meritojnë një qeverisje e cila do t’i drejtonte në një rrugëtim të zhvillimit të perspektivës, luftës kundër korrupsionit, këto janë prioritetet më të mëdha në Kosovë, punësimi dhe lufta kundër korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, në momentin kur Kosova është e fuqishme ekonomikisht, mund të ballafaqohet edhe me Serbinë, në këtë moment më së shumti i duhet legjitimiteti qytetar, çdoherë kur kemi dyshime në vete duhet t’i drejtohemi qytetarëve, ky ka qenë vendimi im, ndoshta dikë e ka befasuar, por besoj te qytetarët dhe duhet të shkojmë në zgjedhje, meqenëse këto zgjedhje janë edhe një lloj referendumi për rrugën në të cilën do të shkojë Kosova në katër vitet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë oferte ka qenë?

Kadri Veseli: Ka qenë oferta, jo vetëm për ne, përkatësisht që Partia Demokratike e Kosovës për kryeministër me mua të mbarohet deri në vitin 2021, ofertë konkrete nga parti politike të cilat sot flasin për vija të kuqe në zgjedhje vetëm për hir të një përfitimi në opinionin publik. Unë po flas edhe njëherë, në momentin kur ka dilema, vendosmëria më e madhe e imja ka qenë që të shkojmë në zgjedhje. Çdoherë kur e kemi pyetur popullin kemi dalur më mirë dhe në momentin kur e fiton këtë legjitimitet duhet pastaj edhe ta drejtojë vendin.

“Dy herë e kemi dhënë kryeministrin me qira”

Kadri Veseli: Nuk ka kompromise, për vet faktin se unë po flas si kryetar i PDK-së, dy herë e kemi dhënë kryeministrin me qira, dy herë. Njerëzit që nuk e kanë besimin e qytetarëve, nuk e kanë as legjitimitetin, por as përgjegjësinë, në dy rastet kemi dështu dhe kjo është dhe ky është një rast unik për vet Kosovën që të ecet përpara. PDK shkon në zgjedhje me besimin tek vullneti i qytetarëve, askush nuk guxon ta cenojë vullnetin e as interesin e qytetarëve, por shkon edhe me besimin për të fituar dhe për të udhëhequr me atë legjitimitet që e japin qytetarët, në asnjë mënyrë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Veseli, këto parti që i përmendët, cilat janë?

Kadri Veseli: Nuk do të flas specifikisht, por shikoni edhe deklaratat e fundit të ditës së djeshme kur parti të cilat kanë thirrur urgjentisht edhe protesta për zgjedhje të parakohshme, ne e kemi ditur, unë e kam ditur se kanë qenë të tilla parti që kanë ofruar ofertë për bashkëqeverisje deri në vitin 2021, edhe Vetëvendosje, kurse tani flasim për një qeveri e cila është teknike. S’ka qeveri teknike, ka zgjedhje, askush nuk duhet t’i frikësohet qytetarëve për arsye se ata janë vendimtarë për mandatin tonë dhe për fatin tonë politik dhe të ardhmes së Kosovës.

Zgjedhjet janë të pashmangshme. E kam thënë nga momenti i parë, janë munduar të manipulojnë në këtë proces, kur e kanë parë tani që ka zgjedhje, hajt të shkojmë me një opsion tjetër. Nuk ka opsion tjetër, ka vetëm zgjedhje të cilat janë vendimtare, janë referendum për të ardhmen e Kosovës. Kurrë më shumë se sa këto 3-4 vite nuk është përmendur nga parti politike në Kosovë, Serbia të cilën në vitin 1999 e kemi mundur, e kemi larguar nga këtu. Cili është interesi, që përmes frikës nga Serbia të fitohen votat?

Qytetarët kanë disa shqetësime, ato janë kryesore, njerëzit duan punësim dhe njerëzit duan që të korruptuarit të largohen. Këtë kam filluar ta bëj në PDK. Do ta bëj në gjithë Kosovën. Sa i përket çështjes së ballafaqimit me Serbinë, nuk ka opsion tjetër, ne kemi një mandat i cili rrjedh nga liria e Kosovës, nga UÇK-ja, kushdo që mendon të bëjë pazare dhe të fitojë vota (e ka gabim), Serbia ka marrë fund.

