Kusari-Lila thotë se me ekipin aktual negociator, nuk ka marrëveshje me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar se dialogu me Serbinë është në kaos total për shkak të kërkesës së BE-së për heqjen e taksës dhe insistimit të Kosovës për ta mbajtur taksën deri në njohjen nga Serbia.

Ajo ka thënë për “Epoka e re”, të dielën, se mosinkuadrimi i dy partive më të mëdha në dialog ka bërë që ekipi negociator mos ta ketë peshën unifikuese dhe negociuese.

“Miratimi i rezolutës për dialog në Kuvend në formatin se si është bërë, gjegjësisht me mosinkuadrimin e dy partive më të mëdha opozitare, bën që ekipi për dialog nuk mund ta ketë peshën unifikuese dhe forcën negociuese. Situata politike në Kosovë kërkon domosdoshmërisht uljen në një tavolinë të të gjitha partive politike shqiptare për t’i diskutuar afatet kohore qoftë edhe për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të reja, në mënyrë që të kemi një agjendë të mirëfilltë”, ka thënë ajo.

“Dialogu me Serbinë është në kaos total për arsye se në njërën anë kemi kërkesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për heqjen e taksës, në anën tjetër qëndrimin e Kosovës për mbetjen e taksës deri në njohjen nga Serbia. Si do të dialogojë Kosova dhe a do të mbetet ky delegacion vetëm si delegacion shëtitës në diskutimet me BE-në, kjo mbetet të shihet. Megjithatë, fillimi nuk është premtues. Alternativa nuk është pjesë e ekipit për shkak se tashmë nuk mund të ketë ndonjë rezultat konkret dhe ajo që është shkaktuar deri më tani me procesin e dialogut nuk mund të rregullohet. Alternativa me një vendim gati unanim të kryesisë së saj ka vendosur që para se të ngutemi që të kemi ekipin ta trajtojmë situatën e brendshme politike në Kosovë, të kemi një konsensus të partive politike dhe vetëm pasi të arrihet ky konsensus të jemi pjesë e procesit të dialogut”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se nuk do të mund të ketë vazhdim të dialogut në këto rrethana dhe me këtë përbërje të ekipit negociator.

“Shanset janë minimale që të arrihet çfarëdo marrëveshje. Nuk besoj se do të kemi vazhdim të dialogut në këto rrethana dhe me këtë përbërje të ekipit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, zgjidhje për situatën e krijuar në Kosovë dhe për kaosin institucional janë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kohën e organizimit të të cilave duhen marrë vesh partitë mes vete.

“Absolutisht se zgjidhje për situatën e krijuar në Kosovë dhe për kaosin institucional janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, për kohën e organizimit të të cilave duhen marrë vesh partitë mes vete. Qëndrimi ynë dallon me ata sepse ne mendojmë se duhet të ketë një qëndrim mes partive politike. Qeverisja Haradinaj nuk e ka potencialin dhe mundësinë që të bëjë zhvillime pozitive për Kosovën, prandaj vetëm po e degradon shtetin”, ka deklaruar Kusari-Lila. Periskopi

Kusari-Lila për rastin “Sveçla – Krasniqi”: Deputetët kanë treguar se ka pasur konflikt fizik

Periskopi.com Lajme

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në fillim të punimeve të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës është folur ndër deputetë për rastin e përleshjes së deputetit të Vetëvendosje, Xhelal Sveçla dhe atij nga PSD, Frashër Krasniqi.

“Përleshja fizike ka qenë temë diskutimi në mëngjes se pse ndodhi dhe çfarë ndodhi, por pas asaj koncentrimi ka shkuar të rezoluta për dialogun – arritja e një pike konsensuale. Kuvendi është bërë si një shou në të cilin po mbulohen të gjitha, politika, komedia, tragjedia… Unë s’kam qenë prezentë në atë që ka ndodhë. Deputetët kanë treguar që ka filluar me konflikt verbal dhe ka përfunduar me konflikt fizik”, ka thënë Kusari-Lila, njofton Klan Kosova.

“Nuk është hera e parë që ndodh. Në sallë kemi parë kur kanë ndodhur ballafaqime fizike edhe jashtë kuvendit. Kam qenë dëshmitare e një konflikti të tillë. Edhe dje pati një eskalim të gjuhës dhe kur analizon rëndësinë e rrethanave dhe temën që po e diskutojmë i humb kuptimi kur del në rrafshin personal. Kuvendi duhet të ketë një rregullore më strikte. Këto konflikte qoftë në aspektin verbal dhe fizik bëhen mes burrave. D.m.th gratë duhet të jenë në numër më të madh në vendimmarrje. Nuk është bërë analizë por mendoj se legjislaturë pas legjislature ka ardh te rënia e rolit të kuvendit. Definitivisht sa më pak personifikime më interesant do të jetë puna dhe më me peshë”.

