100 milionë në vit për FSK-në: Si i kishte ‘humbur’ Kurti 200 milionë të ushtrisë për veç një muaj

Periskopi.com Lajme

Për herë të parë buxheti i Kosovës për FSK-në duket se do të jetë 100 milionë euro, dhe atë në kohë pandemie ku dëmet për ekonominë janë jashtëzakonisht të rënda.

Mos-serioziteti i Kurtit me buxhetin e vendit është parë edhe nga vonesa e madhe gati 50 ditëshe për hartimin e programit qeverisës.

Sidoqoftë, diçka edhe më e rëndë kishte ndodhur në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit 2019, e në të cilat Kurti po bënte premtimet tij.

Më poshtë keni një shkrim në atë kohë fushate, ku Kurtit i kishin humbur jo më pak se 200 milionë euro të FSK-së për më pak se një muaj:

Artikulli:

Albin Kurti, kryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër, në invervistën e sotme në Debat Plus të RTV Dukagjinit premtoi 400 milionë euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Por ekziston një problem.

Ai në bisedën e drejtpërdrejtë me qytetarë më 22 gusht kishte premtuar 600 milionë duke bërë kësisoj një huqje tepër të madhe për një kandidat që mësyn pozitën më të lartë shtetërore.

Kurti në bisedën e 22 gushtit që u transmetua drejtpërdrejtë në Facebook deklaroi se 60 milionë euro në vit ishin pak për Ushtrinë e Kosovës.

Ai tha që do t’i ndante jo më pak se 150 milionë euro për ushtrinë e shtetit tonë, që nënkupton 600 milionë euro për mandatin katër vjeçar. Por, ai e pakësoi ‘buxhetin’ për 200 milionë euro për ushtrinë e Kosovës.

Në një postim në Twitter e më vonë edhe në intervistë, ai deklaroi se do t’i ndante nga 100 milionë euro në vit ose gjithsej 400 milionë për katër vitet e ardhshme, shkruan Periskopi.

Një shkarje e tillë brenda vetëm një muaji tregon se plani i Vetëvendosjes për qeverisjen është tepër joserioz. Shifra për të cilën po flasim është tepër e lartë, 200 milionë, e të cilat zhduken nga një fjalë e vetme goje.

Shpërdorimi me paranë publike ka qenë një problem i madh me qeveritë e deritashme, por i cili rridhte konkretisht nga mungesa e planifikimit afatgjatë.

Kurti ka premtuar rritje të madhe të buxhetit edhe për sektorë të tjerë, duke përmendur specifikisht atë të drejtësisë, mirëpo pa treguar se cilët sektorë do ta pësojnë nga këto lëvizje të rrezikshme buxhetore.

Buxheti i Kosovës aktualisht është 1,9 miliardë euro. /Periskopi/

Bisedë e drejtpërdrejtë me Albin Kurtin.

Posted by Albin Kurti on Thursday, 22 August 2019