‘Seksi’ në Kuvend: 6 Rastet tronditëse kur u përdhos institucioni më i shenjtë në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Periskopi sot raportoi mbi disa video-inçizime të shkëputura nga një seancë e Kuvendit të Kosovës që ishte mbajtur gjatë këtij muaji, e ku dëgjoheshin zëra të çuditshëm mesa duket pas veprimeve të ndryshme seksuale. Por, Kuvendi i Kosovës – që është institucioni më i rëndësishëm në çdo shtet që është Demokraci Parlamentare – ka–përjetuar edhe momente të tjera më të rënda.

Kjo është Legjislatura e VII në Kuvendin e Kosovës, dhe udhëhiqet nga znj.Vjosa Osmani – e cila doli e dyta në kandidaturën e saj për kryeministre të vendit.

Por, as tash njëlloj si asnjëherë tjetër, nuk janë ndalur veprimet tmerruese që sulmonin shenjtërinë e Kuvendit të Kosovës. Periskopi liston më poshtë rastet më të rënda të përdhosjes së tij:

1.Pazaret e hapura politike

Në disa raste, kemi pasur pazare të hapura politike ndërmjet partive dhe deputetëve në mënyrë që këta të fundit të votonin projektligje të caktuara të propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në këmbim të votës, ishin përmendur favore të tilla si punësim familjarësh, terminale doganore dhe të tjera.

Temat për të cilat kjo dukuri ishte përmendur, ishin: Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Demarkacioni me Malin e Zi,  Buxheti për disa vite të ndryshme, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, etj.

2.Gazi lotsjellës

Deputetë të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismas e kishin mbajtur peng fatin e vendit dhe e kishin dhunuar Kuvendin duke hedhur gaz lotsjellës gjatë kohës së tyre të përbashkët në opozitë.

Duke qenë se nuk kishin numrat e mjaftueshëm për ta penguar në mënyrë demokratike, ata e pengonin ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi – që e konsideronin të dëmshëm për vendin në atë kohë – përmes këtij veprimi të dhunshëm.

Për ironi, ishte pikërisht Ramush Haradinaj (AAK) që me votat e partisë së tij – gjatë kohës së tij si kryeministër – e ratifikoi demarkacionin ndërsa po ashtu për ironi, ishte pikërisht gjatë kohës së Albin Kurtit (VV)  si kryeministër që Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi dhanë dorëheqje nga komisioni qeveritar për korrigjimin e tij.

3.Granatimi i Kuvendit

Ishte viti 2016 kur ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u qëllua me një granatë dore. Përgjegjësinë për rastin – nga një e-mail i dërguar nga një adresë e panjohur – e kishin marrë të ashtuquajturit “Rugovasit”.

Gjashtë aktivistë ishin gjykuar e madje edhe dënuar për këtë rast, i cili tashmë ka shkuar në Gjykatën e Apelit.

4.Ofendimet mes deputetëve

Që nga koha e Pavarësisë e këndej, deputetët e Kuvendit nuk kanë kursyer akuzat dhe kundër-akuzat ndaj njëri-tjetrit por edhe ofendimet e ulëta dhe gjuhën urrejtëse e mos-duruese.

Për këtë rast nuk po shkëpusim asnjë rast të veçantë, sepse rastet janë të panumërta dhe nuk duam të veçojmë deputetët e një partie a tjetrës. Vetë qytetari le të gjykojë se kush e sulmoi institucionin tonë të shenjtë më shumë me këtë  gjuhë të papranueshme.

5.Abuzimi për të bërë fushatë elektorale

Kosova ka harruar se kur ka mbajtur zgjedhje të përgjithshme të rregullta. Kjo ka bërë që deputetët e Kuvendit të rrinin shumicën e kohës gati për të bërë fushatë, duke mbajtur kësisoj fjalime acaruese që ishte e qartë se për qëllim kishin të merrnin votat e qytetarëve.

Fjalimet jopërmbajtësore dhe të papërgjegjshme politike dëmtuan rëndë Kuvendin e Kosovës. Në vend të angazhimit si ligjbërës dhe në monitorimin e punës së Ekzekutivit, Kuvendi u bë një arenë ku partitë politike – të gjitha pa përjashtim – bënin fushatë elektorale pa pagesë.