Serbia nuk do të kthehet kurrë në Kosovë, qytetarët nuk kanë nevojë të frikësohen nga Serbia, qytetarët kanë nevojë të frikësohen vetëm nga njerëzit e papërgjegjshëm, njerëzit e korruptuar dhe nga zhvillimi ekonomik, këto janë orientimet të cilat duhet t’i kemi ne. Sa i përket ballafaqimit me Serbinë, ne e kemi një platformë shumë të qartë, sovraniteti i shtetit dhe integriteti janë të pacenueshëm, askush nuk guxon as ta përmend Mitrovicën në dialog e lëre më për ndonjë manipulim. Mitrovica është e shenjtë, shkojmë në fushatë elektorale me projekte të cilat janë ekonomike.

Veseli: Nuk ka qeveri teknike

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te formimi i një qeverie teknike ose kalimtare nga kush erdhi ideja nga faktori ndërkombëtar apo nga ai i brendshëm?

Kadri Veseli: Faktori ndërkombëtar ka investuar shumë në Kosovë, është shumë i qenësishëm në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë perëndimor nga Evropa. Natyrshëm se ata i kanë shqetësimet e veta të cilat kanë të bëjnë me copëzimin në skena politike kosovare. Ata e dinë çka po flasin në zyrat e tyre dhe çka po flasin në popull. Një pjesë e klasës politike në Kosovë po mendon përmes manipulimit dhe frikës qytetare të ndërtojë pseudo-kauza të rrejshme, qoftë nga frika për Serbinë se do të rikthehet në territorin e Kosovës, qoftë në pseudo-kauza se do ta luftojnë korrupsionin e nuk janë të gatshëm asnjërën ta bëjnë.

Duhet të përfundojë ideja e kalkulimeve në emër të Kosovës në emër të kauzave të mëdha të Kosovës për të qëllime elektorale. Qytetarët janë duke i vërejtur këto parti politike që bëjnë vija të kuqe e të bardha, të cilat bëjnë kompromise e flasin për patriotizëm, e në anën tjetër Kosova është e shenjtë, njerëzit e Kosovës kanë nevojë për punësim, për zhvillim ekonomik, për luftë kundër korrupsionit dhe ta forcojnë shtetin, policinë, ushtrinë. Këto arrihen kur ka ekonomi të fuqishme edhe partneritet.

Radio Evropa e Lirë: Në zgjedhjet e kaluara, ju keni hequr dorë nga nominimi për kryeministër, do ta bëni një gjë të tillë edhe tani?

Kadri Veseli: Më duket se isha shumë i saktë. Nuk ka më kryeministër me qira. Nuk ka më manipulime të kauzave qytetare, vetëm si të mbijetohet politikisht. Jeta ime nuk varet prej politikës për asnjë sekond. Jeta ime varet nga nderi, puna dhe kombi im, të cilit i takoj. Nuk varem nga një palë zgjedhje. Nuk mërzitem fare për një palë zgjedhje. Mirëpo mashtrimet, dhe atyre që mendojnë se e mashtrojnë kaq lehtë qytetarin e Kosovës dhe e frikësojnë atë, iu ka ardhur fundi.

Nuk ka pseudo-kauza, ka drejtpërdrejtë kauza të kombit dhe të qytetarit. Do të thotë, Kosova është perëndimore, Kosova duhet të orientohet nga zhvillimi ekonomik dhe të largohen patriotizmat e rrejshëm pas 20 vjetëve. E kanë vënë Kosovën mes identitetit: Nëse është kosovar apo shqiptar? A e do flamurin kombëtar, a e do flamurin shtetëror? A është për bashkim kombëtar apo për Republikën e Kosovës? në vend që të jetë: A jeni pro-shqiptar apo pro-serb? A jeni për Kosovën a jeni për Serbinë? Dhe jo që Bashkimi Kombëtar të bëhet kauzë, apo nëse je pro-serb je me Republikën e Kosovës. Unë jam me Republikën e Kosovës, unë jam me flamurin e shtetit të Kosovës. Do ta mbroj deri në fund në gjithë hapësirën e territorit të Kosovës. E sa jam shqiptar e kam treguar deri më 12 qershor 1999.

