U harxhuan 76 mijë euro për arkivin elektronik në Prizren, por ai nuk u krijua

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka kritikuar ish-qeverisjen në këtë komunë duke numëruar disa projekte, sipas të cilit, nuk janë realizuar edhe pse janë ndarë paratë.

Këtu ka përmendur arkivin elektronik që Haskuka tha se i kushtoi 76 mijë euro komunës, por që ky arkiv nuk ekziston fare.

“Ndër rastet e përmbaruesit ka qenë pikërisht kjo. 76 mijë euro janë dhënë për arkivin elektronik që s’ekziston. Kemi pa që 76 mijë euro ka ardhur përmbaruesi me i marrë. E shikova thash çka është. Më tha bëhet fjalë për arkivin elektronik. E ku është, tha nuk është fare. Krejt çka ka bë kompania ishte që ka sjellë tre skanerë e ka mbajtur dy trajnime. Arkivi s’ekziston. Në dosjen që e kemi pa kemi vënë re se komisioni për pranim teknik nuk e ka nënshkruar, duke thënë se s’është kryer puna”, ka thënë ai në “Puls” të KTV’së, duke shtuar se ka një vit që e kanë çuar rastin në prokurori.

Për një rast tjetër, Haskuka ka thënë se janë dhënë 24 mijë euro për një aplikacion që nuk punon.

“‘Prizreni i mençur’ është kryer pa u nënshkruar nga komisioni për pranim teknik. Kur nuk nënshkruan ky komision, por e nënshkruan drejtori atëherë është keqpërdorim detyre”, ka shtuar Haskuka.

Sipas Haskukës, prokuroria ka thënë se s’ka prova të mjaftueshme edhe pse ekzistojnë nënshkrimet.

Ka thënë se kanë vënë re shumë shkelje me dhënien e lejeve për ndërtime. Sipas tij, për ngrohje qendrore në Qendrën Rinore janë dhënë 20 mijë euro, e ajo nuk ekziston.

Haskuka ka thënë se ka paraqitur 60 raste për keqpërdorim, ndërsa janë ngritur vetëm tri apo katër aktakuza, për çka ka thënë se s’është i kënaqur.