6.Klithmat ‘seksuale’

Për t’i vënë kulmin abuzimeve me Kuvendin u përkujdes një (ose dy) përkthyese nga gjuha turke në atë shqipe. Gjatë kohës sa po përkthente, njëra përkthyese papritmas filloi të lëshonte zëra që dukeshin si reaksione nga veprimet apo ndërveprimet e saj seksuale. Pas disa sekondash, merr përkthimin një zë tjetër (nëse jo një grua tjetër) dhe e cila po ashtu vazhdon të lëshojë zëra ‘seksualë’. /Periskopi

Kuvendi i Kosovës gjen arsyetime, Senati Amerikan mban seancë me 100 senatorë

Periskopi.com Lajme

Përderisa deputetë të Kuvendit të Kosovës gjejnë arsyetime për të mos mbajtur seancë parlamentare duke u thirrur në rrezikun nga koronavirus, senati amerikan është duke mbajtur seancë që disa orë për të punuar në drejtim të një zgjidhjeje për përkrahjen e bizneseve vendore që ndikohen nga impakti ekonomik i koronavirusit.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka shprehur kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e virusit COVID-19, të cilën e propozoi presidenti Thaci javën që shkoi.

Me gjithë shtimin e rasteve nga dita në ditë dhe kapacitetet e kufizuara të sistemit shëndetësor në Kosovë, kryeministri Kurti një gjë të tillë e ka konsideruar të panevojshme.

Ndërkohë, në New York është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe ushtria amerikane tashmë po patrullon rrugët e këtij shteti.

Shkalla e përhapjes së virusit eskaloi pasi nuk ishin marrë masat e duhura me kohë, duke rritur ndjeshëm shifrat e të infektuarve.

Raporte e analiza nga e gjithë bota flasin për pasojat e mos-marrjen e masave dhe kufizimeve të nevojshme për ta parandaluar shpërndarjen e virusit.

Edhe në Hong Kong situata ishte menaxhuar mirë në fillim, duke bërë që numri i rasteve me të infektuar të mos jetë aq i lartë sic pritej.

Mirëpo, sipas një artikulli publikuar nga CNN, shihet që në momentin që këto masa kanë nisur të lirohen, ka pasur numër të shtuar të të infektuarve.

Një raport nga Imperial College i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paralajmëron për pasojat e mëdha që do t’i shkaktohen popullsisë në botë nëse mungojnë masat emergjente të izolimit, duke parashikuar shifra të larta të të infektuarve dhe të vdekurve./Periskopi/

Nesër Kuvendin mban seancë të veçantë, deputetëve do t’iu drejtohet Vasfije Krasniqi

Periskopi.com Lajme

Me rastin e shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon seancë të veçantë, e cila do t’i kushtohet ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Deputetëve të Kuvendit të Republikës do t’u drejtohet Vasfije Krasniqi-Goodman.

Seanca mbahet më 9 mars 2020, në orën 11.00.

Po ashtu, nesër pritet të jetë ditë me zhvillime në politikën e Kosovës pasi që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, do të presë në takim liderët politikë të vendit.

AAK ka thirrur në interpelancë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratave të ministrit të Integrimeve Europiane, Blerim Reka.

Kuvendi mban seancë për të shënuar Epopenë e UÇK-së

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të veçantë për të shënuar 22-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca e Kuvendit mbahet në orën 09:00.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani do të merr pjesë dhe mban fjalë rasti në ceremoninë e parakalimit të Ushtrisë, që do të mbahet në ora 12:00.

Në ceremoninë e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jenë të pranishëm edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti.

Nuk mbahet seanca e kërkuar nga Thaçi për raportimin e vizitës në ShBA

Periskopi.com Lajme

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani pritet që për pak t’i kthejë përgjigje negative presidentit Hashim Thaçi për seancën që e ka kërkuar sot për të raportuar rreth takimit me Aleksandar Vuçiq.

Osmani rrjedhimisht sot gjatë ditës nuk do të mbledhë kryesinë e Kuvendit për të bërë përgatitjet për seancë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot i ka nisur edhe një kërkesë Osmanit nga e cila ka kërkuar që në ora 16:00 të njoftojë deputetët për seancë, nga ku ka kërkuar që të raportojë për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara.

 

 

 

​Presidenti Thaçi ka dekretuar deputetët e rinj, këta janë emrat

Periskopi.com Lajme

Në seancën e jashtëzakonshme për taksën është bërë betimi i deputetëve të rinj të cilët kanë qenë në pritje, pas emërimit të deputetëve të kaluar në pozita ekzekutive.