“Ishte legjislaturë e papërgjegjshme”

Radio Evropa e Lirë: Nga 144 ligje, Kuvendi ka miratuar vetëm 18 për qind prej tyre. A ishte kjo legjislaturë dembele?

Kadri Veseli: Nuk ishte legjislaturë dembele, ishte legjislaturë e papërgjegjshme. Të jem shumë i drejtpërdrejtë, kur një opozitë, e cila mendon vetëm si ta fitojë pushtetin… imagjinoni tash, për dy vjet kanë thënë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme ndërsa mbrëmë e keni qëndrimin se ‘eja të bëjmë qeveri tash’. Ku është morali politik këtu?

Kjo e ka bllokuar Kosovën. Nuk ka rëndësi nëse je pozitë apo opozitë, ligjet që janë në shërbim të kombit, në shërbim të qytetarit, duhet të aprovohen. Ky është mesazhi që duhet ta thotë secili prej nesh. Ndërsa sa i përket papërgjegjshmërisë që ka ndodhur këto dy vjet, unë uroj që të mos ndodhë asnjëherë. Por, edhe një mesazh, klasa politike, ne që dalim në zgjedhje, jemi nënprodukt i mentalitetit të votuesve tanë. Nëse ata e shohin që ne mashtrohemi aq lehtë dhe manipulohemi, ata do të vazhdojnë në mënyrën e njëjtë paskajshmërisht dhe vetëm do ta riciklojnë. Maqedonia e Veriut ka humbur 20 vjet te çështja e ndërrimit të emrit. Pra, 20 vjet i ka humbur, ka pasur mundësi që të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO, kohë më parë.

Sot e dëgjmë ku ka mbetë. Duhet të ecim sa më fuqishëm përpara. Unë jam i bindur se orientimi im është interes edhe i këtij kombi, këtij shteti dhe qytetarëve tanë. Është orientim në luftën kundër korrupsionit, që duhet çrrënjosur, njerëzit e këqij duhet të largohen dhe duhet dhënë perspektivën njerëzve të mirë edhe në punësim, në mënyrë që njerëzit të mos ikin nga Kosova.

Radio Evropa e Lirë: Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kush duhet t’i udhëheq bisedimet me Serbinë, kryeministri apo presidenti?

Kadri Veseli: Ai që e fiton mandatin e qytetarëve në zgjedhje të cilat dalin edhe të mos behët frikacak edhe mos të kalkuloj për interesa te veta. Me ditë se interesi më i madh është i Kosovës kudo që të jesh, edhe nëse je në opozitë edhe nëse je në burg nuk është ajo që sot duhet të kalkulohet në interesin e individit duhet të kalkulohet interesi çka fitojnë fëmijët tanë. Çfarë trashëgimie u lëmë fëmijëve tanë… a do tu lëmë diçka të cilën e kemi jetuar ne vet kur prindërit tanë nuk e kanë ditur çfarë fati kemi ne? Apo do t’u lëmë fëmijëve tanë një Kosovë e cila është e sigurt, pa taksirate, por me perspektivë edhe me orientim të qartë perëndimor.

Le ta harroj dikush nëse mendon se Kosova mund të ecë përpara si ishull i izoluar. Është shumë me rëndësi dhe ky është interes strategjik. Përveç vizionit dhe vendosmërisë kombëtare me i ruajt të gjitha vlerat të cilat i kemi, është edhe mençuria strategjike me qenë afër SHBA-së dhe partnerëve perëndimorë. Kështu e kemi fituar luftën në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Me vendosmëri. Pa kompromis në luftë, por edhe me mençuri strategjike duke i bërë partnerët që të jenë afër nesh edhe ta bombardojnë Serbinë dhe jo ta afrojnë Serbinë me partnerët perëndimorë dhe ta bëjnë një gjuhë që të na dalin ne kundër.

“Korrupsioni, armiku kryesor në Kosovë”

Radio Evropa e Lirë: A ishit i kënaqur me këtë qeverisje të deritanishme? Çka shkoi e çka nuk shkoi mirë?

