Asnjë masë ndëshkuese ndaj ndërtuesit që rrezikoi banorët e lagjes së “Muhaxhirëve” (Foto)

Periskopi.com Lajme

Komuna e Prishtinës dhe organet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj përgjegjësve që quan në shembjen e dheut në lagjen e “Muhaxhirëve”. Dyshimet e para janë se dheu ka rrëshqitur si pasojë e një ndërtimi të një godine ku po ndërton baballëku i deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Lëkundja e madhe e dheut që ndodhi në lagjen e ‘Muhaxhirëve’, në Prishtinë, ku po ndërtohet një banesë shumëkatëshe ka rrezikuar shtëpitë përreth.

Nga pamundësia për të jetuar dhe prej frikës së shembjes më të madhe, në muajin maj u desh të zhvendosen disa familje nga ndërtesa, sipër dheut që rrëshqiti. Ndërkohë, asfalti ka mbetur në atë gjendje tash e disa ditë.

Prokuroria nuk ka ndërmarr akoma asnjë masë ndaj kësaj situate, ani pse Kodi penal i Kosovës parasheh masa ndëshkuese dhe situatën e tillë mund ta kategorizon si ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’.

Zyra për informim e Prokurorisë së shtetit nuk ka kthyer përgjigje, nëse kjo situatë është duke u hetuar.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna e Prishtinës lidhur me atë se çka ka ndërmarrë ndaj kompanisë ndërtuese pas shembjes se dheut dhe se çka po ndërmerr që gjendja të kthehet siç ka qenë, por nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Në atë ndërtesë veprimtarinë e vetë të avokaturës në një lokal e kanë ushtruar edhe dy avokatë, Naim Rudari dhe Blerim Çela.

Avokati Naim Rudari, ka treguar për lajmi.net se janë zhvendosur nga lokali dhe se po kërkojnë tjetër lokacion.“Pas shembjes së dheut është shfaqur rreziku dhe është dashur të largohemi. Aktualisht jemi pa lokal, pasi atë ku e kemi qenë e kemi lëshuar për krejt, këtë ia kemi kumtuar edhe qiraxhiut”, tha Rudari.

Ai thotë se aktualisht nuk ka ndonjë kallëzim penal nga ana e banorëve për rrezikun që u ishte kanosur.

“Deri më tash, më sa di nuk ka ndonjë kallëzim penal, për në të ardhmen nuk e di”, tha ai.

Nga ndërtesa, pos lokalit të avokatisë janë evakuuar edhe 3 familje tjera që jetonin në atë godinë. Mësohet që familjet e zhvendosura janë akomoduar në disa banesa, qiranë e të cilave po e paguan kompania që po ndërton poshtë shembjes, nga ndërtimi i së cilës dyshohet që erdhi edhe deri të rrëshqitja e dheut.

Lajmi.net ditë më parë ka raportuar se pronari i tokës dhe i objektit ndërtimor, u po ndërtohet godina shumë katëshe është Nexhmi Kastrati, i cili është baballëku i deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në fakt, objekti nëntë katesh është duke u ndërtuar nga NNSH “Shala –XH” dhe Nexhmi Kastrati.

Punëkryes është kompania “Shala Group”, ndërsa prona është në pronësi të 13 pronarëve.“Shala Group” dhe Nexhmi Kastrati kanë kërkuar leje të dertimit që nga viti 2017, por drejtoria e Urbanizimit ia kishte refuzuar kërkesën me arsyetimin se parcela nuk i plotëson kushtet e ndërtimit.

Mandej, kryetari Shpend Ahmeti u ka propozuar një shkëmbim të pronës pronarëve me një parcelë të komunës, në mënyrë që t’i mundësohet nderimi i ndërtesës baballëkut të Abdixhikut, si investitor dhe pronarë i tokës.Propozimin për shkëmbimin e pronave, kryetari Ahmeti e kishte dërguar në fund të vitit të kaluar në Kuvendin Komunal, si organ kompetent i shkëmbimeve të pronave komunale.

Fillimisht disa asamblistë të LDK-së kanë hezituar ta votojë këtë propozimin të kryetarit Ahmeti, por pas një zhurme të krijuar nga asamblistët e PSD-së gjatë mbledhjes së Kuvendit, LDK-ja e ka votuar në mënyrë unanime.

Burime të lajmi.net brenda grupit parlamentarë të LDK-së në KK-së të Prishtinës kanë thënë se, deputeti Abdixhiku i kishte kontaktuar disa asamblistë për ta votuar këtë propozim.

As deputeti Abdixhiku lidhur me këtë nuk ka dhënë përgjigje.Pas shkëmbimit të tokave, ishin krijuar kushtet për ndërtim.

Fillimisht, komuna për ndërtimin e këtij objekti ka lëshuar leje për sigurimin e gropës ndërtimore, gjegjësisht ndërtimin e pilotave si fazë paraprake e kërkesës për leje ndërtimore.

Pastaj, më datë 7 maj 2019, i është lëshuar leja e ndërtimit për ndërtimin e ndërtesës shumëbanesore afariste ‘Ndërtesa A’ me etazhitet 2B+S+P+9, në kuadër të bllokut urban ‘a-02’.