Kjo pas dekretimit të tëre presidentit, Hashim Thaçi.

Nga Lëvizja Vetëvendosje: Enver Haliti zëvendësoi Albin Kurtin, Alban Hëseni zëvendësoi Glauk Konjufcën, Arta Bajralija zëvendësoi Albulena Haxhiun, Fitim Haziri zëvendësoi Arben Vitia, Eman Rrahmani zëvendësoi Haki Abazin.

Nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës:

Hatim Baxhaku zëvendësoi Anton Qunin, Fidan Rekaliu zëvendësoi Lumir Abdixhikun, Xhavit Uka zëvendësoi Avdullah Hotin, Besa Gaxherri zëvendësoi Hëkemete Bajramin, Shkumbin Gashi zëvendësoi Besian Mustafën. Ndërsa subjekti politik Nova Demokratska Stranka,

Zikreta Aliti zëvendësoi Emilija Redžepi.

 

Nis seanca e Kuvendit e jashtëzakonshme e Kuvendit

Periskopi.com Lajme

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohet për taksën ndaj produkteve serbe.

Siç ka njoftuar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në sallë gjendet 106 deputetë.

 

Seanca e jashtëzakonshme: Kurti arrin në Kuvend (Foto)

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Albin Kurti ka arritur në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga AAK-ja lidhur me taksën.

Kuvendi më herët ka shkuar në pauzë 10 minutëshe për shkak të mungesës së kuorimit.

 

Kuvendi në pauzë, nuk ka kuorum

Periskopi.com Lajme

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohet për heqjen e tarifës 100 për qind, e paralajmëruar që të fillojë në ora 11 :00 nuk ka filluar ende, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se do të shkojnë në pauzë 10 minutëshe pasi në sallë nuk ka nuk ka kourum në sallë për të vazhduar senaca.

“Me qenëse nuk kemi kuorum do të shkojmë në një pauzë 10 minutëse deri sa të mblidhen depuntetët”, ka thënë Osmani.

Në sallë ishin të pranishëm deputetët e LDK-së dhe të AAK-së.

Ndryshe në këtë seancë Kuvendi do të debatohet lidhur me paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti, për heqjen e tarifës 100 % ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.

Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme për taksën

Periskopi.com Lajme

Sot do të mbahet seanca e jashtëzakonshme në lidhje me paralajmërimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e taksës.

Seanca pritet të fillojë në ora 11:00.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj të premten pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që AAK-ja edhe me protesta ta kundërshtojë heqjen e taksës.

Të hënën seancë e jashtëzakonshme për taksën

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për taksën të hënën më 2 mars.

Kjo është bërë e ditur pas mbledhjes së mbajtur sot nga kryesia e Kuvendit.

Seanca do të mbahet me kërkesë të 41 deputetëve dhe në të do të zhvillohet debat lidhur me paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind.

Ky është njoftimi i plotë:

Të hënën, më 2 mars, në orën 11:00, Kuvendi, me kërkesë të 41 deputetëve, do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e tarifës 100 për qind.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetarja Vjosa Osmani, në prezencë edhe të kryetarëve të grupeve parlamentare.

Kryesia konstatoi se kërkesa e deputetëve për thirrjen e kësaj seance, i plotëson kushtet formale-juridike, prandaj sipas praktikës, seanca do të mbahet sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues.

Po ashtu, Kryesia vendosi që në pjesën e parë të marsit të mbahet edhe dy seanca të tjera të veçanta: më 5 mars, në orën 9:00, do të mbahet seancë për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa më 9 mars, në orën 10:00, seancë tematike për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia mori edhe vendime të tjera, që lidhen funksionalitetin e disa institucionve të pavarura.

Kështu, Kryesia vendosi që të publikojë shpalljen për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës dhe autorizoi administratën ë Kuvendit që të ndërmarrë veprimet përkatëse, sikurse edhe për dy anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

Konstituohet Komisioni për Integrim Evropian, prioritet MSA-ja dhe liberalizimi i vizave

Periskopi.com Lajme

Në Kuvendin e Kosovës është bërë konstituimi i Komisionit për Integrim Evropian, njëherësh komisioni i parë i legjislaturës së shtatë.

Kryetari i Komisionit për Integrim Evropian, Armend Zemaj, deklaroi se prioritet i komisionit do të jetë agjenda evropiane, përfshirë MSA-në dhe liberalizimin e vizave.