Kadri Veseli: Kanë shkuar disa vendime të cilat kanë qenë pozitive, të cilat kanë mundur të ecin. Por, neve na kanë shkuar keq [gjërat] nga momenti kur kanë filluar kauzat pseudo-patriotike. Ne kemi harxhuar një vit kush po e ndan Kosovën e kush po e mbron Kosovën. Imagjinoni në vitin 2019, njëzet vjet pas luftës, është folur se dikush po do ta shkatërrojë e dikush nga ta po do ta mbrojë. Kosovën nuk mund askush ta dëmtoj, veç vetën do ta dëmtojnë kush mendon.

Pra individët, çfarëdo pozicioni qeveritar ose institucional, kudo që janë. Kosovën e mbron populli i qytetarëve, e mbron gjaku i dëshmorëve. Nuk është e lehtë, nuk është plaçkë Kosova për ta cenuar integritetin, sovranitetin. Por, më shumë kemi mundur të punojmë në aspektin ekonomik. Nuk është ndalur korrupsioni. Kam kërkuar edhe nga partnerët edhe nga partitë e opozitës… hajde t’i marrim vendimet të cilat e ndalin korrupsion për arsye se korrupsioni është aktualisht armiku kryesor në Kosovë. Të paktën njerëzit kështu po mendojnë edhe ka korrupsion.

Ka nepotizëm në të gjitha partitë. Hajde t’i ndalim këto dhe të krijomë mekanizma. Ka mundësi të krijohet mekanizmi që i ndal këto. Do ta shohim nëse është fati jetësor e te jetë më e mira për kombin të ndodh pas këtyre zgjedhjeve edhe të fitoj unë, të fitojë PDK-ja dhe vetëm me legjitimitetin qytetar do ta shihni se si do të ndalen këto; edhe korrupsioni edhe punësimet partiake të cilat po i quajmë nepotizëm. Ka mundësi përmes përgjegjshmërisë dhe transparencës.

Radio Evropa e Lirë: Po pse nuk janë ndaluar nga PDK-ja këto dukuri?

Kadri Veseli: Gabimet të cilat i ka bërë Partia Demokratike e Kosovës, unë jam duke i sanuar. Ne në PDK flasim hapur për këto çështje, disa zëra mund të jenë kundër, unë nuk mërzitem fare. Por, partitë e tjera nuk kanë guxim t’i flasin këto edhe kanë për t’i vazhduar edhe më rëndë. Ato i flasin në mënyrë të hapur edhe duke akuzuar PDK-në.

Jo, jo, shikoni LDK-në, gjysmën e zyrtarëve i ka komunalë dhe të kryesisë së partisë me aktakuza për korrupsion. Shikoni Vetëvendosjen se çka ka bërë dhe çka është duke bërë në Prizren dhe shikoni edhe kur ka qenë në Prishtinë si për korrupsion dhe për punësime e nepotizëm. Kjo është një sëmundje ngjitëse e cila duhet të ndalet në Kosovë. Nuk po flas për AAK-në fare dhe nuk po flas as për partitë e tjera fare. Pra, ky është një fenomen mashtrues që duhet të ndalet dhe do ta ndali.

Radio Evropa e Lirë: Ftesat nga Gjykata Speciale a do të kenë ndikim në mënyrën se si do të duket qeveria e ardhshme?

Kadri Veseli: Kurrfarë ndikimi në Kosovë nuk ka për të pasur asnjë gjykatë, sepse gjykatat kanë per ta kryer pune e vet, ne do t’i respektojmë. Ne do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve, kauza e kombëtare e Kosovës ka për të ecur përpara nuk ka pengesa dhe s’mund të ndalet. Por, duhet të ballafaqohemi edhe me ato pretendime të cilat kanë tentuar ta dëmtojnë shtetin e Kosovës.

Kjo është arsyeja pse e kemi votuar. Do t’i shkojmë deri në fund dhe shpresojmë se askush të mos ketë aktakuzë për krime të cilat janë të pretenduara. Jam shumë i sigurt se të gjithë luftëtarët e UÇK-së do të dalin faqebardhë dhe do të dalin të pafajshëm. Nuk ka pasur luftë më të pastër, më të drejtë, më parimore, në një organizatë luftarake siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.