“Konsideroj se nëse shikohet se çka prodhojmë aty shkon në kundërshti, kur ke tensione të tilla kuvendi është më pak funksional”.

Kryetarja e Alternativës ka thënë se përkundër sallës së kuvendit, pozita dhe opozita mbajnë raporte më të mira nëpër komisione – prapa medieve.

“Në komisione pozitë-opozitë ekziston një bashkëpunim dhe performancë tjetër. Flitet për projektligje, tema të caktuara, kurse në kuvend ka kohë që s’kemi pas një agjendë për të diskutuar një temë të caktuar. Në këtë legjislaturë po e vërej që në secilën temë ka referenca në të kaluarën. Mos të flitet për patriotë dhe tradhtarë, kjo temë vjen shumë shpesh. Nëse mbesin me sy në retrovizor duke shikuar mbrapa atëherë do të ketë gabime përpara”.

Kusari-Lila i arsyeton çuditshëm hetimet ndaj saj: Është rast i vjetër

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e Alternatives, Mimoza Kusari- Lila po hetohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për më shumë se një vit, për veprën penale keqpërdorim të detyrë zyrtare si kryetare e Komunës së Gjakovës.

Më parë ajo ishte hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me punën e saj si ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Hetimet janë hapur bazuar në një kallëzim penal të deponuar në Prokurori. Ky kallëzim penal e implikon Kusari-Lilën në servisimin e një veture private të kompanisë “Mabetex Holding”.

Kusari- Lila thotë se ky rast është i vjetër, dhe se ajo është njoftuar se kanë pushuar hetimet lidhur me këtë çështje.

“Rasti i Prokurorisë së Gjilanit është dy vite i vjetër dhe mua më kanë njoftuar se kanë pushuar hetimet”, ka thënë ajo shkurt në një prononcim për Indeksonline.

Ajo është nën hetime edhe për privatizimin e katër hidrocentraleve nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me KEDS-in në vitin 2013.

“Ndërsa për rastin e privatizimit të Hidrocentraleve të KEDS mendoj se është një çështje për të cilën duhet të tregohet qartë se cila ishte përgjegjësia e Komisionit qeveritar për privatizimin dhe kush e solli vendimin për privatizim”, ka theksuar tutje ajo gjatë bisedës.

Indeksonline ka kontaktuar Prokurorinë e Gjilanit për detaje shtesë, por që të njëjtit nuk kanë qenë të disponueshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë rast.

Kusari-Lila sqaron takimin me Pacollin: Po flasim për situatën në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka mohuar se do të bëhet pjesë e ekipit negociator të Qeverisë për dialogun me Serbinë, që udhëhiqet nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto deklarime të Kusari-Lilës vijnë pas një takimi që kishte pasur në mëngjes me Kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin.

Mëngjesi i pesë shtatorit i bëri bashkë për kafe bashkëpartiakët e dikurshëm, Behgjet Pacollin dhe Mimoza Kusarin-Lilën. Diskutimi i situatës së përgjithshme në vend ka qenë arsyeja e takimit të tyre.

Së paku kështu ka deklaruar vet Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila i ka thënë Gazetës Express se diskutimi i situatës së përgjithshme në vend ka qenë arsyeja e takimit, por thotë se nuk ka ndonjë rezultat konkret nga ky takim.

“Ka qenë takimi diskutimi i situatës së përgjithshme, nuk ka kurgja konkrete prej atij takimi, dmth nuk ka absolutisht ndonjë rezultat ose përfundim që ia vlen të bëhet publik në këtë moment”, tha Kusari.

Por, Kryetarja e Alternativës ka mohuar se në këtë takim është diskutuar që ajo të jetë pjesë e ekipit negociator në dialogun me Serbinë. Gjersa, e vlerëson si shkelje të rëndë të Kushtetutës thirrjen e seancës së djeshme nga Qeveria.