Mes tjerash, ai potencoi se do të ketë përmbushje legjislative, përfshirë intensifikimin e ministrave dhe bashkëpunimin me komisionet tjera.

“Bazuar në rregulloren e punës është njëra ndër komisionet e katër të rëndësishme parlamentare të Kuvendit. Në kudër të detyrave dhe përgjegjësive koordinohet me BE-në dhe shtetet pjesëmarrëse. Të kemi qasje më serioze të ekzekutivit dhe përmbushjes së agjendës evropiane dhe MSA-së”.

“Dita e marte jetë ditë e takimit të komisionit. Do të intensifikojmë raportimin e ministrave. Bashkëpunimi me komisionet tjera, do të kompletohemi si vullnet i përbashkët të përmbushjes së agjendës legjislative”, ka thënë Zemaj.

Anëtarja e komisionit nga PDK, Blerta Deliu, kërkoj që krahas angazhimeve prioritet i komisionit të jetë liberalizimi i vizave, pasi siç tha ajo kjo është një nga gjërat kryesore që po e presin qytetarët.

“Do të kemi një angazhim të përbashkët. Ta ruajmë një bilanc të unitetit. Të merremi me agjendën e MSA-së që ka nevojë Kosova ta rris përqindjen”.

“Sfidat dhe objektivat agjenda e reformave evropiane. Duhet të intensifikohen takimet me ministrat. Është e nevojshme të shtrihet objektivi për liberalizimin e vizave. Krahas angazhimeve tona ta kemi prioritet për ta parë qëndrimin e shteteve”, tha Deliu.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjushica, tha se është i gatshëm që të shkojnë përpara proceset evropiane.

“Si përfaqësues shpreh vullnetin e plotë dhe gatishmërinë të dalim mbi partitë tona që t’i dërgojmë përpara implementimet e proceseve  evropiane”, u shpreh ai.

Deputeti nga 6+, Albert Kinolli, tha se është e rëndësishme me u zhvesh prej petkut partiak, raporton EO.

Evgjeni Thaçi-Dragusha nga PDK-ja theksoi se duhet të jenë unik në këtë fushë sepse obligohen që vendi të arrijë synimet.

Arbresha Kryeziu nga LVV-ja, kërkoj që qëllimi të jetë i njëjtë i gjithë anëtarëve pavarësisht përkatësisë politike.

Kuvendi i Kosovës të hënën mban seancë solemne për 12 vjetorin e Pavarësisë

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës të hënën do të mbajë seancë solemne me rastin e 12 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në një komunikatë për media, drejtoria për media e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se seanca solemne do të fillojë të hënën në ora 11:00

Qeveria e Kosovës poashtu ka paraparë një sërë aktivitete me rastin e 12 vjetorit të Pavarësisë së vendit.

Zëvendëskryeministri, Haki Abazi ka njoftuar se të hënën do të zhvillohen homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pastaj tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe tek varri i veprimtarit Adem Demaçi për të përfunduar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kuvendi voton për themelimin e komisioneve parlamentare

Periskopi.com Lajme

Me  84 vota pro, dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka votuar themelimin e 14 komisioneve parlamentare.

Votimi ka ardhur pas dakordimit të pozitës dhe opozitës.

Para kësaj pike, deputetët e Kuvendit kanë votuar edhe për vlefshmërinë e rregullores së Kuvendit, propozim ky i deputetit të PDK-së, Memli  Krasniqi./Periskopi/

Dështimi i parë i Vjosa Osmanit si Kryeparlamentare

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shënuar sot dështimin e parë në seancën e parë parlamentare, pasi qysh në zgjedhjen e saj në krye të legjislativit e filloi duke injoruar partitë opozitare të cilat as nuk i ftoi për pjesëmarrje në seancën e 3 shkurtit kur u zgjodh kryetare.

Në seancën e sotme ku në rend ishte votimi i përbërjes së komisioneve parlamentare e ku parashihej votimi me 80 vota pro për caktimin e numrit të komisioneve nga 16 në 14, opozita doli kundër duke shënuar kështu dështimin e parë të Vjosa Osmanit si kryetare Kuvendi.

Deklarimi kundër i deputetëve të opozitës në këtë seancë u arsyetua nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se ky ‘dështim i Vjosa Osmanit vjen si rezultat i arrogancës së saj dhe sjelljes jo të dinjitetshme të saj’.

