Shtatë vite pas, shqiptarët e Luginës nuk dinë asgjë për fatin e lapidarit të UÇPMB-së

Periskopi.com Lajme

Shtatë vite më parë, forca të shumta policore e ushtarake hoqën me dhunë nga qendra e Preshevës lapidarin me emrat e 28 dëshmorëve të ushtrisë së UÇPMB-së.

28 emrat e dëshmorëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), shtatë vite më parë ishin vendosur në një pllakë përkujtimore, si shenjë nderimi për veprën e tyre për Luginën e Preshevës.

Mirëpo, ishte mëngjesi i 20 janarit të vitit 2013, kur një numër shumë i madh i forcave policore serbe, të shoqëruara nga njësitet e xhandarmërisë, morën pjesë në operacionin e heqjes së lapidarit të vendosur para ndërtesës së administratës së Preshevës.

Tash e shtatë vite që kur u organizua ky aksion i shtetit serb ndaj pllakës përkujtimore të dëshmorëve të kombit të UÇPMB-së, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk dinë gjë për fatin e tij.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë për lajmi.net, se zyrtarë serbë iu kanë thënë se lapidari është i vendosur në një depo të caktuar e cila është nën përkujdesin e Entit të Monumenteve mirëpo, asnjë herë nuk iu është lejuar që ta shohin pllakën përkujtimore.

“Para 7 viteve nga largimi i pllakës përkujtimore të dëshmorëve të kombit të rënë në luftën e UÇPMB-së. Në një operacion nga njësitet e shumta speciale anti-terroriste në mënyrë të dhunshme kanë hequr lapidarin memorial ku kanë qenë  të shënuar emrat e 28 dëshmorëve të luftës çlirimtare të UÇPMB-së. Presheva nën rrethim e bllokim iu nënshtrua dhunës së përçmimit të shqiptarëve në Luginë. Sot e 7 vite ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me lapidarin, përveç informacioneve se është vendosur në depo të caktuar dhe është nën përkujdesjen Entit për Monumente”, ka thënë Mustafa.

Ai po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Këshillit Kombëtar Shqiptar që ta marrin nën përkujdesje përsëri lapidarin, autoritetet serbe asnjëherë nuk kanë dhënë përgjigje se çfarë ka ndodhur me pllakën përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar ka bërë kërkesën për t’u njoftuar me fatin e pllakës përkujtimore dhe ka kërkuar sqarimet shtesë se si mund ta marrim nën përkujdesje, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, ka treguar Mustafa për lajmi.net.

Mustafa po ashtu ka kujtuar se i gjithë aksioni për heqjen e lapidarit ishte bërë me urdhërin e Ivica Daçiqit, i cili në ato kohë ishte kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Ka pasur ultimatum deri më 17 janar 2013 nga kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i atëhershëm serb, e ministri i Punëve të Jashtme sot,  Ivica Daçiq, i cili më pas edhe kishte kushtëzuar bisedimet me Kosovën, në Bruksel me pllakën përkujtimore. Por, atëherë kur nuk pritej ndodhi edhe një akt tjetër vandal ndaj shqiptarëve të Luginës. Njësitet speciale të udhëhequr nga krimineli Bratislav Dikiq (I gjykuar dhe mban burgun në Malin e Zi për tentim grushtshteti), deshën të përdhosin vlerat më të larta të shqiptarëve të Luginës”, u shpreh Mustafa.

Ai po ashtu thotë se me këtë aksion, Serbia e ka vërtetuar se sa larg mund të shkojë dhe se nuk do asgjë shqiptare në shtetin e saj.

Sipas Mustafës, heqja e lapidarit ka forcuar edhe më shumë bindjen dhe vlerat liridashëse dhe idealet për Luginën e Preshevës dhe siç u shpreh ai, shqiptarët e Luginës ansjëherë nuk do të dorëzohen karshi Serbisë.

“Ne kujtojmë këtë datë se me këto veprime veç sa e kanë forcuar bindjen mbi vlerat tona liridashëse e idealet e Luginës. Kjo tregon se sa larg është e gatshme Serbia shtetërore të shkojë në moslejimin e shënimit me pllakën përkujtimore të dëshmorëve tanë. Kjo tregon se Serbia nuk është e gatshme të pranojë asgjë shqiptare. E ne nuk do të dorëzohemi asnjëherë”, theksoi Mustafa për lajmi.net.

Theksojmë se që pas heqjes, prindërit e dëshmorëve shpeshherë kanë kërkuar kthimin e lapidarit në Preshevë mirëpo, deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar se ku gjendet kjo pllakë me 28 emrat e dëshmorëve.

Po ashtu edhe gjatë vitit 2019, njësitet policore serbe kishin bastisur disa shtëpi të dëshmorëve të UÇPMB-së, ku edhe kanë ngjallur panik te familjarët e tyre.