“Jam shumë e qartë, për atë arsye edhe e kemi demantuar atë që është raportuar si takim me Z. Thaçi, nuk është opsion me qenë pjesë e ekipit negociator, si dhe atë që është duke ndodhë në Parlamentin e Kosovës e konsiderojmë si shkelje të rëndë të kushtetutës , me mënyrën se si janë proceduar bisedimet deri tani nga Z. Thaçi, por edhe me formën  se si Qeveria ka ndërhyrë me seancën e djeshme për ta votuar delegacionin, pa e votuar rezolutën e propozuar nga opozita”, deklaroi ajo.

Kujtojmë se dy protagonistët pas ndarjes në AKR kishin thumbime e kritika ndaj njëri tjetrit pasi që ndarja nuk ishte fort miqësore. Ndërsa partia e Kusari-Lilës është tërhequr edhe nga koalicioni parazgjedhor që kishte formuar me partinë e Isa Mustafës, LDK-në.

Kusari Lila pas letrës së Blakajt: Problemi nuk është në veri, por në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Deputetja Mimoza Kusari Lila, njëherësh kryetare e Alternativës, ka thënë se nëse edhe deklarimi publik i Prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, nuk e merr vëmendjen dhe trajtimin që duhet, “ne as nuk jemi për shtet dhe as nuk e kemi bërë shtetin tonë”.

“Le të rrahin gjoks gjithë jetën ‘Baballarët e Kombit’ për të arriturat e tyre, e ato të arritura janë: 19,000 veteranë të falsifikuar, shteti i kapur nga klani ‘Pronto’, sistemi i munguar i drejtësisë, Qeveria megallomane me shpenzime më të larta se të hyrat, sistem i arsimit dhe shëndetësisë të dëmtuara deri në palcë…. Këto janë vetëm disa nga të ‘arriturat’ e ‘Baballarëve’ tanë”, ka shkruar Kusari Lila.

Sipas saj, “fatura që po e paguan sot qytetari i Republikës është disproporcionalisht më e lartë se krejt “kontributet” e deklaruara të këtyre burrave (lexo: burrecave) që e zhvatin shtetin sikur çamçakëzin e dhuruar nga tjetërkush”.

“Qytetarë të Kosovës, mos u frikësoni se e humbim Veriun ose copë tjera të territorit të Kosovës, problemin nuk e kemi në Veri, por në kryeqendër të Kosovës, në Prishtinë”, ka thënë ajo, përcjell koha.net. “Pa e hequr kancerin e shoqërisë në qendër, asnjë hap tjetër për funksionalizim të shtetit nuk do të ketë sukses”, ka shtuar më pas Kusari – Lila.

Kusari-Lila ngacmon delegacionin kosovar: A u lodhët burra?

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja Mimoza Kusari-Lila ka ironizuar me faktin se në Bruksel kanë udhëtuar të gjithë krerët institucionalë e që janë burra.

Kusari-Lila, përmes një postimi në Facebook, rekomandimin pozitiv për Kosovën, e sheh si të vonuar, ndërsa përgjegjës i bëri krerët e institucioneve që ishin të pranishëm në këtë takim, përfshirë edhe kryetarin e saj të dikurshëm, Behgjet Pacollin që sot është ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër.

Postimi i Mimoza Kusari-Lilës:

“A u lodhët burra?” i paska pyetur Përfaqësuesja e lartë e BE-së krerët e shtetit, të cilët ishin paketuar për të marrë haberin e vonuar tre vite, për të cilin shumica kanë përgjegjësi direkte për këtë vonesë dhe këtë izolim të rëndë të qytetarëve të Kosovës.

Sot për të treguar që kemi pesë Kryeministra, pesë qeveri dhe pesë vilajete të ndara me zona të interesit, të një shteti të vogël dhe të varfër, kemi gjashtë përfaqësues para një gruaje të BE-së.

Këta gjashtë burra duke mos dashtë të kenë asnjë grua në “foton historike” folën më shumë se që menduan dhe na treguan se ku jemi.

Në notë pozitive, Me rëndësi rekomandimi i Komisionit është pozitiv, ndërsa i mbetet Parlamentit Evropian dhe këshillit të ministrave të sjellin vendimin e fundit për liberalizimin e lëvizjes së Kosovarëve.

Mos të harrojmë, në një ditë me këtë lajm, ndodhi edhe një takim pa konsenzus të brendshëm në Kosovë, Thaçi – Vuçiç, si një mesazh i qartë për Kosovarët se procesi i mëtutjeshëm për liberalizimin e vizave do të lidhet për Kosovarët me procesin e dialogut me Serbinë.