Ai tha se pa një bashkëpunim korrekt dhe pa krijimin e kohezionit të brendshëm politik.

Për këtë, kanë folur edhe deputetë të tjerë të opozitës, si ata nga Nisma, të cilët kanë thënë se ‘nuk kanë marrë fare ftesë për seancën’./Periskopi/

​Mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës sot mban seancën e rregullt, në të cilën do të bëhet shqyrtimi i propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.

Siç ka njoftuar Kuvendi i Kosovës, kjo është pika e vetme e paraparë në rendin e ditës.

Legjislativi i ri deri më tani ka mbajtur vetëm dy seanca. Seanca konstituive ku është zgjedhur kryesia e Kuvendit dhe kryetari, Glauk Konjufca dhe në seancën e dytë është votuar Qeveria e Kosovës dhe po ashtu, është zgjedhur kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani.

PDK: Të bojkotojmë ty Vjosa Osmani, jo Kuvendin

Periskopi.com Lajme

Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas deklaratave të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila sot pas mbledhjes së Kryesisë deklaroi se PDK që nga 3 shkurti po e bojkoton Kuvendin.

Këto deklarata të Osmanit, partia më e madhe opozitare i quan gënjeshtra, duke theksuar se bojkotin e kanë bërë ndaj znj. Osmani e jo ndaj Kuvendit.

“Znj. Osmani, jo bojkot Kuvendit, por bojkot ty! Vjosa Osmani edhe sot gënjeu publikisht para gazetarëve se PDK po e bojkoton Kuvendin nga data 3 shkurt kur u votua Qeveria. Kjo nuk është e vërtetë. As që do të ketë bojkot, siç do ajo. Bojkoti është për të dhe manipulimet e saja për të mekanizuar për lojëra të veta politike, institucionin më të lartë të vendit”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga PDK.

“Të gjithë qytetarët e kanë ndjekur seancën më 3 shkurt dhe deputetët e PDK-së ishin aty, madje të gjithë kanë diskutuar në atë seancë.

Ndërsa, deputetët e PDK-së nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë në seancën tjetër të asaj dite për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, sepse ajo ishte seancë klandestine. Deputetët e PDK-së janë njoftuar vetëm 5 minuta para asaj “seance”. Fare qartë u pa se ajo ishte seancë e përjashtimit tonë, për të mos pasur mundësi të marr pjesë opozita në të”, thuhet në komunikatë.

“Qëllimi i qartë i kësaj loje të rrezikshme ishte frika nga ballafaqimi me transparencën e shkarkimit të një kryetari Parlamenti dhe zgjedhja e një kryetari të ri si znj. Osmani, në rrethana më të paqarta politike dhe flirtim të rrezikshëm politik me Beogradin, përkatësisht Listën Serbe. Atë natë u shtjellua një precedan i rrezikshëm: Koalicioni me Beogradin dhe Listën Serbe i padeklaruar, do të mbajë të gjallë këtë qeveri dhe këtë pseudokryetare Kuvendi, e cila me çdo kusht synon të nxjerr jashtë Kuvendit udhëheqësin e opozitës!!!”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Partia Demokratike ka sqaruar po ashtu se në seancën e dytë të Kuvendit më 3 shkurt ku u votua për kryetarin e ri të Kuvendit, njëjtë si PDK, nuk kanë marrë pjesë edhe deputetët tjerë opozitarë por edhe disa nga pozita sepse nuk ishin ftuar me kohë.

“PDK kërkon që znj. Osmani të kryej obligimin ligjor, të kthej fotot e Presidentit dhe Adem Jasharit në vendin e vet. Po ashtu, të mbaj foton e ish-presidentit Rugova në kabinet dhe të luaj rolin e vet kushtetues si spikere e Kuvendit, siç duhet ta ketë!  PDK si lidere e opozitës nuk do të merret me znj. Osmani por me oponentët tanë politikë. Por, ajo duhet ta kuptojë se do të bojkotohet derisa të ndalojë shkeljet ligjore në institucionin e Kuvendit”, thuhet në komunikatë.

Bashkimi pozitë – opozitë, i nevojshëm për taksën dhe për reciprocitetin

Periskopi.com Lajme

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit për zëvendësimin e taksës 100 për qind me parimin e reciprocitetit i ka vënë përballë pozitë e opozitë.

