Nuk lëshonin kupona në plazhin e Jalit, Policia merr masat

Periskopi.com Lajme

Aksioni anti-informalitet ka vijuar sot në plazhin e Jalit në Himarë ku Policia ka proceduar penalisht shtetasit G. S., 47 vjeç, banues në Fier (administrator subjekti) dhe Z. D., 34 vjeç, banues në Himarë (administrator subjekti), pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet “Plazh Privat” në Jal, nën administrimin e këtyre shtetasve, u konstatua se në këto subjekte nuk lëshohej kupon tatimor, kishte mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia Himarë.

Operacioni ka vijuar në Vlorë ku janë proceduar penalisht shtetasit L. M., 52 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti) dhe E. N., 38 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti), pasi në subjektet e tyre në lagjen “Ujë i Ftohtë” kishte mungesë dokumentacioni dhe pa kasë fiskale.

Po gjatë operacionit që ka vijuar edhe në Divjakë, Policia ka proceduar penalisht shtetasen E. A., 38 vjeçe, banuese në Divjakë, (administratore) për fshehje të të ardhurave dhe mospagim të taksave dhe tatimeve. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Divjakës, u gjetën mangësi në dokumentacion, në subjektin sezonal që ajo ka në këtë plazh, duke mos deklaruar të ardhurat e duke mos paguar sigurimet./TCh