Ndryshe nga Qeveria, partitë opozitare po kërkojnë që taksa të mos hiqet pa njohje nga Serbia.

Ndërsa njohësit e çështjeve politike, teksa vlerësojnë se Kosova mund të përfitojë nga reciprociteti, theksojnë se në këtë kërkesë spektri politik duhet të jetë i bashkuar dhe unik karshi Serbisë, shkuan sot gazeta Zëri.

Taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe kryeministri aktual, Albin Kurti, është i vendosur se do ta zëvendësojë me reciprocitet.

Mirëpo për një gjë të tillë shefi i Qeverisë nuk po gjen mbështetje as nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e kishte vendosur këtë tarifë e as nga opozita e tanishme.

Arrestohet nëpunësja e Kuvendit, ishte në gjendje të dehur

Periskopi.com Lajme

Pak më parë raportoi se një femër është arrestuar në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovë në Rajonin e Prishtinës, Baki Kelani.

“Është arrestuar një femër e cila ka pasur telashe familjare, është e dehur dhe ka pasur telashe familjare”.

“E arrestuara është nëpunëse në Kuvendin e Kosovës, nuk dihet ende pozita e saj, nuk ka të bëjë asgjë me Kuvendin por me probleme familjare”, deklaroi Kelani.

 

Kuvendi n’pauzë: 5 momentet dhe deklaratat më interesante në pjesën e parë  

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancën ku do të votohet Qeveria. Pak para orës 15:00, Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 16:00. Këto janë disa nga deklaratat më interesante nga pjesa e parë e ditës gjatë seancës së sotme.

1.Kurti: Shërbimi ushtarak i detyrueshëm

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti para deputetëve dhe qytetarëve duke paraqitur programit e tij qeverisës tha se ata do të jenë qeveri e kursimit.

“Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike, para meje do të jenë 15 ministra dhe jo 22 sa ka qenë më herët. Pra më pak shpenzime në poste. Do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit”, tha ai.

Kandidati për kryeministër tha se do të bëjnë shërbimin ushtarak të detyrueshëm prej tre muajsh, si dhe do të iniciojnë dënimin e krimeve të luftës.

2.Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, GanimeteMusliu, ka ndërprerë fjalimin kandidatit të propozuar për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti i cili ka qenë duke paraqitur kabinetin qeveritar para Kuvendit.

Ajo ia ka vendosur Kurtit flamurin kombëtar, ndërsa, ky i fundit e ka falenderuar.

 

3. Poezia e Demaliajt për Kurtin

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj gjatë fjalimit të tij që mbajti në seancën e sotme, ka recituar një poezi për qeverinë që pritet të votohet sot.

Sipas tij, Kurti nuk ka njerëz që mund të qeverisin me vend.

Ai tha se 60 përqind të popullatës, mandatari për formimin e qeverisë, e ka larguar nga programi qeverisës.

“Praktika internacionales së dytë para 100 vjetëve të Lenjinit sot po donë՞ të instalohet në Kosovë edhe ia kisha thënë një poezi të vogël. “Ylli i vogël lartë në qiell, duket porsi zjarr në pyll. Sipër dheut larg qëndron, xixa-xixa xixëllon. Kështu kom me ta qu këtë legjislaturë Albin, se ke rrejt… Janë poezi shqipe se ju lexoni shumë…E pash kabinetin, faleminderit asnjë ministër nga Dukagjini, as nga Drenica do të thotë kjo është totalitarizëm se duhet me i pushtu këto vende. Po mirë ua bëni se ata ju kanë votuar edhe ju kanë besuar. Mbaje mend Albin, Kosova nuk është kaq, janë 630 mijë banorë në zonë të Dukagjinit edhe Drenica i ka 500 mijë, do të thotë 60 për qind të popullatës ti e ke hjek prej programit tënd qeverisës”, tha Demaliaj.

4.Kadri Veseli: Albin Kurti as nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij para deputeteve në seancën për zgjedhjen e Qeverisë, ka thënë se sot po synon të bëhet kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i cili as nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës si shtet, prandaj sipas tij, Kurti nuk mendon as të jetojë në Kosovë.

Veseli ka renditur disa të vërteta që duhet t’i dinë qytetarët në këtë ditë.

“E vërteta e parë, është se si po ua lëmë Kosovën sot, të cilën ti Albin Kurti as nuk e njeh, as nuk e ndjen dhe as nuk e mendon si vend për të jetuar. E vërteta e dytë, fatkeqësisht tregon se ti je sot këtë mbi rrënojat e një tregimi të zi për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Ti ke protestuar kundër gjithÇkaje të mirë që i ka ndodhur Kosovës. Ke sulmuar policët më të mirë dhe institucionet e Kosovës”, tha Veseli.

Lideri i PDK-së i shtroi pyetje Albin Kurtit, duke e pyetur se a do ta luftojë Serbinë me këtë qeveri, apo ushtarët e UÇK-së përmes Gjykatës Speciale?

“Sepse, ti dhe gjysma e ministrave tu gjithmonë keni kërkuar burg për çlirimtarët e Kosovës. Si është e mundur që asnjë patrioti nuk i bëre vend në kabinetin qeverisës? I eliminove edhe në Kuvend”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së ka paralajmëruar nismat kryesore që do t’i iniciojë PDK në Kuvend.

“Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë përgjegjësi për temat më të ndjeshme të Kosovës, që nga paslufta. Do t’i hapim dhe diskutojmë këtu krejt marrëveshjet e arritura në dialog, për ta mësuar të vërtetën a ka tradhti a jo? Nëse ti shkon në dialog pa kërkuar falje Serbia, pa u kthyer eshtrat e secilit shqiptar, siç ke premtuar, a je tradhtar a jo? Do të flasim për taksën e vendosur ndaj Serbisë. A do ta heqësh ti apo jo? Do të flasim për të gjitha pasurimet në Kosovë, privatizimet dhe tenderimet. Do të flasim për krimet e komunistëve jugosllavë mbi shqiptarët në Kosovë. Do të flasim edhe për vrasjen e Astrit Deharit, me emrin e të cilit keni abuzuar dhe akuzuar çdo kundërshtar politik, përfshirë këta që i keni në koalicion. Do të flasim edhe për UÇK-në, edhe për SHIK-un. Do të flasim edhe për sulmet terroriste të “Syrit të Popullit”, mbi individë, familje dhe institucione. Do të flasim për të gji tha që duhet, e mbi të gjitha edhe për vrasjet politike, me të cilat shpesh është abuzuar me tragjeditë e tyre në kohë fushatash”, tha Veseli, duke përfunduar edhe me një propozim temë që tha se do ta flasin.

“Do të flasim edhe për diçka tjetër, Albin. Para qytetarëve të Kosovës do të japësh përgjegjësi si kreu i organizatës terroriste Syri i Popullit”, deklaroi Veseli.

Kryetari i PDK-së ka thënë se koalicioni VV-LDK do jetë koalicion i pazareve dhe nuk do të merr asnjë vendim të mirë për Kosovën.

Ai tha se PDK do të jetë gjithmonë në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve,

“Do të jemi kujdestarë për çdo të mirë e të keqe që i vjen vendit tonë. Nuk do të lejojmë ta cenojë askush lirinë e pavarësinë e vendit tonë, dhe as të preken interesat kombëtare. Është vullneti i popullit, që po na përcjell sot. Është besimi i votuesve të Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe mbi të gjitha, ky është amaneti i shokëve tonë të vrarë në luftë. Në fund të fundit, kjo është Kosova jonë dhe nuk do të guxojë askush dhe në asnjë vend ta tjetërsojë Kosovën e UÇK-së”, tha Veseli.

5. Pacolli: Jam shpirt konstruktiv, e votoj Kurtin për kryeministër

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se partia e tij do të jete konstruktive në këtë legjislaturë, dhe se do të jenë të pranishëm për të votuar gjithçka që është në të mirë të Kosovës.

Ai konfirmoi se do të qëndrojë në opozitë këtë madant.

“Unë dhe njerëzit e mi asnjëherë nuk do ta lëshojmë sallën, kur votohet diçka e rëndësishme, ne do të jemi këtu. Unë do t’ju votoj juve. Ta shohim nga ardhmja, mos të kthehemi në të shkuarën. Jam dhe do të mbetëm pjesë e opozitës. Çdo pikë e programit tuaj do analizohet nga unë, do t’iu përballë me dështimet tuaja, nëse ato janë të arsyeshme. Kam qenë do të mbetëm konstruktiv dhe derisa të kryhet shtet ndërtimi i Kosovës do të mbetëm ashtu. Puna e mbarë ju qoftë”, theksoi Pacolli./Periskopi/